Ministria e Shëndetësisë

Ministria e Mbrojtjes, aktivitet ndërgjegjësues për luftën kundër kancerit të gjirit
Kodheli: Lufta kundër kancerit të gjirit është beteja jonë e përbashkët, është beteja për jetën.
Beqaj: Gratë e Forcave të Armatosura mamografi falas.

Tiranë, 22/10/2014 – Ministri i Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj, mori pjesë në një aktivitet për rritjen e shkallës së ndërgjegjësimit për luftën kundër kancerit të gjirit që u zhvillua sot (22/10/2014) në Ministrinë e Mbrojtjes. Në takim morën pjesë gra dhe vajza ushtarake dhe civile që punojnë në strukturat e Ministrisë së Mbrojtjes, ato të Shtabit të Përgjithshëm të FA-së, si dhe në strukturat e tjera të garnizonit “Skënderbej”.
Të pranishëm në takim ishin ministrja e Mbrojtjes, znj. Mimi Kodheli, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA-së, gjeneralmajor Jeronim Bazo, si dhe përfaqësues të tjerë nga Ministria e Shëndetësisë.

Në fjalën e saj, ministrja e Mbrojtjes Kodheli theksoi se muaji tetor njihet tashmë edhe si muaji i luftës kundër kancerit të gjirit. Thuajse në të gjithë botën gjatë këtij muaji janë ndërmarrë dhe po ndërmerren fushata sensibilizuese në lidhje me këtë sëmundje. Ministrja Kodheli tha se kanceri i gjirit njihet si një nga sëmundjet më të përhapura, duke e cilësuar atë si vrasësi i parë që shkakton vdekje tek gratë.

Edhe në Forcat e Armatosura janë të shumta rastet e femrave të diagnostikuara me këtë sëmundje, ka vijuar më tej, znj. Kodheli. Ashtu si në çdo fushë, kujdesi i qeverisë shqiptare është rritur akoma më shumë. Në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë, ne do të rrisim më tej kujdesin dhe jemi duke ndërmarrë hapa konkretë, me qëllim realizimin falas të vizitave ekzaminuese për gratë dhe vajzat që punojnë në Forcat e Armatosura.

Znj. Kodheli ka drejtuar një lutje të gjitha grave që t’i shpallim luftë këtij armiku vrastar, duke u bërë më të përgjegjshme dhe më të kujdesshme për veten tonë. Mesazhi im, u shpreh znj. Kodheli, buron nga forca dhe guximi i shumë grave, të cilat e kanë sfiduar këtë sëmundje, duke i mposhtur të gjitha vështirësitë me të cilat ato janë përballur. Lufta kundër kancerit të gjirit është beteja jonë e përbashkët, është beteja për jetën, ka përfunduar ministrja Kodheli.

Me këtë rast, ministrja Kodheli ka falënderuar veçanërisht ministrin e Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj për interesimin dhe kujdesin e tij të drejtpërdrejtë në këtë fushatë të gjerë sensibilizuese lidhur me luftën kundër kancerit të gjirit.

Të pranishmit i përshëndeti edhe ministri Beqaj, i cili foli për masat që qeveria ka ndërmarrë për t’iu gjendur pranë grave në këtë betejë. Ai ftoi gratë dhe vajzat pjesëmarrëse të bëjnë ekzaminimin falas në aparatin e mamografisë.

Më pas, shumë gra dhe vajza pjesëmarrëse në takim kanë bërë ekzaminimin pranë njësisë së mamografisë së lëvizshme, që kishte ardhur enkas për këtë qëllim.

—###—{:}