Stamboll, Turqi, 16/11/2013 – Ministri i Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj, u prit të Shtunën në Stamboll në një takim dhe zhvilloi bisedime me Ministrin e Shëndetësisë të Republikës së Turqisë, z. Mehmet Müezzinoğlu.
Bashkëbiseduesit konfirmuan marrëdhëniet e shkëlqyera dhe bashkëpunimin e ngushtë dhe të frytshëm ndërmjet dy institucioneve që ata drejtojnë, duke shprehur angazhimin e përbashkët për një zhvillim cilësor të mëtejshëm të tyre.
Ministri Beqaj prezantoi në takimin me z. Müezzinoğlu prioritetet e qeverisë shqiptare në sektorin e shëndetësisë, ku u diskutua ndërmjet të tjerave, edhe çështje të asistencës teknike lidhur me reformën në tregun farmaceutik, ngritjen e shërbimit kombëtar të urgjencës dhe reforminin e menaxhimit spitalor.
Gjithashtu, z. Beqaj vuri theksin edhe tek mbështetja zhvillimore që kërkohet për fuqizimin dhe përmirësimin e kapaciteteve të sistemit spitalor dhe projektin kombëtar të e–health.
Ministri shqiptar i shëndetësisë e ftoi gjithashtu homologun e vet turk, z. Mehmet Müezzinoğlu për një vizitë zyrtare në Shqipëri në kuadrin e angazhimit dhe vullnetit të plotë dypalësh për thellimin bashkëpunimin dypalësh në sektorin e shëndetësisë.
—###—
© Ministria e Shëndetësisë 2025 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.