Bashkëpunimi ndërkombëtar, Praktika të reja të menaxhimit shëndetësor
Beqaj: “Krijojmë një kulturë menaxheriale të përbashkët”
Tiranë, 1/7/2014 – Ministri i Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj, mori pjesë sot (1/7/2014) në Ceremoninë e Hapjes së Kursit të Kualifikimit për drejtuesit e Sistemit Shëndetësor të vendeve ballkanike: “Menaxhimi i Institucioneve të Sistemit Shëndetësor”, që u zhvillua në mjediset e Universitetit Katolik “Zoja e Këshillit të Mirë” (UKZKM), në Tiranë.
Në këtë aktivitet formues të edukimit në vazhdim, i cili realizohet si një bashkëpunim ndërmjet Ministrisë së Shëndetësisë dhe UK “Zoja e Këshillit të Mirë”, Rajonit të Toskanës dhe Universitetit të Firences, Itali, në kuadrin e veprimtarisë së “Observatorit të Sistemeve Shëndetësore të Ballkanit”, morën pjesë gjithashtu edhe Ministrat e Shëndetësisë së Republikës së Kosovës dhe Kantonit të Tuzlës, Bosnje-Hercegovinë, përkatësisht, Dr. Ferid Agani dhe z. Alen Kamerić, si dhe Ambasadori i Republikës së Italisë në Shqipëri, z. Massimo Gaiani.
Duke falënderuar organizatorët nga UKZKM dhe Ambasadorin Gaiani për ndihmën e vazhdueshme prej 22 vjetësh në mbështetjen e sistemit të kujdesit shëndetësor në Shqipëri, Ministri Beqaj tha midis të tjerash se edicioni i V-të i programit të kualifikimit për vitin 2014 është një përmbushje e angazhimit të marrë qysh në takimin e dt. 5 dhjetor të vitit të kaluar së bashku me kolegun Agani dhe me përfaqësuesit e Rajonit të Toskanës në Itali, si dhe Prof. Persianin nga Universiteti i Firences, ku u diskutua për të shtyrë përpara realizimin e projektit të asistencës teknike dhe formimit menaxherial, në vazhdimësinë e traditës së deritanishme të bashkëpunimit mes vendeve të Rajonit.
Edicioni i V-të i këtij aktiviteti në formën e kursit tre-ditor (1-2-3 Korrik 2014), i cili zhvillohet në vijimësi të raporteve tashmë të konsoliduara të bashkëpunimit në fushën e kujdesit shëndetësor të Rajonit të Toskanës dhe strukturave të Sistemit të Kujdesit Shëndetësor të Republikës së Shqipërisë, Kosovës dhe vendeve të tjera Ballkanike, ka për qëllim krijimin e një kulture menaxheriale të përbashkët dhe me përhapje të gjerë për shërbimet shëndetësore të këtyre vendeve, të domosdoshme për këtë periudhë tranzicioni.
Në vijim, fjala e plotë e Ministrit të Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj, në takim:
—###—
I nderuar Ministër i Shëndetësisë i Kantonit të Tuzlës, Bosnje-Hercegovinë, z. Alen Kamerić,
I nderuar Ministër i Shëndetësisë së Kosovës, Dr. Ferid Agani,
I nderuar Ambasadori i Republikës së Italisë në Shqipëri, z. Massimo Gaiani,
I nderuar Prof. Niccolò Persiani,
I nderuar Dr. Loredano Giorni,
Zonja dhe zotërinj, të dashur punonjës të kujdesit shëndetësor,
Më lejoni të shpreh kënaqësinë time të veçantë teksa marr pjesë në ceremoninë e hapjes së këtij aktiviteti kaq të rëndësishëm për kualifikimin profesional të drejtuesve të sistemit shëndetësor të vendeve ballkanike.
Përveç se është një tjetër angazhim i mbajtur, ky takim profesionistësh ndërkombëtarë dhe rajonalë të shëndetit është një dëshmi e gjallë e raporteve tashmë të konsoliduara të bashkëpunimit në fushën e kujdesit shëndetësor të Rajonit të Toskanës dhe strukturave të Sistemit të Kujdesit Shëndetësor të Republikës së Shqipërisë, Kosovës dhe vendeve të tjera Ballkanike.
Dhe për këtë, një falënderim i veçantë dhe i merituar shkon për drejtuesit e Universitetit Katolik “Zoja e Këshillit të Mirë” (UKZKM), që me aq përkushtim, kujdes e rigorozitet profesional organizojnë tashmë edicionin e pestë të këtij programi disavjeçar të kualifikimit të Drejtuesve të Institucioneve Shëndetësore të vendeve të Rajonit.
