Ministria e Shëndetësisë

Beqaj: 840 milionë lekë për rikonstruksionin e Qendrës Shëndetësore në Kamëz

Ministri i Shëndetësisë z. Ilir Beqaj inspekon punimet

Qendra Shëndetësore do të jetë gati në muajin maj të vitit të ardhshëm

Kamëz, 20/12/2016 –  Duke nisur nga muaji maj i vitit të ardhshëm, banorët e Bashkisë së Kamzës do të përfitojnë një shërbim dinjitoz të kujdesit shëndetësor pranë Qendrës Shëndetësore. Prej disa muajsh, në këtë Bashki kanë nisur punimet për rikonstruksionin dhe zgjerimin e Qendrës Shëndetësore.

Rreth 640 milionë lekë është fondi për rikonstruksionin e godinës ndërsa 200 milionë lekë të tjera do të shkojnë për pajisjet mjekësore dhe mobilimin, në mënyrë që 77 mjekë dhe infermierë të kësaj Qendreje t’ju ofrojnë pacientëve një shërbim më të mirë të kujdesit shëndetësor.

Ministri i Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj, inspekoi ecurinë e punimeve, teksa theksoi se kjo është një tjetër provë e punës me përkushtim dhe me ritëm të lartë, që në maj të vitit të ardhshëm qytetarët e kësaj njësie të kenë një Qendër Shëndetësore dinjitoze për të plotësuar nevojat e kujdesit shëndetësor Parësor.

Kreu i Shëndetësisë shprehu falënderimet edhe për personelin mjekësor, i cili po bën një punë të sforcuar në një mjedis të përkohshëm deri në përfundimin e punimeve për rikonstruksionin e QSH-së.

“Prej disa muajsh, në Bashkinë e Kamzës ka filluar rikonstruksioni dhe zgjerimi i Qendrës Shëndetësore. Është një njësi ku ka goxha popullsi, për pasojë, ka dhe nevoja për kujdes shëndetësor. Bashkia e Kamzës ka rreth 90 mijë banorë, përveç Qendrës së Specialiteteve në Paskuqan, që ka filluar nga puna gjatë vitit, po punojmë me një investim rreth 640 milionë lekë nga Fondi i Zhvillimit të Rajoneve për të vendosur në kushte normale edhe këtë Qendër Shëndetësore”, u shpreh Beqaj.

Që në fillim të vitit të ardhshëm, tha më tej kreu i shëndetësisë, me buxhetin që u miratua të Enjten, alokohen dhe 200 milionë lektë të tjera për pajisjet mjekësore dhe mobilimin, në mënyrë që me të mbaruar punimet që po ecin me një ritëm të kënaqshëm, të cilat do të jenë gati në muajin maj të vitit të ardhshëm apo 2-3 muaj përpara detyrimit kontratual, ndërkohë që do të instalohen edhe pajisjet, në mënyrë që në maj, të mund të ofrojmë një shërbim shumë më të mirë.

“Janë rreth 840 milionë lekë që po investohen nga Fondi i Zhvillimit të Rajoneve dhe nga Buxheti i Shtetit për të përmirësuar shërbimin shëndetësor në Kamëz. Dua të falenderoj personelin shëndetësor, i cili në këtë periudhë, po bën një punë të sforcuar në një mjedis të përkohshëm dhe, gjithashtu, ti kërkoj ndjesë banorëve të Kamzës, që ndoshta këto muaj mund të jenë bezdisur apo mërzitur pak por kjo është provë që po punojmë me përkushtim dhe me ritëm, që në maj të vitit të ardhshëm këtu të kenë një Qendër Shëndetësore dinjitoze për të plotësuar nevojat e kujdesit shëndetësor parësor që të mos shkojmë në mënyrë të panevojshme në spitalet e Tiranës”, u shpreh Ministri Beqaj.

—###—{:}