.

vije ndarëse

Postuar më: 22/02/2018

Fjala e Ministres së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale znj. Ogerta Manastirliu gjatë interpelancës në Kuvend për ecurinë e deritanishme të kontrollit mjekësor bazë, në raport me politikat e vendosura nga Qeveria

Fjala e Ministres së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale znj. Ogerta Manastirliu gjatë interpelancës në Kuvend për ecurinë e deritanishme të kontrollit mjekësor bazë, në raport me politikat e vendosura nga Qeveria

 

Tre vjet më parë, Qeveria Shqiptare mori një vendim të rëndësishëm, në përmbushje të premtimit që u kemi bërë qytetarëve, për përmirësimin e kujdesit për shëndetin: kalimin gradual nga një sistem i  kujdesit shëndetësor i orientuar tek sëmundja, tek një sistem i cili ka në fokus shëndetin.

Për një Qeveri të përgjegjshme, që vendos qytetarin në qendër të politikave është DETYRIM vënia në zbatim e politikave të kontrollit parandalues. Sepse qytetarë më të shëndetshëm, do të thotë një shoqëri më e shëndetshme.

Ndaj vendosëm që të gjithë qytetarëve shqiptarë, të grupmoshës 35 deri 70 vjeç, pa asnjë dallim, pavarësisht nëse ishin apo jo kontribues në skemën e sigurimin të detyrueshëm të kujdesit shëndetësor, t’u bëhej i mundur FALAS kontrolli periodik bazë, nëpërmjet ndërveprimit publik privat.

Deri përpara fillimit të zbatimit të këtij programi, të bëje një kontroll mjekësor bazë kushtonte minimumi 51 mijë lekë.

Para që paguheshin direkt nga xhepat e qytetarëve.

Prej tre vitesh, ofrohet falas nga shteti!

Sot, të dhënat që po analizojmë – e të cilat i disponojmë falë këtij programi –   po na konfirmojnë rëndësinë e madhe që ai ka në sistemin shëndetësor, për një kujdes më të madh dhe më cilësor, por edhe për kultivimin e një kulture të parandalimit të sëmundjeve.

Para vënies në zbatim të këtij programi Ministria e Shëndetësisë gjendej në një situate, me mungesë totale informacioni, pa të dhëna epidemiologjike, që janë themeli për hartimin e politikave efikase të shëndetit.

Jo më larg se dy ditë më parë, në një takim që pata gjatë mbledhjes së ministrave të Shëndetësisë të Evropës Juglindore,  Drejtoresha e OBSH më shprehu vlerësime maksimale për programin që po zbatojmë, i cili e orienton fokusin tek kujdesi parësor, fuqizon rolin e mjekut të familjes, por mbi të gjitha, luan një rol thelbësor në funksion të mbulimit shëndetësor universal.

Dhe puna që po bëjmë me OBSH për fuqizimin e kujdesit parësor në Shqipëri, paralelisht më programin e rehabilitimit të 300 qendrave shëndetësore në katër vite, mbështetet edhe tek ky program parandalues, që ne po aplikojmë.

Të nderuar kolegë,

Nëpërmjet programit të kontrollit mjekësor bazë, ne sot i shërbejmë 1.2 milion shqiptarëve të moshës 35-70 vjeç, duke e ofruar çdo vit këtë shërbim, FALAS, nëpërmjet matjes së 44 parametrave shëndetësorë dhe 5 testeve vlerësuese.

Të gjitha janë ekzaminime laboratorike të çertifikuara, me cilësi dhe siguri të lartë, në përputhje me normat evropiane ISO.

Janë investuar nga partneriteti 944 milion lekë, që nga investimet në pajisje Laboratorike, pajisje mjekësore, programe softëare, automjete, e deri tek hapja e 380 kabineteve të kontrollit mjekësor bazë, në çdo qendër shëndetësore.Kemi siguruar madje, edhe kabinetet e lëvizshme për zonat e thella të vendit.

Gjatë vizitave në qendrat shëndetësore, në veri e në jug, kam parë nga afër kabinetet e kontrollit mjekësor bazë, të cilat kanë të njëjtin standart, dhe ofrojnë të njëjtin shërbim të garantuar për çdo qytetar.

Është një investim serioz, i besueshëm, dhe me standarte, i i cili prej tre vitesh po mbështet fuqimisht sistemin tonë shëndetësor në forcimin kujdesin parësor, duke vlerësuar riskun e shëndetit, për sëmundjet jo të transmetueshme.

Prej muajit qershor 2015, deri në dhjetor 2017:

janë kryer 891,047 kontrolle.

E përsëris: 891, 047 qytetarë kanë kryer 1 ose 2 herë, kontroll mjekësor pa pagesë.

Gjatë muajve të fundit, vihet re një interesim i shtuar për të kryer Kontrollin Mjekësor Bazë, me një rritje prej 24 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Çfarë do të thotë kjo?

Kjo do të thotë që jo vetëm ka një rritje të vetëdijësimit mes qytetarëve, por mbi të gjitha ka një rritje të besimit të tyre tek programi i kontrollit parandalues.

