Progami i riçertifikimit të profesionistëve të kujdesit shëndetësor
Beqaj: “Vullnet i qartë për zbatimin rigoroz të kritereve dhe standardeve”
Tiranë, 21/07/2014 – Ministri i Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj, mori pjesë sot (21/07/2014) në “Takimin Informues mbi Programin e Riçertifikimit 2010-2014” që u organizua nga Ministria e Shëndetësisë në bashkëpunim me Qendrën Kombëtare të Edukimit në Vazhdim, me drejtuesit e institucioneve shëndetësore. Në takimin u diskutuan tema dhe çështje që lidhen me kriteret dhe sanksionet që zbatohen në programet e riçertifikimit, rolin e institucioneve në planifikimin, organizimin dhe mbështetjen e edukimit në vazhdim për profesionistët e kujdesit shëndetësor, si dhe do të prezantohen udhëzime të tjera praktike për plotësimin e kërkesave të programit të ricertifikimit.
Duke shprehur shqetësimin për gjendjen e edukimit në vazhdim të profesionistëve të kujdesit shëndetësor në vend, Ministri Beqaj, theksoi midis të tjerash se “të dhënat më të fundit nga QKEV-ja që i përkasin qershorit 2014, tregojnë se ka ende një numër të konsiderueshëm profesionistësh pa asnjë kredit të edukimit të vazhdueshëm, apo me një numër të pamjaftueshëm e jo-premtues kreditesh për të mbyllur me sukses programin e riçertifikimit deri në fund të vitit 2014”. Pikërisht për këtë arsye, vazhdoi më tej ai, “Bordi i Riçertifikimit dhe Akreditimit rimorri në konsideratë kriteret dhe sanksionet aktuale të parashikuara, që duhen zbatuar në janar 2015”.
Ky vendimi, tha më tej z. Beqaj, “është shprehje e qartë e angazhimit dhe vullnetit të Ministrisë së Shëndetësisë, si dhe gjithë aktorëve të tjerë të edukimit në vazhdim (FSDKSH-së, urdhrave të profesionistëve) për zbatimin rigoroz të kritereve dhe standardeve të riçertifikimit”.
Në këtë këndvështrim, Ministri i’u bëri thirrje të gjithë profesionistëve të shëndetit se “nuk do të lejohen të vazhdojnë punën ata mjekë që nuk arrijnë të provojnë se kanë bërë përpjekje për rifreskimin dhe përditësimin e dijeve dhe aftësive të tyre në fushat ku punojnë.” Kështu, “për ata që e shpërfillin tërësisht këtë kërkesë, dhe deri në fund të vitit rezultojnë me 0 kredite, masat do të jenë të menjëhershme. Vendet e tyre të punës do të shpallen vakante nga drejtuesit e spitaleve dhe qendrave shëndetësore,” tha ai.
Në vijim, fjala e plotë e Ministrit Beqaj në takim.
—###—
Mirëmëngjes!
Sigurisht që edukimi në vazhdim i profesionistëve të shëndetësisë është një nga elementët thelbësorë të proçesit të përmirësimit të mbulimit me kujdes shëndetësor, të cilësisë së këtij mbulimi, dhe më gjerë, gjithë mënyrës së funksionimit, apo të performancës siç e themi tani, të të gjithë sistemit të kujdesit shëndetësor.
Kështu që, qoftë formimi bazë i profesionistëve, apo qoftë kërkimi shkencor, autonomia profesionale, qoftë elementët që lidhen me përfshirjen e profesionistëve në mbarëvajtjen dhe në qeverisjen klinike, janë elementë shumë të rëndësishëm.
Ndërkohë, që jemi përpara një realiteti që, në vite janë akumuluar boshllëqe në trupën mjekësore të vendit, boshllëqe qoftë në sasi, – pra kemi specialitete ku na mungojnë në mënyrë absolute mjekët, – po kështu, edhe në cilësi dhe në vijimësi lidhur me mbajtjen gjallë, përditësimin, avancimin e dijeve dhe të njohurive.
Ju e dini që sistemi i edukimi në vazhdim është tashmë një institucion për shëndetësinë shqiptare. Është filluar në mënyrë të plotë që nga viti 2010, por sot që po flasim, që jemi pothuaj në mbyllje të ciklit të parë 5-vjeçar, me keqardhje konstatojmë se kemi ende profesionistë pa asnjë kredit, pra kemi ende profesionistë më 0 (zero) kredite, apo me shumë të pamjaftueshme kreditesh sipas atyre standarteve që janë përcaktuar. Kështu që, për ta mbyllur me cilësi vitin, na duhet jashtëzakonisht shumë përpjekje.
Sigurisht, që unë fola që ka njerëz me zero kredite, apo me kredite të pamjaftueshme, por sigurisht ka edhe të tjerë që janë sipas standarteve, që i kanë tejkaluar ato, dhe është momenti për t’i falënderuar ata, për t’i inkurajuar, sepse janë një lloj shembulli për të tjerët, për të thënë që kjo gjë është e bëshme. Nisur nga situata ku jemi, Bordi i Riçertifikimit dhe i Akreditimit, në një mbledhje të para pak ditëve, i rimorri në konsideratë kriteret aktuale të parashikuara, sanksionet e parashikuara dhe ka dalë me disa përfundime, të cilat duhet t’i ndaj sot me ju.
