Ndërtojmë marrëdhënie njerëzore pacient-profesionistë shëndetësie
Fjala e Ministrit të Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj, në aktivitetin e organizuar me rastin e 12 Majit – Ditës Ndërkombëtare të Infermierit, nga Urdhri i Infermierit të Shqipërisë: “Infermieria Shqiptare Drejt Standardeve Europiane: Arritje dhe Sfida”
Tiranë, 12/05/2015
—###—
Mirëdita, mirësejugjetëm, dhe Gëzuar Festën!
Së pari, dua të falenderoj ata që përgatitën dokumentarin,
Nëse do të flasim për përgatitjen, sigurisht që është në radhë të parë mision i secilit që merr përsipër të ushtrojë një profesion të caktuar, por padyshim, që ne nuk mund t’ja lëmë barrën e përgatitjes vetëm individit.
Na duhet ta mbështesim në rradhë të parë me një sistem arsimor të përshtatshëm, i cili evolon, zhvillohet në të gjitha nivelet e tij. Tashmë, edhe në Infermieristikë ne kemi një nivel universitar të formimit të këtij profesioni, por padyshim na duhet të vazhdojmë edhe me edukimin gjatë gjithë ushtrimit të profesionit, sepse shumë prej jush që kanë vite në këtë profesion, i kanë parë se si kanë evoluar teknikat e ndryshme, pajisjet që përdoren, e për pasojë, është e domosdoshmë që të përditësojnë dijet dhe njohuritë e tyre.
Këtu, padyshim duhet edhe mbështetja e shtetit. Sigurisht, që përmbajtja e formimit është në dorë të profesionistëve, por unë jam i vetëdijshëm që asnjë infermier nuk mundet dhe nuk duhet të jetë i vetëm që me të ardhurat mujore të mendojë edhe për formimin e vet profesional. Nuk ja del dot, dhe besoj se nuk ja del dot jo vetëm në Shqipëri, por edhe në vende të tjera.
Sigurisht, që në këto 20 muaj, edhe nëse do të flisnim në mënyrë simbolike për të ardhurat mujore të infermierëve, unë do të vecoja vetëm zbatimin e taksës së ndershme nga e cila të paktën 13.400 infermierë që janë në sistemin publik, vetëm në vitin 2014 kanë paguar të gjithë së bashku 4 milion dollarë taksa më pak, apo po t’i mbedhësh, ajo kthehet në një pagë neto të 13-të për infermierët.
Megjithatë, unë besoj se ajo që kemi bërë ne më shumë sesa kjo e ardhur që ju e çoni në familje, është përmirësimi i ndjeshëm i furnizimit të spitaleve tona me barna dhe materiale mjekësore, që ua bën juve jo vetëm punën më të lehtë, por edhe komunikimin njerëzor më të lehtë me pacientët. Apo, siç ishte në fund të dhjetorit për një periudhë 4-mujore, furnizimi i Qendrave Shëndetësore që izolohen gjatë dimrit. Apo, siç realisht kemi bërë duke filluar nga fundi i vitit të kaluar, me infermierët e Parësorit, duke i përfshirë e duke i bërë pjesë të përditshme të zbatimit të Programit Kombëtar të Kontrollit Mjekësor Bazë (pa pagesë 40-65 vjeç), që kanë filluar të bëjnë punë të mirëfilltë infermieristike, qoftë me marrjen e gjakut, apo qoftë me bërjen e një EKG-je dhe duke i shkëputur nga puna e hershme administrative.
Herën e parafundit, në fakt, që unë kam qenë me Sabriun (z. Sabri Skënderi, president i Urdhrit të Infermierëve), kemi qenë palë të ndryshme, ishim në gjyq dhe fakti që jemi këtu sot nuk do të thotë që kemi hequr plotësisht dorë nga qëndrimet që kishim, por jemi për një gjë të vetëdijshëm që na duhet të gjejmë gjuhën e përbashkët që, meqënëse kemi të njëjtin mision, pavarësisht nga pozicionet e ndryshme, për të rritur cilësinë e shërbimit edhe në Infermieristikë.
Të paktën, për momentin nuk e ka më kush kasavetin nëse proçesi i testimit është apo nuk është i ligjshëm. Këtë e kemi hequr mënjanë. Tani, është mirë që të bëjmë një proçes sa më të shëndetshëm, me qëllimin kryesor që t’i shërbejë të ardhmes dhe rritjes së cilësisë. Nuk ngurroj ta përsëris: Hiqini nga mendja dy meraqe – Nuk do të preket vendi i punës; nuk ju preket paga mujore.
Unë fola edhe për përkushtimin. Na duhet që bashkërisht të jemi pak më aktivë në komunikimin me publikun në nivelin e madh. Dua ta ilustroj me diçka që ka ndodhur kohët e fundit.
Për një pjesë të mirë prej jush, ndoshta nga jehona e madhe që pati në media, ju kujtohet një ngjarje që ndodhi me një autoambulancë në qytetin e Korçës më datë 29 prill. Një mjek dhe një infermier që atë ditë ishin në shërbim me atë autoambulancë, sipas perceptimit të përgjithshëm publik, janë sjellë në mënyrë jo të rregullt. Madje, edhe për arsye politike, nga eksponentë të Opozitës së sotme, është akuzuar Qeveria, ministri, Ministria për rrënim të sistemit të kujdesit shëndetësor.
Pas rreth 10 ditësh, Urdhri i Mjekut dhe Urdhri i Infermierit në rrethin e Korçës, kanë marrë vendimet që unë i kam këtu, ku qoftë mjeku, apo qoftë infermieri, nuk kanë gabuar. Sigurisht, vendimet i merrni ju, brenda Urdhrave tuaj që përgjithësisht janë të pavarur, ku unë nuk mund të ndërhyj, se as ligji nuk ma lejon dhe nuk kam pse.
Por, nëse Urdhri i Mjekut në Korçë ka gjykuar me qetësi dhe paanësi që mjeku dhe infermieri kanë qenë korrektë, kemi një tjetër perceptim në opinionin publik, dhe unë besoj se bashkërisht, secili sipas pozicionit të vet, na duhet të komunikojmë me publikun, edhe në mënyrë globale, jo vetëm me atë shërbimin shumë të mirë që ju ofroni përditë, për ta ngushtuar këtë hendek, sepse përtej vështirësive apo mangësive objektive që ne kemi, na krijohet edhe kjo ngarkesë subjektive.
Nuk kam vetëm hallin ngaqë krijohet një ngarkesë negative për shëndetësinë dhe më ka rënë barra të ma kalojnë mua si ministër, po besoj se kjo prish marrëdhënien njerëzore pacient-profesionistë shëndetësie, e cila besoj se juve ju vlen më shumë se sa më vlen mua. Unë kam mandatin, i cili mbaron një ditë ndërsa ju keni lidhur të gjithë profesionin, jetën tuaj më këtë gjë. Prandaj besoj se bashkërisht, duhet të bëjmë përpjekje, secili sipas pozicionit të vet, që asnjëherë nuk do të përputhem, që ta ngushtojmë këtë hendek midis asaj çfarë ju bëni dhe asaj që perceptohet te publiku!
—###—
© Ministria e Shëndetësisë 2025 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.