.

vije ndarëse

Postuar më: 20/09/2018

Manastirliu ngre “Task Forcë” për kontrollin e barnave

Fjalimi i ministres Manastirliu

Me një grup kontrolli të përbashkët të disa institucioneve, ku për herë të parë përfshihen dhe anëtarë nga Urdhëri i Farmacistëve të Shqipërisë, do të kontrollohet çdo farmaci, për kushtet e ruajtjes së barnave, lëshimin e barnave pa recetë, kontrollin për pullën e sigurisë, kushtet higjieno-sanitare të farmacive.

Tiranë, 20 Shtator – Në funksion të rritjes se sigurisë dhe cilësisë së barnave, tregëtimit të tyre, kushteve të ruajtjes, ruajtjen e shëndetit të qytetarëve me një urdhër të posaçëm, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka ngritur Task-forcë ndër-institucionale për sigurinë dhe cilësinë e kushteve të tregtimit të barnave në rrjetin e farmacive.

Grupi i punës,  i cili ka në përbërje specialistë të Agjencisë Kombëtare të Kontrollit të Barnave, Inspektoriatit Shtetëror Shëndetësor, Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Urdhërit të Farmacistëve të Shqipërisë do të ushtrojë kontrolle të imtësishme në çdo subject farmaceutik, që ushtron aktivitetin në Republikën e Shqipërisë, më synim garantimin e sigurisë së tregtimit të barnave për qytetarët.

Ngritja e kësaj Task-Force ka për synim kontrollin në çdo farmaci të plotësimit të kushteve të ruajtjes dhe monitorimit të barnave, të kushteve higjieno-sanitare, kontrollin e barnave mbi pullën e sigurisë, kontrollin për tregtimin e barnave pa recetën e mjekut, etj.

Në ditët e para të funksionimit të kësaj Task-Force ndër-institucionale, janë kontrolluar 21 subjekte farmaceutike dhe janë konstatuar shkelje ne 12 subjekte farmaceutike.

Ndaj këtyre farmacive janë marrë masa administrative për mosrespektim të kushteve të ruajtjes së barnave, për tregtim të barnave pa pullën e sigurisë dhe tregtimit të barnave pa recetën e mjekut dhe gjoba në vlerën 1.5 milion lekë.

MShMS nuk do të tolerojë asnjë subjekt farmaceutik duke intensifikuar masat deri në pezullim të aktiviteteve dhe referim në organet kompetente duke garantuar më shumë siguri dhe cilësi për medikamentet që trajtohen qytetarët.