Pavarësisht kritikave, sulmeve, baltës që është hedhur ndaj këtij programi, me akuza shpesh në kufijtë e irracionales.

Ka gjithashtu një angazhim serioz nga ana e stafeve të qëndrave shëndetësore, në ofrimin e këtij shërbimi. Për këtë arsye dhe jo vetëm, ne po mendojmë, se ka ardhur momenti të vlerësojmë dhe një skemë stimulimi për stafet e qëndrave shëndetësore.

Për ne është e rëndësishme dhe domethënëse, që ka një rritje të numrit të përftuesve.

Sot, pjesëmarrja në programin e Kontrollit mjekësor bazë është mesatarisht 68%.

A jemi atje ku duhet? Jo, nuk jemi! ne të parët, mendojmë që ka ende shumë për të bërë.

Sepse ne i qëndrojmë objektivit për arritjen e targetit bazë, prej 475 mijë kontrollesh mjekësore çdo vit.

Të nderuar qytetarë,

Në morinë e akuzave me të cilat është shigjetuar ky program, spikat sidomos njëra: na thonë se doni të shtoni numrin e kontrolleve, për të shtuar pagesën e konçesionarit.

NUK ESHTE E VERTETE!

NUK ESHTE E VERTETE!

Unë i siguroj qytetarët, se të gjitha kontrollet e pakryera, të cilat nuk janë realizuar deri më sot, do të mund të kryhen në vitet në vazhdim pa asnjë kosto shtesë!

Për herë të parë, sikurse e përmenda, ky investim na mundëson një bazë të dhënash të rëndësishme:

Pikë së pari për parandalimin e sëmundjeve kronike; dhe së dyti, për hartimin e politikave shëndetësore, të bazuara në evidenca shkencore.

Çfarë na thonë ne shifrat e përftuara deri sot?

Nga rezultatet e analizave të kryera rezulton se: 334 mijë qytetarë në të gjithë Shqipërinë, ndër ata që e kanë kryer kontrollin mjekësor bazë, kanë predispozitë për hipertension dhe diabet.

Prej tyre, janë evidentuar 168 mijë raste të reja me hipertension arterial; 133 mijë raste të reja pre-diabetikë; 43 mijë raste të reja me diabet; 75% e personave që kanë rezultuar me parametra të lartë, janë të moshës 35-60 vjeç.

Në rang kombëtar 6.73 % e qytetarëve që kanë kryer Kontrollin Mjekësor Bazë rezultojnë me vlera të larta të enzimave të mëlçisë.

Gjatë këtyre tre viteve të ekzistencës, Kontrolli Mjekësor bazë, nëpërmjet ekzaminimeve specifike, ka mundësuar zbulimin e shumë rasteve të dyshuara për hemopati (sëmundje malinje të gjakut).

Edhe pse përqindja e tyre si grup patologjish nuk është e lartë, zbulimi në kohë për individin, pra në stadet e hershme të sëmundjes, pa dhënë shenja klinike, është shumë, shumë i dobishëm, si për saktësinë e diagnostikimit, ashtu dhe për cilësinë e jetës dhe jetëgjatësinë e qytetarëve.

Po ju jap dy shembuj konkretë, ku na referojnë probleme të ndjekjes së trajtimit të sëmurëve kronike:

46% e rasteve të evidentuara me hipertension arterial, që trajtohen për këto sëmundje nuk marrin ndjekjen e duhur. 51% e rasteve të evidentuara si diabetikë, që e dinin që vuanin nga kjo sëmundje, rezultojnë që nuk marrin kujdesin e duhur.

Pra përmes këtij programi kombëtar, mjekët specialistë dhe shërbimet universitare kanë mundësi të përmirësojnë ndjekjen dhe trajtimin e pacientëve.

Tashmë kemi evidenca të mjaftueshme për sëmundjet jo të transmetueshme (që përbëjnë 89% të shkaqeve të vdekjeve në Shqipëri), për profilin epidemiologjik të popullatës adulte.  Janë informacione që deri në 2014-ën, me keqardhje e them, mungonin totalisht.

Këto të dhëna, si dhe shumë të tjera sot shfrytëzohen nga Instituti i Shëndetit Publik dhe nga shërbimet universitare, si bazë edhe për studime shkencore.

Me këtë program, ne i kemi dhënë mjekut të familjes një mjet të domosdoshëm për punën e  tij, për vlerësimin dhe komunikimin e riskut shëndetësor të qytetarëve që ndjek dhe trajton.

Vënia e theksit në parandalim jo vetëm kursen jetë njerëzish, jo vetëm shmang komplikacionet por edhe redukton ndjeshëm kostot e familjeve dhe ato të shtetit dhe kjo është logjikë e thjeshtë, për ata që duan të kuptojnë.

Të nderuar kolegë,

Janë të shumta sistemet shëndetësore në botë që e nxisin kontrollin mjekësor bazë. Shumë prej tyre e kanë përfshirë si një element të detyrueshëm për individët në marrëdhënie pune, për të përmirësuar shëndetin e popullatës.

