Ministria e Shëndetësisë

“Mposhte Diabetin”, – metodat e ndërgjegjësimit dhe parandalimit prezantohen në Fier në Ditën Botërore të Shëndetit

Ministri Beqaj: “Së bashku ta mposhtim diabetin!”

– Shpërndahen 100 çanta mjekësore për mjekët e familjes në qarqet Dibër dhe Fier, me vlerë prej 50,000 euro, në bashkëpunim me Projektin HAP;

– Çantat përfshijnë instrumente të tilla si: glukometër, stetoskop për fëmijë dhe të rritur, puls oksimetër, çekiç neurologjik, kalendar shtatzanie, stetoskop fetal – shumë të rëndësishme për mjekët për të ofruar shërbime shëndetësore cilësore.

– Edhe 130 çanta të tjera mjekësore do të shpërndahen së shpejti për mjekët e familjes në këto dy rajone.

– 97% mbulim nga Fondi i sigurimeve shëndetësore për rimbursimin e barnave për sëmundjet e diabetit në Shqipëri;

– Check-up, vizita falas te mjeku i familjes, ulja e ndjeshme e tarifave të ekzaminimeve te specialisti dhe nismat e tjera, në përmbushje të objektivit të Qeverisë për MbulimAkses dhe Cilësi Universale

Fier, E enjte, 7 prill 2016 — Në një prezantim në Ditën Botërore të Shëndetit në Fier, mjekët e familjes u njohën me çantat e pajisjeve dhe procedurat e reja për zbulimin e disa problemeve shëndetësore, përfshirë diabetin. Ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj, së bashku me znj. Debora Kern, Shefja e Qeverisjes dhe Shëndetësisë në Ambasadën e Zvicrës, Shefen e Zyrës Vendore të OBSH-së në Shqipëri Ledia Lazëri, dhe Menaxherin e Projektit “Shëndet për të Gjithë” Dr. João Costa, bënë thirrje për më shumë aktivitete të ndërgjegjësimit shëndetësor dhe parandalimit.

Ministri Beqaj në fjalën e tij theksoi se: Kjo nismë është në përputhje të plotë me angazhimin tonë, politik dhe programor, për Mbulim, Akses dhe Cilësi Universale. Ashtu siç edhe tregojnë të dhënat paraprake të “check-up”-it për nivelin e sëmundshmërisë të paradiabetikëve dhe diabetikëve, ne jemi duke bërë një hap të mëtejshëm duke pajisur mjekët e familjes me instrumentet e nevojshëm për parandalim dhe diagnostikim të hershëm.”

Unë e mbështes plotësisht këtë nismë për mposhtjen e diabetit. Qytetarë të vetëdijshëm mund të përkthehet në qytetarë të shëndetshëm”, u shpreh znj. Debora Kern, Shefja e Qeverisjes dhe Shëndetësisë në Ambasadën e ZvicrësNëse ne sigurojmë informacionin e duhur, në kohën e duhur, dhe marrim masa parandaluese, shumë njerëz nuk do të preken nga kjo sëmundje. Kjo do të thotë më pak kosto për individin dhe për shoqërinë, më pak vuajtje dhe jetë më të lumtur“, shtoi znj. Kern.

Shefja e Zyrës Vendore të OBSH-së në Shqipëri foli për Ditën Botërore të Shëndetit 2016, të përqëndruar në luftimin e diabetit, një sëmundje të cilën OBSH-ja e parashikon se do të jetë shkaktari i shtatë i vdekjeve deri në vitin 2030. Me anë të publikimit të Raport të ri Global mbi Diabetin, OBSH përshkruan barrën dhe pasojat e diabetit dhe bën thirrje për sisteme të forta shëndetësore që të garantojnë përmirësimin e monitorimit, përmirësimin e parandalimit dhe menaxhimin më efektiv të sëmundjes.

Në aktivitet u prezantuan çanta me pajisje të reja të ofruara nga projekti me financim zviceran Shëndet për të Gjithë (HAP). Mjekët e familjes demonstruan pajisjet dhe procedurat që mund të pikasin dhe diagnostikojnë shpejt dhe lehtë sëmundjet jo -të transmetueshme të tilla si diabeti.

Dr. João Costa, Menaxher i Projektit HAP, inkurajoi mjekët e familjes të marrin pjesë në grupet e shkëmbimit më përvojës me kolegë dhe i falënderoi ata për punën e tyre të përkushtuar. “Dëshiroj t’i them ekipit shëndetësor vendas se e di sa të përkushtuar jeni në këtë detyrë. Ju lutem të mbeteni po kaq të përkushtuar, të vazhdoni të siguroni shërbim të mirë shëndetësor për komunitetet tuaja,” u shpreh Dr. Costa.

