Ministria e Shëndetësisë

800 mijë USD për rikonstruksionin e plotë të Maternitetit të Gjirokastrës

Gjirokastër, 1/6/2015 – 800 mijë dollarë është investimi i Qeverisë shqiptare për rikonstruksionin e plotë të godinës së maternitetit të Gjirokastrës. Sot (1/6/2015), ministri i Shëndetësisë, z Ilir Beqaj, ka përuruar fillimin e punimeve, të cilat do të shtrihen në harkun kohor të dhjetë muajve. Beqaj, i shoqëruar nga deputeti i LSI-së për Gjirokastrën, Dr. Vangjel Tavo, deputeti i PS-së së kësaj zone, z. Anastas Angjeli, në takimin me mjekë, infermierë e punonjës të sistemit të kujdesit shëndetësor, ka zgjedhur 1 qershorin, Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve, për ta ndarë këtë lajm të gëzuar me banorët e qytetit të gurtë.

Duke ofruar kushte e standarde të reja bashkëkohore, të cilat i kanë munguar prej shumë vitesh lënie në harresë këtij materniteti, gratë nuk do t’i largohen më qytetit jugor për të lindur, ashtu siç ka ndodhur rëndom më parë, është shprehur ministri.

Ndërhyrja e fundit restaururese në këtë maternitet është kryer në vitin 1985. Numri i fëmijëve të ardhur në jetë vitet e fundit është ulur ndjeshëm, edhe pse ky maternitet është në shërbim të të gjithë qarkut. Si pasojë e mungesës së kushteve normale, familjet e reja gjirokastrite kanë parapëlqyer t’i lindin fëmijët në shtetin fqinj të Greqisë, apo edhe në kryeqytetin e vendit, Tiranë.

“Unë në fakt, po vazhdoj një punë të nisur nga ish-ministri Vangjel Tavo”, u shpreh z. Beqaj për të pranishmit në takim, duke shtuar se, investimi ishte miratuar për t’u zbatuar që në janar 2013 (shih një kopje të shkresës bashkëlidhur njoftimit), por që në qershor 2013 u anullua në mënyrë absurde nga ministri i atëhershëm, që për më tepër është edhe gjinekolog.

Qeveria shqiptare është e angazhuar me një investim tjetër shtesë prej 300 mijë dollarësh për pajisjen e maternitetit me të gjitha pajisjet, mobilimin dhe sigurimin e aparaturave bashkëkohore, menjëherë pas përfundimit të punimeve, vazhdoi më tej z. Beqaj, duke shpjeguar se materniteti, i cili është planifikuar të funksionojë me 55 shtretër, do të mundësojë që 1 Qershorin e ardhshëm, bebet që do të lindin në këtë qytet, të mund të lindin në kushte krejtësisht të tjera dhe me standarde bashkëkohore të shërbimit shëndetësor.
—###—

 {:}