Si në rastin e Austrisë, ku qytetarëve u ofrohet kontroll mjekësor bazë çdo vit, por në të njëjtën kohë është dhe i përcaktuar me ligj detyrimi për t’ju nënshtruar këtij kontrolli, për çdo qytetar që është në marrëdhënie pune.

Po kështu, e njëjta praktikë e ofrimit të shërbimit shëndetësor bazë falas, ndiqet edhe në vende si Gjermania, Hollanda dhe Franca.

Po kështu, institucione të rëndësishme ndërkombëtare, si BE apo Këshilli i Europës, e kanë të përcaktuar detyrimin e Punonjësve, për t’iu nënshtruar çdo vit kontrolleve mjekësore bazë.

Sigurisht që për kulturën e kujdesit parandalues, ne jemi ende larg shembujve që përmenda.

Ndaj kemi vendosur ta forcojmë atë, duke filluar nga punonjësit e administratës, të cilët do t’i nxisim ta shfrytëzojnë këtë mundësi, në funksion të kujdesit për shëndetin e tyre, dhe parandalimit të sëmundjeve.

Ka shumë studime që vlerësojnë dobinë e padiskutueshme të kontrollit bazë, kjo dhe në raport me performancën në punë, apo edhe reduktimin e kostove që burojnë nga mungesat në punë për shkak të raporteve të paaftësisë së përkohshme apo raporteve të zgjatura.

Më lejoni që, të sjell në ëmendjen tuaj, disa konkluzione të institucionit më të lartë shkencor në Britaninë e Madhe, Institutit Kombëtar të Ekselencës Klinike, për kontrollin mjekësor bazë në punë me benefite:

  • Redukton me 30% riskun për vdekje të parakohshme në nivel popullate;
  • Siguron performancë më të mirë në punë të punonjësit;
  • Shëndet mendor dhe fizik më i mirë në punë;
  • Redukton i mungesave në punë për shkak të sëmundjeve dhe sjell produktivitet më të lartë insitucioneve.

Të nderuar kolegë,

Bazuar edhe në praktikat më të mira ndërkombëtare, ku shembujt që ju përmenda janë vetëm një pjesë e tyre, pasi ka dhe të tjerë që për arsye kohe nuk po i përmend, ne do të promovojmë sa të mundemi, zbatimin e programit të kontrollit mjekësor bazë për të gjithë qytetarët, nga 35 deri 70 vjeç.

Eshtë detyrë e çdo qeverie kujdesi për familjet në nevojë, për të moshuarit, për të papunët, për gratë, për këdo, kudo qoftë në Shqipëri.

Ne do të vazhdojmë të vetëdijësojmë dhe nxisim qytetarët, që të kryejnë në mënyrë periodike kontrollin mjekësor bazë, pa pagesë. Do të punojmë me administratën publike, me punëdhënësit, me shërbimet sociale, me shërbimet shëndetësore, në mënyrë që të shtrijmë në maksimum mbulesën e këtij programi.

Boll baltë është hedhur për ta njollosur atë. Por nihilizmit që shumëzon me zero çdo nismë që i shërben përmirësimit të shëndetit të qytetarëve, ne i përgjigjemi me ata qindra-mijëra përftues, të cilët kanë sfiduar propagandën e rrenave dhe baltës, dhe kanë besuar tek ky program i Qeverisë.

Dhe të gjithë atyre, qoftë mes jush në sallë, qoftë jashtë kësaj salle;

Qoftë atyre që kanë zgjedhur ta godasin për arsye vetëm politike, qoftë atyre që kanë dyshime, për shkak se ua vënë veshin të parëve;

Po ju bëj një ftesë të hapur: vendosni gishtin mbi hartë, në cilëndo pikë të territorit ku ofrohet shërbimi i kontrollit shëndetësor bazë.

Ejani të shkojmë bashkë, të shihni me sytë tuaj.

Ejani dhe pyesni qytetarët që, gjithnjë e më të shumtë në numër, po shkojnë ta marrin shërbimin.

Ejani dhe pyesni profesionistët që e ofrojnë atë;

Ejani të shihni kushtet dhe standartet e larta, në të cilat ofrohet.

Mund të zgjidhni, edhe pas kësaj, Që thjeshtë të mbyllni sytë dhe të vazhdoni ta shfrytëzoni për qëllime politike.

Eshtë e padrejtë, por është zgjedhja juaj.

Për sa na takon, ne do të vazhdojmë të punojmë pa pushim drejt objektivit, për të cilin ky program u krijua që në krye të herës: qytetarë më të shëndetshëm falë kujdesit në parandalimin e sëmundjeve kronike; të dhëna të sakta dhe të përditsuara mbi sëmundshmërinë e popullsisë; politika të targetuara dhe efikase në parandalimin e sëmundjeve.

Për qytetarë më të shëndetshëm, dhe për një shoqëri më të shëndetshme.

 

Ju faleminderit