Fjala e Ministres së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, znj. Ogerta Manastirliu
Faleminderit zv.Kryeministres që është këtu me ne sot. Unë do doja në fakt të falenderoja të gjithë ju, pjesëmarrës, përfaqësues të shoqatave, grupeve të interesit, përfitues të programeve tona sociale dhe shërbimeve shëndetësore.
Para se të prezantoj hapat që kemi marrë në fazën e parë të reformës të deregulimit ose të lehtësimit të procedurave për marrjen e shërbimeve shëndetësore dhe sociale, do doja t’ju thoja që duke filluar nga sot dhe në vijim, për të gjitha takimet tona të cilat do jenë me interes publik, për të gjithë kategoritë që marrin shërbime, ne do të kemi një interpret ne kohë reale me gjuhën e shenjave, duke e vendosur si praktikë dhe si standart për të gjitha takimet tona publike. Ne e kemi shumë të rëndësishme të drejtën për informim dhe aksesin në shërbime, pa përjashtuar askënd.
Duke vijuar me reformën dhe fazën e parë të reformës së deregulimit ose lehtësimin e procedurave, uljen e burokracive, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka ndërmarrë një analizë të thelluar të të gjithë proçeseve të punës që kryhen në institucionet e saj, të të gjithë shërbimeve që ajo ofron, duke nisur nga shërbimet shëndetësore në të gjithë qendrat shëndetësore, poliklinikat e specialiteteve, spitalet gjithashtu dhe në shërbimet shoqërore, duke analizuar të gjitha procedurat që ne kemi për programet e asistencës sociale, programet e vlerësimit të pagesave të aftësisë së kufizuar. Gjithashtu kemi bërë një vlerësim të brendshëm për të gjithë lejet, liçencat, autorizimet që jep ministria dhe institucionet e varësisë së saj dhe ndajmë sot me ju disa informacione shumë të rëndësishme.
Kemi ulur barrën e madhe të burokracive për marrjen e shërbimeve shëndetësore dhe sociale, duke reduktuar kohën e pritjes dhe numrin e dokumenteve për marrjen e këtyre shërbimeve. Jemi te vendosur per ta ndryshuar nje here e mire kete situate, për t’ja bërë më të lehtë çdo qytetari marrjen e shërbimeve shendetesore dhe sociale – per te luftuar korrupsionin, per te rritur transparencen dhe llogaridhenien.
Nga analiza që ne kemi kryer janë 67 shërbime që ne ofrojmë, për të cilat duhet që të dorëzoheshin 299 dokumente nga qytetarët. Pas rishikimit të të gjithë procedurave dhe kësaj reforme të ndërmarrë qeveria dhe posaçërisht nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, ne kemi reduktuar 118 dokumenta për 67 shërbime të ofruara.
Për tu ndalur konkretisht tek ajo çfarë kemi realizuar deri më sot në lidhje me shërbimet shëndetësore, karta e shëndetit sot nuk do të jetë më një detyrim për tu marrë vetë nga qytetarët por tashmë është një detyrim i vetë punonjësve të administratës, të sporteleve, punonjësve të shërbimeve për ta aksesuar atë online nëpërmjet portalit e-Albania, duke sjellë një lehtësim të madh për të gjithë ata qytetarë që duhet të merrnin kartën e shëndetit për të aksesuar shërbimet shëndetësore.
Nga ana tjetër receta elektronike ka zhvilluar një model të ri të marrjes së shërbimit më shpejt për pacientët apo për ata qytetarë të cilët përfitojnë nga lista e rimbursimit të barnave. Kursehen rreth 1000 orë pune për mjekët nga ky digjitalizimi i këtij shërbimi dhe po aq kohë e kursyer për vetë qytetarët.
Gjithashtu, referimi elektronik, I cili tashmë është shtrirë në Tiranë dhe në 6 mujorin e ardhshëm do të shtrihet në të gjithë Shqipërinë, I cili mundëson rezervimin online të konsultës tek mjeku specialist dhe mjeku I familjes. Me këtë sistem, përpos faktit që lehtësojmë qytetarët nga gjithë ecejaket që detyroheshin të bënin për të marrë shërbimin e specializuar pa humbur kohë, mjekëve gjithashtu u kursehet koha sepse kanë vizita të rezervuara, kanë më shumë kohë për t’ju përgjigjur pacientëve.