Në aktivitet, mjekët e familjes demonstruan matjen e glukozës në gjak me gleukometër dhe përdorimin e pajisjeve të tjera që mundësojnë zbulimin e hershëm dhe kontrollin e diabetit. Gjatë muajit mars 2016, Projekti Shëndet për të Gjithë siguroi 100 çanta mjekësore për mjekët e familjes në qarqet Dibër dhe Fier, me vlerë prej 50,000 euro. Çantat përfshijnë instrumente të tilla si: glukometër, stetoskop për fëmijë dhe të rritur, puls oksimetër, çekiç neurologjik, kalendar shtatzanie, stetoskop fetal – shumë të rëndësishme për mjekët për të ofruar shërbime shëndetësore cilësore. Edhe 130 çanta të tjera mjekësore do të shpërndahen së shpejti për mjekët e familjes në këto dy rajone.

Aktiviteti u zhvillua në kuadër të Ditës Botërore të Shëndetit, e cila këtë vit i kushtohej diabetit me temën “Mposhte diabetin”.

—###—

Fjala e plotë e Ministrit të Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj, në Takimin e organizuar në Fier me rastin e Ditës Botërore të Shëndetit

Përshëndetje,

I nderuar Kryetar i Bashkisë (z. Armando Subashi, Kryetar i Bashkisë Fier),

Përfaqësuesi i Zyrës së OBSH-së (Dr. Ledia Lazëri, Shefe e Zyrës Vendore në Tiranë të Zyrës Rajonale të OBSH-së për Evropën),

Përfaqësues të Ambasadës së Zvicrës (znj. Debora Kern, Shefja e Qeverisjes dhe Shëndetësisë në Ambasadën e Zvicrës),

Autoritete të Qarkut dhe të Prefekturës, mjekë, profesionistë të shëndetësisë por edhe qytetarë të Fierit,

Është simpatike zgjedhja që organizatorët kanë bërë sot, për të prezantuar një hap të mëtejshëm në zbatimin e projektit “Shëndet të gjithë”, pikërisht një ditë simbolike siç është 7 Prilli.

Nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), 7 Prilli është Dita Botërore e Shëndetit, dhe OBSH-ja çdo vit zgjedh një çështje të caktuar. Këtë vit ka zgjedhur DIABETIN, këtë sëmundje që po përhapet shumë dhe është kthyer në një epidemi. Ka një barrë të madhe sociale, financiare, njerëzore.

Megjithatë, OBSH-ja ka vendosur që sot në këtë ditë, gjithë bota të thotë: “Ta mposhtim diabetin!”.

Nuk është e lehtë, megjithatë, me sa duket ka momente që të kemi një qasje aktive përkundrejt kësaj sëmundjeje që po përhapet shumë. Në 20 vitet e fundit është rritur ndjeshëm numri i të sëmurëve me diabet, por edhe më shumë është rritur numri i fataliteteve që burojnë nga diabeti.

Për këtë arsye, të vetëdijshëm që në hartimin e Programit të Qeverisë, se diabeti dhe 2-3 sëmundje të tjera jo-ngjitëse kishin barrën më të lartë të sëmundshmërisë, ne vendosëm që të kemi një qasje shumë më aktive, shumë më të drejtpërdrejtë. Dhe prandaj, që në Programin e Qeverisë, që tashmë kemi kaluar një vit të plotë kalendarik që e zbatojmë, në vendosëm që pjesë e kujdesit shëndetësor bazë, që ofrohet njësoj për të gjithë ata që jetojnë në Shqipëri, të jetë edhe kontrolli i përvitshëm falas, parandalues dhe diagnostikues në stad të hershëm.

Pra vendosëm të bëjmë hapin e parë drejt asaj që quhet, Mbulimi Universal. Vitin e parë u bashkuam me këtë program. Gjetjet e para janë nga ana studimore interesante, por nga ana kombëtare shqetësuese.

Diabeti është i përhapur, ka një numër njerëzish të sëmurë me diabet që nuk e dinë që janë me diabet. Midis njerëzve që e dinë që janë me diabet dhe mjekohen, jo të gjithë mjekohen rregullisht, edhe pse praktikisht tek barnat për sëmundjet e diabetit ne kemi me rimbursim nga Fondi mbulim mbi 97%.

Por, ndërkohë kemi zbuluar edhe njerëz që quhen Paradiabetikë. Këtu është sfida kryesore dhe këtu bëhet gjithmonë edhe më i domosdoshëm Shërbimi Parësor. Këtu bëhet më e domosdoshme që nuk duhet të mjaftojë Mbulimi Universal, ne duhet ta shoqërojmë me Akses Universal dhe me Cilësinë Universale.

