Ministria e Shëndetësisë

 

Ministri Beqaj në zonat e përmbytura të Vlorës e Fierit:
“Shërbimi shëndetësor funksionon normalisht. Gjithçka nën mbikqyrje rigoroze”

Tiranë, 05/02/2015 – Ministri i Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj, i shoqëruar nga Zëvendësministri, z. Klodian Rjepaj, dhe punonjës të tjerë të sistemit shëndetësor, inspektuan sot (05/02/2014) qendrat e ofrimit të kujdesit shëndetësor në disa prej zonave më problematike nga përmbytjet e ditëve të fundit në komunat dhe fshatrat e rretheve të Vlorës dhe Fierit. Në zbatim të “Planit të emergjencës shëndetësore për rehabilitimin shëndetësor të zonave të përmbytura,” i përgatitur në përputhje me orientimet e OBSH-së për emergjëncën në situatat e përmbytjes dhe përvojën e mëparshme, drejtuesit e shëndetësisë ndoqën nga afër ecurinë e punës për zbatimin e masave lidhur me bashkërendimin e punës me strukturat e qeverisjes vendore, ndërmarrjeve të ujësjellës-kanalizimeve, veterinarisë, sigurisë ushqimore, drejtorive rajonale të Fondit të Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor, spitaleve dhe qendrave shëndetësore përkatëse.

Në takimin që zhvilloi me mjekët dhe punonjësit e qendrës shëndetësore, si dhe banorë e drejtues të qeverisjes vendore në komunën e Novoselës të rrethit Vlorë, Ministri Beqaj tha se çdo gjë është nën kontroll dhe se nuk ka vend për panik. “Duhet të kemi parasysh se ndodhemi në një kohë kur gripi sezonal është në pikun e vet, por të gjitha qendrat shëndetësore këtu janë në funksionim të plotë, mjekët janë këtu, e gjithë baza mjekësore e nevojshme është në dispozicion të atyre që kërkojnë shërbimin shëndetësor” – tha ai.

Gjendja këtu është normale dhe njerëzit vijnë normalisht, vijoi më tej kreu i shëndetësisë, duke shtuar se në zonat e përmbytura të rretheve Vlorë e Fier kanë ardhur grupet e specialistëve të ISHP-së, të cilët po vlerësojnë situatën për të evidentuar nevojat e domosdoshme për dezinfektimin e zonave, që të mund të shmanget mundësia e shfaqjes apo përhapjes së sëmundjeve infektive.

“Shërbimi shëndetësor këtu funksionon në mënyrë normale pasi në këtë zonë nuk ka më barriera pas tërheqjes së ujit të cilat të mund të pengojnë qytetarët të vijnë, por pavarësisht kësaj mjekët gjatë gjithë kohës kanë qenë në dispozicion,” – tha z. Beqaj. I pyetur nëse ka ndonjë rrezik për nisjen e ndonjë epidemie për shkak të bagëtive të ngordhura prej përmbytjeve, ministri tha se nuk ka asnjë rrezik dhe deri më tani nuk është raportuar për asnjë rast infeksioni.

“Bagëtitë e ngordhura deri më tani nuk përbëjnë asnjë rrezik për shfaqjen e një epidemie, në bashkëpunim me shërbimin veterinar të zonës janë shpërndarë të gjithë udhëzuesit për lëndët dezinfektuese që duhen shpërndarë në terren. Nga sot do të nisë edhe groposja e bagëtive të ngordhura. të prekur nga sëmundjet infektive theksoj se nuk ka pasi në nuk kemi evidentuar deri më tani asnjë rast të sëmundjeve infektive që burojnë nga përmbytjet” – tha Beqaj.

Ministri Beqaj informoi gjithashtu mediat e pranishme gjatë inspektimit se është shpërndarë udhëzuesi i menaxhimit të situatave të emergjencës për të gjitha qendrat e ofrimit të kujdesit shëndetësor dhe se ky proces do të mbikqyret rigorozisht. Ndërkohë z. Beqaj që garantoi se qendrat shëndetësore të zonave të përmbytura janë të furnizuara me barna dhe materiale e tjera të nevojshme mjekësore. “Furnizimi është normal. Mjekët kanë qenë në vizita pranë familjeve kryesisht për gripin stinës, nuk kemi pasur ndonjë rast të sëmundjeve infective nga pasojat e përmbytjeve,” – tha ai.

Ministri vizitoi më tej edhe qendrat e kujdesit shëndetësor të fshatit Fitore, Vlorë, si dhe atë të fshatit Darëzezë, komuna Ndërmenas të rrethit të Fierit.

—###—{:}