Sa I përket shërbimeve shoqërore unë do të ndalesha tek disa programe sociale për të cilat ne kemi ndërmarrë po them një revolucion, në lidhje me KMCAP –të. Ju e dini shumë mire se çfarë barre ishte për ju vajta çdo vit për tu rikomisionuar, për daljen pranë komisionit të aftësisë në punë. Ju e dini shumë mirë çdo të thotë të bënit 8 dokumenta dhe të shkonit nga njëri intitucion në tjetrin për të marrë dokumentet që ju duheshin, për t’i paraqitur në spital, për t’i paraqitur para komisionit të përcaktimit të aftësisë për punë dhe për t’u paraqitur vetë në komision. Sa orë të humbura ishin, dhe ne e kemi bërë këtë llogari, janë 40 orë që ju humbnit vetëm për të paraqitur dokumentat dhe për të vajtur vetë për tu vlerësuar nga komisioni. Me reformën e deregulimit, ne, nga 8 dokumenta I kemi ulur në 2 dokumente, vetëm kartë identiteti dhe epikrizë. Madje tashmë nuk është më detyrim që ju të paraqiteni fizikisht, dhe ju të çoni vetë dokumentat në zyrat e KMCAP-ve, por institucionet shtetërore do të paraqesin dokumentet tuaja dhe komisioni do të bëjë vlerësimin e dosjes suaj dhe përgjigja juaj do t’iu vijë nëpërmjet postës. Pra ju, nuk do të keni më nevojë që të detyroheni të paraqiteni fizikisht në të gjithë dyert e institucioneve për të marrë një të drejtë që ju takon me ligj.
Jo vetëm ju kemi kursyer sorollatjet me orë të tëra, por ju kemi kursyer gjithashtu kosto transporti, që ju shpenzonit duhej për të vajtur nga njëra zyrë në tjetrën, nga njëri qytet në tjetrin dhe janë rreth 47 milion lekë në vit të kursyera nga buxhetet e familjeve.
Nga ana tjetër për të gjitha diagnozat që konsiderohen diagnoza të përhershme, ne kemi vendosur rikominsionimin 3 deri në 5 vite dhe kemi hequr kominsionimin çdo vit. Në çdo hap të gjithë kësaj reforme ne jemi konsultuar me profesionistët, për të mos cënuar në asnjë mënyrë shërbimet që ne u ofrojmë qytetarit por mbi të gjitha cilësinë e shërbimit shëndetësor dhe social që ai duhet të marrë.
Doja që t’ju prezantoja gjithashtu dhe gjithë reformën në programin e ndihmës ekonomike. Një reformë që tashmë është shtrirë në gjithë Shqipërinë, një reformë, e cila synon të targetojë familjet më të varfra, për ti mbështetur, një skemë e cila nuk është më një skemë pasive por që do të jetë një skemë active, e alternuar me mundësi punësimi për të gjithë ata anëtarë të familjes në moshë pune dhe padyshim dhe e alternuar me edukimin profesional.
Nga ana tjetër aplikimi për këtë skemë nuk është më siç ka qenë, me malin e burokracive të letrave dhe të ecejakeve. Nga 10 dokumente që duheshin më parë, sot aplokantët duhet të dorëzojnë vetëm 2 dokumente për të përfituar në programin e ndihmës ekonomike.
Dhe kjo ishte një kosto për çdo familje, qoftë në kohë apo qoftë edhe financiare. Kursyem 65 orë sorrollatje nëpër institucione për të mbledhur dokumentet, të cilat tashmë janë eleminuar.
Duke eleminuar 540 mijë dokumente në total që qarkullonin në vit, madje qarkullonin edhe një herë në dy muaj disa dokumente për rideklarimet, kosto kjo që binte në kurriz të qytetarëve, ju kursyem rreth 99 milion lekë vetem nga reduktimi I ketij dokumentacioni per aplikimin për ndihmën ekonomike.
Ne jemi të vendosur për ti reduktuar të gjitha ato procedura burokratike, praktika abuzive, për reduktimin e fenomenit të korrupsionit dhe rryshfetit dhe padyshim me angazhimin tonë dhe të kryeministrit Edi Rama për të shërbyer dhe për ti shërbyer qytetarëve, në mënyrë që shërbimet tona shëndetësore dhe sociale të jenë të aksesueshme dhe padyshim cilësore.
Këto ishin vetëm disa nga hapat e ndërmarrë në fazën e parë të reformës së deregulimit, pra të lehtësimit të procedurave të shërbimeve publike për qytetarët.
Ne kemi ende shumë për të bërë, prandaj jemi këtu së bashku, duam të dëgjojmë zërin tuaj dhe do të dëgjojmë në vijim të gjitha propozimet tuaja, sygjerimet tuaja për të përmirësuar marrjen e shërbimeve publike në shëndetësi dhe në programet e mbrojtjes sociale.
Faza e dytë e reformës, e cila ka nisur tashmë për ne, do të vijojë gjithashtu edhe me disa shqetësime që ju na I keni paraqitur dhe ne jemi duke I shqyrtuar dhe së bashku patjetër që do të vijojmë të lehtësojmë të gjithë barrën e procedurave burokratike, por çka është e rëndësishme është të krijojmë mjedis të mirë për të marrë shërbime cilësore dhe sa më të aksesueshme për të gjithë ju.
Faleminderit, fjala është për ju.
© Ministria e Shëndetësisë 2025 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.