Ministria e Shëndetësisë

Tiranë, 31 Mars – Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, ka ndjekur nga afër vaksinimin e të moshuarve në sheshin “Skënderbeje”, ndërkohë që vaksinimi masiv vijon në ditën e tretë në të gjithë vendin. Manastirliu ka bërë me dije se brenda muajit prill do të vijnë edhe 20 mijë doza të vaksinës Pfizer.

“Presim nga kontrata me kompaninë Pfizer të kemi sërish përgjatë muajit prill rreth 20 mijë doza. Ku brenda javës së parë presim 7 mijë dozat e para e më tej deri në datë 19, 20 mijë doza. Ndërkohë që presim që të lëvrohen edhe sipas kalendarit të lëvrimit dhe pjesa tjetër e dozave të blera pra nga kompania turke”, bëri me dije Manastirliu.

Duke falenderuar ekipet e vaksinatorëve për punën e mirë që po bëjnë, Manastirliu tha se jemi përgatitur për të rritur numrin e vaksinimeve.

“Të gjithë ekipet tona të vaksinatorëve po bëjnë një punë shumë të mirë. Fakti që për tre ditë rradhazi kemi kryer mbi 50 mijë vaksnime tregon që kapacitetet tona janë të mjaftueshme. Por sigurisht jemi përgatitur që të rrisim numrin e vaksinimeve nëpërmjet kapaciteteve tona të burimeve njerëzore të cilat tashmë i kemi trajnuar dhe i kemi futur edhe në forcë”, tha Manastirliu.

Në fjalën e saj ministrja Manastirliu tha se procesi i vaksinimit do të vijojë qoftë në qendrat e përqendruara, por edhe në qendrat shëndetësore kudo në vend këtë proces kaq të rëndësishëm dhe jetik për mbrojtjen e jetës së qytetarëve.

Në ditën e tretë të vaksinimit masiv janë vaksinuar 21,536 qytetarë, ndërkohë që nga fillimi i procesit të vaksinimit janë kryer 119,321 vaksinime.