Beqaj Takohet me Drejtues të Sipërmarrjes Italiane
Ministri i Shëndetësisë: “T’i japim vlerë bashkëpunimit dhe sinergjisë ndërmjet Italisë dhe Shqipërisë”
Romë, 16/12/2013 – Në kuadrin e një vizite pune në Itali me ftesë të Rajonit të Umbrias dhe Universitetit Shtetëror të Peruxhias, Ministri i Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj, u takua dje në Romë (16/12/2013) me një grup përfaqësuesish të Confimi Impresa-s, Konfederatës Italiane të Sipërmarrjeve Industriale të Vogla dhe të Mesme, të kryesuar nga Zv/Presidenti Kombëtar i kësaj organizate, z. Gabriele Chiocci.
Në takimin e zhvilluar në selinë qëndrore të Konfederatës Confimi Impresa, Ministri Beqaj i njohu bashkëbiseduesit italianë me prioritetet dhe punën e bërë deri tani nga ministria e shëndetësisë, duke vënë theksin tek katër shtyllat kryesore, ku mbështetet edhe puna e institucionit që ai drejton. Këto prioritete lidhen me masat dhe projektet e ndërmarra për përmirësimin e shëndetit parësor, në funksion të të cilave është edhe nisma e kontrollit bazë falas për grupmoshën 40-60 vjeç, i cili pritet të nisë vitin e ardhshëm; projektin e ngritjes dhe funksionimit të shërbimit kombëtar të urgjencës; mirëfunksionimin e tregut farmaceutik të barnave; si dhe nismat dhe projektet e ndërmarra në funksion të optimizimit të shërbimit spitalor në vend.
Duke shprehur kënaqësinë për vizitën e z. Beqaj në selinë qëndrore të Confimi-t, z. Chiochi u shpreh se ky takim ka për qëllim t’i japë vlerë bashkëpunimit dhe sinergjisë ndërmjet Italisë dhe Shqipërisë. “Sistemi i sipërmarrjeve të vogla dhe të mesme italiane që operojnë në sektorin e manifakturës janë të gatshëm të marrin në konsideratë dhe të verifikojnë ndërhyrjet me projektet e modernizimit dhe zhvillimit, në sektorët që vlerësohen si strategjikë nga Qeveria Shqiptare, qofshin ato të sektorit të shëndetësisë, asaj agroushqimore, tekstile apo edhe infrastrukturore,” vazhdoi më tej z. Chiochi.
Takimi i sotshëm, do të pasohet nga një vizitë e delegacionit italian në Shqipëri, u shpreh më tej z. Chiocci, ishte shumë i frytshëm për aktivizimin e një rrugëtimi që duhet të jetë strategjik në raportin ndërmjet Qeverisë Shqiptare dhe sistemit sipërmarrës italian.
—###—
© Ministria e Shëndetësisë 2025 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.