Ministri Beqaj në Ditën Botërore të Infermierisë: “Infermierët janë zemra e kujdesit shëndetësor!”
Tiranë, 12/05/2014 – Në Ditën Botërore të Infermierisë, e cila festohet çdo vit më 12 Maj, Ministri i Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj, mori pjesë në një aktivitet të organizuar nga drejtoria e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, ku u vlerësuan me çmime për punën dhe performancën e tyre në ofrimin e kujdesit shëndetësor për pacientët një grup punonjësish të kujdesit infermieror pranë kësaj qendre. Gjithashtu, nën kujdesin e Drejtores së QSUT-së, znj. Ogerta Manastirliu, në takim u prezantuan edhe uniformat e reja të punonjësve të kujdesit shëndetësor të kryeqendrës universitare spitalore në vend, të cilat u mundësuan me mbështetjen bujare të Raiffeisen Bank.
“Ky grup i rëndësishëm i profesionistëve të shëndetësisë luan një rol jetësor për funksionimin e sistemit tonë shëndetësor,” – tha midis të tjerash në takim Ministri Beqaj, duke theksuar se “ata janë punonjësit e shëndetit që janë në kontakt të drejtëpërdrejtë më të zgjatur e më të shpeshtë me të sëmurët dhe me një marrëdhënie njerëzore më të afërt e më modeste ndaj tyre se sa mjekët, duke ofruar siguri për pacientin.”
Duke vlerësuar rolin e çmuar të infermierëve, z. Beqaj tha më tej se “si një grupim i rëndësishëm i profesionistëve të kujdesit shëndetësor, ju siguroj për mbështetjen e vazhdueshme të Qeverisë dhe të institucionit që unë drejtoj, duke ju garantuar se ne jemi vendosmërisht në krahun e mjekëve, infermierëve dhe profesionistëve të shëndetit. Respektojmë përkushtimin me të cilin, ju kujdeseni për shëndetin e bashkëqytetarëve tuaj.”
Në vijim, fjala e plotë e Ministrit Beqaj në takim.
—###—
Të nderuar punonjës të kujdesit infermieror,
E prita me shumë kënaqësi lajmin për organizimin e këtij aktiviteti të rëndësishëm në Ditën Ndërkombëtare të Infermierisë, me bindjen se nisma të tilla ofrojnë mundësi reale për afirmimin dhe zhvillimin e mëtejshëm të rolit të punonjësve të shërbimit infermieror në QSUT, duke krijuar kushtet e nevojshme për të shërbyer me cilësi.
Ky grup i rëndësishëm i profesionistëve të shëndetësisë luan një rol jetësor për funksionimin e sistemit tonë shëndetësor. Ata janë punonjësit e shëndetit që janë në kontakt të drejtëpërdrejtë më të zgjatur e më të shpeshtë me të sëmurët dhe me një marrëdhënie njerëzore më të afërt e më modeste ndaj tyre se sa mjekët, duke ofruar siguri për pacientin.
Punonjësit e kujdesit infermieror përbëjnë 75% të punonjësve të shëndetësisë, ndërkohë që numri i përgjithshëm i infermierëve në vend është rreth 14,300.
Duke vlerësuar rolin e çmuar të infermierëve, si një grupim i rëndësishëm i profesionistëve të kujdesit shëndetësor, ju siguroj për mbështetjen e vazhdueshme të Qeverisë dhe të institucionit që unë drejtoj, duke ju garantuar se ne jemi vendosmërisht në krahun e mjekëve, infermierëve dhe profesionistëve të shëndetit. Respektojmë përkushtimin me të cilin, ju kujdeseni për shëndetin e bashkëqytetarëve tuaj.
Qeveria e ka në vëmendje edhe punën tuaj, për të përmirësuar jo vetëm mjedisin dhe kushtet ku ju punoni, por për të krijuar edhe mundësitë për një jetë më të mirë. Kështu, më lejoni të sjell në vëmendjen tuaj përfitimet nga vendosja e taksës së ndershme me paketën e re fiskale. Keni përfituar mesatarisht një rrogë mujore neto më shumë në vit.
Infermieristika është mision, profesion dhe shkencë, ashtu siç do të na e qartësonte me idetë, vizionin, shembullin dhe veprën e saj të shkëlqyer, britaninkja Florence Nightingale-i që në vitin 1854. Në krye të një grupi infermieresh të trajnuar po prej saj, ajo ndryshoi rrënjësisht mënyrën se si ofrohej kujdesi mjekësor ndaj të plagosurve dhe të lënduarve, duke propozuar dhe zbatuar një grup tërësisht të ri masash higjenosanitare, izolimit të të sëmurëve të infektuar dhe zbatimit të asepsisë. Ky ishte ndër shembujt e parë se si mund të përmirësohej performanca dhe cilësia e kujdesit infermieror, jo nëpërmjet zbatimit të teknologjisë së lartë, dhe as me barna të reja apo ndërhyrje të ndërlikuara mjekësore, por kryesisht nëpërmjet një mënyre më të mirë dhe më efikase menaxhimi e monitorimi, si dhe ndjekjes nga afër të sëmurëve. Vëzhgimi i çdo të sëmuri edhe gjatë orëve të natës me llambë në dorë bëri që ajo të quhej prej tyre “Ledi me llambë”.
Prandaj, jemi angazhuar për vendosjen e një bashkëbisedimi të përhershëm me të gjithë ju, për të trajtuar të gjitha çështjet që lidhen me formimin e këtij grupi të rëndësishëm të punonjësve të shëndetit, edukimin e mëtejshëm dhe autonominë profesionale, përfshirjen në qeverisjen dhe mbarëvajtjen klinike, pa lënë mënjanë nevojën për të plotësuar boshllëqet e krijuara në vite në trupën e punonjësve të vendit.
Për këtë arsye, do të dëshiroja të përgëzoj nismëtarët dhe realizuesit e kësaj nisme, Drejtorinë e QSUT-së dhe znj. Manastirliu, për vlerësimin e punës dhe përkushtimit tuaj, e cila është një hap i mëtejshëm në drejtimin e duhur, duke shënuar progres për realizimin e këtij objektivi.
Gjithashtu, siç besoj se jeni në dijeni, reformimi i sistemit të kujdesit shëndetësor është një nga shtyllat ku mbështetet programi ynë qeverisës, ku reformimi i urdhërave të profesionistëve të shëndetësisë, dhe veçanërisht, shërbimi infermieror, përbëjnë një hallkë të rëndësishme inovative dhe me një ndikim të madh jo vetëm për cilësinë por edhe koston e këtij kujdesi.
Ne besojmë se ngritja në nivel universitar e formimit bazë të profesionistëve të kujdesit, si dhe studimet e nivelit master në këto profesione, do të ndihmojnë për të rritur nivelin këtyre kujdesjeve në një stad më të lartë, drejt përvojave më të mira të vendeve të përparuara, drejt rezultateve të kërkimeve shkencore në këto profesione dhe drejt standarteve ndërkombëtare të pranuara botërisht.
Me këtë rast, dëshiroj t’ju përshëndesh, duke ju uruar suksese të mëtejshme në profesionet tuaja të rëndësishme, dhe gjithashtu, uroj që grupi juaj i punonjësve të shëndetit të kontribuojë më tej në përmirësimin e cilësisë dhe rritjen e nivelit të kujdesit shëndetësor në vend.
Ju faleminderit!
—###—
© Ministria e Shëndetësisë 2025 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.