Tiranë, 23/10/2013 – Ministri i Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj, prezantoi sot (23/10/2013) Dr. Blenard Nonaj, Drejtorin e ri të Spitalit Universitar Obstetrik-Gjinekologjik “Mbretëresha Geraldinë”, gjatë një takimi që zhvilloi me mjekë dhe punonjës të këtij institucioni.
Në fjalën e tij gjatë takimit, Ministri i Shëndetësisë, shprehu besimin se Dr. Blenard Nonaj, me përvojën e tij profesionale dhe njerëzore, do të dijë të zbatojë programin e Qeverisë së re për rikthimin e besimit të humbur të qytetarëve tek shërbimi shëndetësor dhe krijimin e kushteve të nevojshme profesionistëve për të shërbyer me cilësi.
Ministri Beqaj e vuri theksin veçanërisht tek roli parësor që SUOGJ “Mbretëresha Geraldinë” duhet të kenë edhe në udhëheqjen profesionale të shërbimeve spitalore në të gjithë vendin.
Emërimi i Dr. Nonaj në këtë detyrë vjen pas një përvoje pothuajse 10-vjeçare profesionale si mjek obstetër-gjinekolog në Sektorin Obstetrik-Gjinekologji të SUOGJ “Mbretëresha Geraldinë” në Tiranë, dhe më herët si mjek i përgjithshëm në Shërbimin Parësor në Skrapar. Kjo përvojë si mjek obstetër-gjinekolog, vazhdoi më tej Ministri, besojmë se do ta ndihmojë Dr. Nonaj në drejtimin e këtij institucioni të rëndësishëm të sistemit të shëndetit parësor, siç është SUOGj “Mbretëresha Geraldinë”.
Nga ana e tij, drejtori i ri i SUOGJ “Mbretëresha Geraladinë”, z. Nonaj, në fjalën e tij, falënderoi Ministrin e Shëndetësisë për besimin e treguar, duke theksuar vullnetin dhe gatishmërinë e tij për të qenë në lartësinë e detyrave që kërkohen nga programi i Qeverisë së re.
—###—
© Ministria e Shëndetësisë 2025 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.