Font Resize
Contrast
.

vije ndarëse

Postuar më: 15/06/2014

Bashkëpunimi ndërkombëtar, Ministri Beqaj takon Presidente Marinin e Rajonit të Umbrias

Vizita në Itali, Ministri Beqaj takon Presidente Marinin e Rajonit të Umbrias: “Thellojmë bashkëpunimin në shëndetësi dhe fushat të tjera”

Peruxhia, Itali, 15/06/2014 –  Ministri i Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj, u prit ditën e Premte (13/6/2014) në mëngjes në një takim pune nga Presidentja e Rajonit të Umbrias, znj. Catiuscia Marini, në Palazzo Donini, në qytetin e Peruxhias, Itali, në qëndër të të cilit ishte diskutimi për fushat e bashkëpunimit të ndërsjelltë, në kuadër të “Memorandumit të Mirëkuptimit” që pritet të nënshkruhet ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe këtij Rajoni.

Në takim, ku ishin të pranishëm edhe Zëvendësministri i Shëndetësisë, z. Klodian Rjepaj, si dhe Rektori i Universitetit të Peruxhias, z. Franco Moriconi e Rektori i Universitetit të Studimeve për të Huaj të Peruxhias, z. Giovanni Paciullo, u shkëmbyen ide dhe përvoja për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimint në fushat e kujdesit shëndetësor dhe sistemeve sociale, sigurisë dhe cilësisë së prodhimit të ushqimeve, ekonomisë, mjedisit, kulturës dhe arsimit.

Duke i uruar mirëseardhjen Ministrit Beqaj dhe delegacionit shqiptar, Presidentja Marini theksoi lidhjet “e forta dhe të lashta” që ekzistojnë ndërmjet Umbrias dhe Shqipërisë, dhe vuri në dukje “praninë e qenësishme të komunitetit shqiptar në këtë rajon, i cili pas emigrimit të madh të viteve ’90, ka arritur një shkallë të konsiderueshme të integrimit në Itali dhe veçanërisht, në Umbria.”

Për këtë arsye, – shtoi më tej znj. Marini, “Shqipëria është një partner i privilegjuar për ne dhe unë dua të ritheksoj rëndësinë që ka ecuria e këtij vendi në rrugën drejt marrjes së statusit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Europian, ku brenda pak muajve të ardhshëm do të përjetojë afate shumë të rëndësishme të këtij procesi”.

Ndërkohë, Presidentja shprehu kënaqësinë e veçantë për “Memorandumin e Bashkëpunimit”: “Ne jemi shumë të kënaqur – tha ajo – për të ndërtuar së bashku një protokoll bashkëpunimin për çështjet e identifikuara në Memorandumin e Mirëkuptimit, dhe nisjen e një shkëmbim kuptimplotë të praktikave të mira, veçanërisht në fushat e shëndetit, mjedisit, por edhe të marrëdhënieve midis sistemeve tona ekonomike me referencë të veçantë për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme.”

“Unë do të doja së pari të shprehja vlerësimin e qeverisë shqiptare – tha midis të tjerash në takim Ministri Beqaj – për mbështetjen që Italia po i jep vendit tim në procesin e marrjes së statusit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Ndërsa lidhur me përmbajtjen e “Memorandumit”, z. Beqaj vuri në dukje se ndan plotësisht të njëjtin këndvështrim me mikpritësit, duke theksuar se “jam veçanërisht i kënaqur që vendi im, nëpërmjet kësaj marrëveshjeje, do të ketë mundësinë për të përmirësuar më tej sistemin e kujdesit shëndetësor dhe sistemit social në Shqipëri.”

Rektorët Moriconi dhe Paciullo theksuan faktin se, prej vitesh, të dy universitetet kanë pasur një numër të konsiderueshëm studentësh shqiptarë, duke vënë në dukje se mbeten “shumë të interesuar” për zhvillimin e nismave të mëtejshme për bashkëpunim ndërmjet Universitetit dhe institucioneve kryesore kulturore të Rajonit të Umbrias dhe Shqipërisë.

—###—