Gjithashtu, dëshiroj të përgëzoj edhe pëfaqësuesit e Rajonit të Toskanës dhe Universitetit të Firences për gatishmërinë dhe bashkëpunimin e tyre të vyer me Ministrinë e Shëndetësisë dhe UKZKM-në për organizimin e këtyre aktiviteteve formuese të edukimit në vazhdim në kuadrin e veprimtarisë së “Observatori të Sistemeve Shëndetësore të Ballkanit”.
Më lejoni, gjithashtu, të sjell në vëmendjen tuaj, aktualitetin e dy ngjarjeve të rëndësishme që përkojnë me zhvillimin e këtij aktiviteti.
Plot 100 vjet më parë, Ballkani dhe Bota do të hynin në një konflikt të përgjakshëm si pasojë e atentatit të Sarajevës ndaj Arkidukës Franz Ferdinand të Austrisë.
Por sot, 100 vjet pas shpërthimit të Luftës së Parë Botërore, marrja e statusit të vendit kandidat për në BE prej Shqipërisë është një lajm i mirë, jo vetëm për Ballkanin Perëndimor, por të gjithë rajonin.
Ky hap dëshmon angazhimin e BE-së në rajon dhe kalimin nga një perspektivë e mjegullt në një kthjelltësi me objektiva të matshme.
Kështu, ne mblidhemi sot këtu për të thelluar bashkëpunimin duke gjetur ura të reja të zhvillimit profesional me qëllimin fisnik të përmirësimit të kujdesit shëndetësor në rajonin tonë.
Ndërkohë, përfitoj nga rasti, të shpreh kënaqësinë time për t’i uruar punë të mbarë Presidencës se porsanisur Italiane të BE-së, duke qenë i sigurt se Kryeministri i ri dhe energjik, Matteo Renzi do të dijë t’a frymëzojë dhe udhëheqë BE-në për një fillim të ri dhe rritjen e qëndrueshme aq shumë të dëshiruar.
Gjithashtu, jam i bindur, se Presidenca Italiane, si një avokate e hershme e aspiratës Europiane të popullit tim, do të vazhdojë të japë ndihmën e paçmuar në mbështetjen e vendit tim drejt konsolidimit të sistemit demokratik dhe sundimit të së drejtës në ekonomi, duke ofruar në të njëjtën kohë një kornizë vlerash referuese dhe instrumenta financiare.
Padyshim, e ndjej gjithmonë të nevojshme të falënderoj çdo përfaqësues të shtetit italian për ndihmën e pakursyer që Italia jep prej 22 vjetësh në përmirësimin e sistemit të kujdesit shëndetësor në Shqipëri. Me shkëlqesinë e tij, ambasadorin Gaianin po punojmë për ta zgjeruar këtë bashkëpunim dhe për ta bërë sa më efektiv.
Të ndëruar pjesëmarrës,
Në takimin e dt. 5 dhjetor të vitit të kaluar që zhvilluam së bashku me kolegun Agani dhe me përfaqësuesit e Rajonit të Toskanës në Itali, si dhe Prof. Persianin nga Universiteti i Firences, diskutuam për të shtyrë përpara realizimin e projektit të asistencës teknike dhe formimit menaxherial, në vazhdimësinë e traditës së deritanishme të bashkëpunimit mes vendeve të Rajonit.
Kështu, arritëm të prezantojmë programin e kualifikimit për vitin 2014, edicioni i V-të i të cilit, ka për qëllim krijimin e një kulture menaxheriale të përbashkët dhe me përhapje të gjerë për shërbimet shëndetësore të këtyre vendeve, të domosdoshme për këtë periudhë tranzicioni.
Gjithashtu, Rajoni i Toskanës do të vazhdojë të japë mbështetjen e vetë për sistemin e kujdesit shëndetësor në Shqipëri, për krijimin e një sistemi indeksi kostosh të Sistemit Shëndetësor (DRG, ose Diagnosis Related Group), të ngjashëm në vendet e rajonit. Në këtë mënyrë do të favorizohet racionalizimi i resurseve, zgjerimi i hapësirave të Tregut dhe Konkurencës së sherbimeve shëndetësore, duke influencuar drejtpërdrejtë në përmirësimin e cilësisë së shërbimit dhe uljen e kostove.
Sfida jonë është që t’u rikthejmë qytetarëve besimin e humbur tek shërbimi shëndetësor, t’u japim atyre mbrojtjen dhe përkujdesjen e merituar shëndetësore, dhe t’u krijojmë profesionistëve kushtet e nevojshme për të shërbyer me cilësi.
Dhe, ky aktivitet është një hap i rëndësishëm në këtë drejtim.
Duke ju uruar punë të mbarë me kursin e kualifikimit,
Faleminderit!
—###—
© Ministria e Shëndetësisë 2025 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.