Font Resize
Contrast
.

vije ndarëse

Postuar më: 12/10/2014

Kujdesi për shëndetin paliativ

Korçë, 12/10/2014 – Pacientët e prekur me sëmundje tumorale do të marrin shërbim të kujdesit paliativ të mundësuar nga shteti. Ky kujdes, i cili ka të bëjë me fazën më të rëndë të sëmundjes, me lehtësimin e dhimbjeve të pacientit në ambientet e shtëpisë pasi janë kryer ndërhyrjet apo kurat mjekësore në spital, është ofruar deri më tani vetëm nëpërmjet qendrave jopublike apo shoqatave të ndryshme dhe shumë pak në spitale publike.

Këtë të dielë (12/10/2014) që përkon në muajin e ndërgjegjësimit për luftën kundër kancerit të gjirit, Ministri i Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj ka vizituar qendrën jopublike të kujdesit paliativ dhe atij të kujdesit shëndetësor familjar “Meri Poter” (anglisht, Mary Potter) në Korçë, e cila ofron këtë shërbim, nga ku ka deklaruar vëmendje të veçantë nga Ministria e Shëndetësisë për kujdesin paliativ.

“Brenda javës së ardhshme, në Kuvend do të miratohet edhe ligji për kujdesin paliativ. Në ligj është krijuar hapësira që ky shërbim të mund të ofrohet edhe në bashkëpunim me institucione jopublike”, u shpreh Ministri Beqaj për mediat e pranishme në këtë takim.

Në kuadër të muajit të ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit, për të gjitha gratë dhe nënat mbi 50 vjeç në çdo spital publik dhe qendra shëndetësore ofrohen mamografi falas, bazuar në urdhrin nr. 407, dt. 24/09/2014 të Ministrit Beqaj, për organizimin e fushatave të informimit, ndërgjegjësimit dhe depistimit të kancerit të gjirit në të gjitha qarqet e vendit gjatë periudhës 1 – 31 tetor 2014, i përcaktuar si muaji i ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit.

—###—