Në radhë të parë, bordi u shpreh qartë se ka një angazhim dhe një vullnet të drejtuesve të Ministrisë së Shëndetësisë, por edhe të aktorëve të tjerë që janë aktivë, sidomos të urdhërave të profesionistëve dhe Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, që kriteret dhe standartet të zbatohen në mënyrë rigoroze.
Kështu që, nuk do të lejohen të vazhdojnë të punojnë si mjekë, ata që nuk arrijnë të provojnë se po bëjnë përpjekje për rifreskimin dhe përditësimin e dijeve dhe aftësive të tyre aty ku ata punojnë.
Pra, për këdo mjek që e shpërfill tërësisht këtë lloj kërkese, që do të thotë, deri në fund të vitit do të rezultojë me 0 kredite, masat do të jenë të menjëhershme, efektive që nga fillimi i vitit: Vendet e tyre të punës do të shpallen vakante nga drejtuesit e institucioneve, qoftë të spitaleve apo qendrave shëndetësore.
Paralelisht, urdhrat profesionale do t’ua pezullojnë liçencën e ushtrimit të profesionit. Këta profesionistë e rifitojnë të drejtën vetëm pas dhënies së provimit të shtetit.
Gjithashtu, edhe ata profesionistë që kanë kredite, por jo sa niveli i mjaftueshëm, brenda 6 muajve të mbarimit të afatit 5-vjeçar, do të duhet të rihyjnë në provimin e shtetit. Nëse pas 6 muajsh, përsëri, nëse nuk do të kenë marrë provimin e shtetit, apo nuk do të kenë pranuar të hyjnë në provimin e shtetit, jemi në të njëjtat kushte, vendi i tyre i punës del vakant dhe u pezullohet liçenca.
Që të mund të funksionojmë siç duhet, është e domosdoshme që secili nga aktorët kryresorë në këtë proçes, të marrë rolin e vet, ne si ministri, urdhërat, institucionet shëndetësore. Por, përgjegjësia kryesore do të jetë në radhë të parë e qendrave shëndetësore, por sidomos institucioneve publike.
Spitalet duhet të bëjnë jashtëzakonisht shumë kujdes. Duhet të programoni, meqë jemi në fazë buxhetimi për vitin e ardhshëm, brenda buxheteve tuaja, fonde për trajnimin; minimalisht fonde për t’u siguruar shpenzimet minimale të udhëtimit apo të qëndrimit mjekëve kur ata e bëjnë jashtë vendbanimit aktivitetin formues. Por, ne besojmë se ka eksperienca shumë pozitive në spitalet tona, ku aktivitetet profesionale që ju i kryeni, mund të akreditohen nga qendra, dhe pastaj mund të shërbejnë për të rritur numrin e krediteve.
Gjithë sa thashë, bashkë me detaje të vendimit më të fundit të Bordit, janë pjesë e një udhëzimi të posaçëm që është hartuar dhe ka filluar të shpërndahet. Ai, i cili nuk e ka marrë akoma, mund ta marrë në përfundim të këtij takimi.
Ju keni për detyrë, me marrjen e udhëzimit, të hartoni një program pune, fillimisht emergjent dhe afatshkurtër brenda fundit të vitit. Është shumë e rëndësishme për gjithë sistemin, që të na gjejë fundi i vitit, pra mbyllja e ciklit të parë 5-vjeçar me sa më pak boshllëqe, qoftë në numër profesionistësh me 0 (zero) kredite, por edhe nga ata me numër të pamjaftueshëm.
Sigurisht që, për çdo shqetësim, paqartësi apo nevojë plotësuese që mund të keni në hartimin e programit të punës, mos hezitoni në mënyrë shumë të shpejtë, me këdo, në këtë pjesë të edukimit të vazhdueshëm, i gjithë ekipi drejtues i ministrisë është në dispozicionin tuaj: unë, zëvendësministrat, kabineti, drejtorët e drejtorive, Fondi po ashtu. Është e domosdoshme.
Raste të ndryshme shqetësimesh që janë evidentuar edhe me pasoja në kujdesin shëndetësor, nganjëherë edhe me fatalitete, vijnë edhe nga mungesa e edukimit të vazhdueshëm. Të mos mendojë ndonjë mjek, pse është në ndonjë spital rajonal apo rrethi i vetëm, do të mund, të themi, të na shantazhojë duke thënë: “S’keni ç’bëni përveç meje, dua apo s’dua të edukohem, unë do të vazhdoj të jem këtu”. Ne vërtet jemi të vetëdijshëm që kemi boshllëqe në trupën mjekësore, por sigurisht, më mirë të vetëdijshëm për një shërbim më pak në një institucion të caktuar, se sa një shërbim, i cili gjithmonë na rrezikon për cilësinë e kujdesit.
Nuk dua të zgjatem më shumë, por po e mbyll duke falenderuar të gjithë ata donatorë që e kanë mbështetur qendrën (QKEV) apo edhe të gjithë proçesin në gjithë këto vite, por padyshim, dua të falënderoj edhe drejtoreshën, Entelën, dhe ekipin e saj për punën me cilësi dhe përgjegjshmëri që realizon.
Faleminderit!
—###—
Për informacion të mëtejshëm na ndiqni në Faqen zyrtare në Facebook:
https://www.facebook.com/pages/Ministria-e-Sh%C3%ABndet%C3%ABsis%C3%AB/453892661388483?ref=hl,
Twitter: @BeqajIlir
© Ministria e Shëndetësisë 2025 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.