Ministria e Shëndetësisë

220 jetë të shpëtuara nga 1 nëntori 2015, falë funksionimit të urgjencës kardiake 24/7

– Ministri Beqaj inspekton shërbimin e urgjencës së zemrës në QSUT: Ky është një nga projektet më të rëndësishëm jetëshpëtuese

– Çdo natë ky shërbim trajton mesatarisht 3, deri në 6 raste urgjencash kardiake në ditët me shumë fluks

– Funksionimi pa ndërprerje i Shërbimit të Hemodinamikës, një premtim i mbajtur i qeverisë për garantimin e një shërbimi më të mirë shëndetësor për qytetarët, turistët por edhe investitorët e huaj

Tiranë, 15/04/2016 – 220 jetë njerëzish janë mundur të shpëtohen nga 1 nëntori i vitit 2015 e deri më tani, falë funksionimit për herë të parë 24 orë në 7 ditë të urgjencës kardiologjie. Të gjithë pacientët të cilët janë paraqitur me probleme të infarktit të miokardit i janë nënshtruar kryerjes së koronarografisë, dhe më pas ndërhyrjeve specifike të specializuara.

Të dhënat janë bërë publike nga mjekët e Shërbimit të Hemodinamikës gjatë një inspektimi që Ministri i Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj, ka kryer dje (14/04/2016) në këtë shërbim gjatë orëve të natës. Prof. Dr. Artan Goda thekson se 217 pacientët e paraqitur në urgjencë, rezultojnë të jenë jetë të shpëtuara falë ndërhyrjes dhe ekzaminimeve që iu janë kryer pacientëve. “Këto në fakt janë jetë të shpëtuara sepse flasim gjithmonë për fazën akute të ardhjes së urgjencës për personat me infarkt të miokardit. Brenda orëve të para të zhvillimit të kësaj sëmundjeje që të gjithë e njohim se sa e rrezikshme është dhe sa jetë merr,” ka theksuar shefi i Shërbimit të Hemodinamikës, z. Goda.

Nga ana tjetër, mjekët hemodinamistë tregojnë se çdo natë përballen me 2 apo 3 raste të urgjencave, dhe në ditë me shumë fluks deri në 5 apo 6 pacientë. “Rezulton se kemi 2-3 urgjenca në natë, por ka ndodhur edhe kur kemi një fluks prej 5-6 pacientësh. Të gjitha rastet vijnë pas vlerësimit dhe përcaktimit që i është bërë nga mjekët e reanimacionit duke plotësuar edhe ekzaminimet e tjera shtesë si ECHO, EKG apo analiza të përgjithshme,” është shprehur Dr. Ndriçim Kallashi, mjek intervencionist kardiolog.

Shërbimi i Urgjencës Kardiologjike me kohë të plotë 24/7 edhe gjatë fundjavës ka filluar të funksionojë për herë të parë që prej 1 nëntorit 2015, duke iu përgjigjur të gjitha rasteve urgjente të cilat paraqiten me probleme në zemër, duke bërë të mundur edhe kursimin e parave në xhepat e shqiptarëve, të cilët më herët i drejtoheshin spitaleve private. Ministri Beqaj e ka quajtur hapjen e këtij shërbimi, si një nga projektet më të rëndësishëm jetëshpëtuese, duke patur parasysh këtu edhe numrin e lartë të personave të cilët kanë probleme kardiake, ndërkohë që të gjithë pacientët e përfitojnë falas këtë ekzaminim.

“Ky shërbim funksionon edhe gjatë orëve të natës si dhe në ditët e fundjavës, të shtunë dhe të diel përgjatë 24 orëve. Për shembull, me sa jam informuar nga shërbimi natën e ndërrimit të viteve ka patur 7 raste. Imagjinoni 7 raste që në vend të ktheheshin në fatkeqësi për familjet janë kuruar këtu dhe padyshim falas. Sigurisht që rritja e këtij shërbimi falas na ka bërë që ne të arrijmë të mbulojmë sot rreth 70% të rasteve që ndodhin në vend me këtë lloj ndërhyrjeje, të kryera në QSUT, të kryera në spitalin “Shefqet Ndroqi” apo të financuar me paratë publike edhe në 5 spitale private me të cilët jemi të kontraktuar,” ka nënvizuar Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj.

Sipas kreut të shëndetësisë, funksionimi pa ndërprerje i Shërbimit të Hemodinamikës është një premtim i mbajtur i qeverisë duke garantuar një shërbim më të mirë shëndetësor për qytetarët, turistët por edhe investitorët e huaj. “Kryerja e koronarografisë në çdo moment rrit besimin e qytetarëve tek shërbimi shëndetësor, por unë besoj se është një element i ri i rëndësishëm edhe në kushtet e hapjes së vendit ndaj më shumë vizitorëve të huaj përgjatë sezonit turistik, por edhe ndaj investitorëve të huaj që padyshim mund të kenë sigurime të ndryshme shëndetësore, por  emergjencën e parë, të famshmen orët e para të domosdoshme në rast urgjence duhet ti kalojnë patjetër aty ku ndodhen” ka pohuar Beqaj, ndërsa ka theksuar se – “Kjo urgjencë është në vazhdim të angazhimeve të programit të Qeverisë për të patur mbështetje për sëmundjet kardiovaskulare, për barrën e madhe që ato kanë në sëmundshmërinë shqiptare dhe sigurisht unë besoj se në muajt e ardhshëm do të kemi edhe elementë të tjerë të rëndësishëm në funksion të konsolidimit të urgjencave për rastet e ndryshme të traumave në Shqipëri”.

Për Drejtoren e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” Ogerta Manastirliu, hapja e Urgjencës Kardiake ka qenë falë këmbënguljes së mjekëve të Shërbimit të Hemodinamikës si dhe mbështetjes së Ministrisë së Shëndetësisë. Sipas saj, me investimet e bëra është ezauruar një problematike e mbartur prej kohësh. “Urgjenca kardiake është bërë e mundur prej nëntorit dhe do të vazhdojë edhe më tej, në sajë të këmbënguljes së profesionistëve, të shërbimit të kardiologjisë, por padyshim falë mbështetjes së Ministrisë së Shëndetësisë dhe të gjithë strukturës që është krijuar për të lehtësuar këtë problematikë e cila ishte e mbartur prej kohësh.

Bëhet e mundur në sajë të rritjes së kapaciteteve të burimeve njerëzore, pra me hemodinamistë, me infermierë me teknikë imazherie. Bëhet e mundur në sajë të rritjes së buxhetit për blerjen e materialeve mjekësore aq shumë të nevojshme për këtë shërbim, në saj të aparaturave të shtuara për këtë shërbim dhe rregjimit të mirëmbajtjes full-risk, dhe padyshim, bëhet i mundur në saj të vullnetit dhe angazhimit të profesionistëve në këtë shërbim” ka theksuar Manastirliu.

Të dhënat nga Shërbimi i Hemodinamikës tregojnë se deri ditën e djeshme janë realizuar 217 ekzaminime për pacientët e paraqitur si raste urgjente, dhe numrin më të madh të ekzaminimeve e ka Tirana, Durrësi, Vlora, Korça, etj.

—###—{:}