Çfarë janë këto? Aksesi Universal ishte ai që bëmë me kontrollin bazë: çdo njeri e ka këtë të drejtë me mbulim, por e ka pranë vendbanimit të tij. Prandaj, kabinetet e “check-up” janë të shtrira në të gjithë territorin e vendit, që të paktën të mos ketë barrierë gjeografike, distancë gjeografike që të kushtojë më shumë shpenzimi i transportit për të shkuar për të bërë “check-up”, se sa vetë procesi i kontrollit shëndetësor. Prandaj, ky “check-up” nuk ka as barrierë financiare, është falas për të gjithë.

Por, sigurisht që kemi edhe Cilësi Universale. Ju të gjithë e dini tashmë se kabineti ka po atë përmbajtje pajisjesh, si në qendër të Fierit, si në qendër të Tiranës, ashtu dhe në një komunë më të largët. Protokolli që zbatohet është po ai i njëjti.

Prandaj na duhet të vazhdonim më tej. Që nga fillimi i muajit shkurt, mjeku i familjes është falas për këdo, sepse nuk duhet të mbeteshim dhe të ndalonim deri tek konstatimi i dyshimeve që lindin me “check-up”. “Check-up” vetëm dyshime jep, është mjeku i familjes që në bazë të dyshimeve kërkon referim te mjekë të mëtejshëm specialistë apo ekzaminime të mëtejshme.

Por, nëse do të mbeteshim me tarifat e mëtejshme për të pasiguruarit, për sa kohë diabeti është nga ato sëmundje që nuk dhemb fort, dikush mund ta shtynte me nevojën për të paguar 30 mijë apo 40 mijë lekë (të vjetra) për një vizitë tek specialisti apo për të bërë një ekzaminim tjetër. Kjo ishte edhe arsyeja që e ulëm edhe tarifën, dhe praktikisht, tarifat sot janë pothuajse simbolike.

Pra, e lehtësuam edhe këtë pjesë të Aksesit. Nuk ka më barrierë financiare për të vazhduar më tej nëse mjeku i familjes dyshon që mund të jesh me diabet. Por, përsëri edhe kjo nuk mjafton, sepse nëse nuk ka më barrierë financiare duhet që edhe mjeku i familjes në territor të ketë mundësi ta ushtrojë në mënyrë më të plotë profesionin e tij.

Për të gjithë mjekët e Shërbimit Parësor në Qarkun e Fierit, ka një lajm tjetër të mirë që është gjë konkrete, por që është lajm i mirë edhe për të gjithë banorët e këtij qarku. Ne do të prezantojmë më vonë një çantë me pajisje mjekësore që do t’i ketë çdo mjek i shërbimit parësor në Qarkun e Fierit dhe të Dibrës, kjo falë mbështetjes që na jep projekti “Shëndet për të Gjithë” i financuar nga Qeveria Zvicerane. Ndoshta, është ky momenti për të falënderuar më duartrokitje prezencën e Ambasadës dhe angazhimin e tyre me këshillim teknik se si kjo gjë mund të bëhet më mirë.

Sigurisht, është një hap, por ka edhe hapa të tjerë të mëtejshëm të rëndësishëm. Qoftë Armando (z. Armando Subashi, Kryetari i Bashkisë së Fierit), qoftë Projekti më bëjnë shumë presion dhe thonë se kemi fonde për të nisur riparimin e Qendrave Shëndetësore. Kam qenë unë ai që kam dashur të jem pak më i ngadaltë, sepse kam kërkuar fillimisht një vlerësim të plotë, falë Projektit, të të gjitha nevojave që kemi në Shërbimin Parësor të Fierit për përmirësimet e infrastrukturës së Qendrave Shëndetësore dhe pastaj, në bazë të nevojave, të mundësive financiare të prioritizojmë, edhe për faktin se me DSHP-në (Drejtorinë e Shëndetit Publik) në Ministri po studiojmë se kush janë ato qendra shëndetësore në Qark ku duhet të kemi shërbim 24-orësh. Nuk është e nevojshme dhe e domosdoshme që për një gjë edhe të thjeshtë, që mund ta bëjë shumë lehtë mjeku i familjes apo edhe infermieri i Shërbimit Parësor, të gjithë të vijnë drejt spitalit.

Por, sigurisht, nëse do të mund të bëjmë një takim sot e një vit, unë do t’ju garantoj se një pjesë e Qendrave Shëndetësore të Qarkut të Fierit por edhe brenda Bashkisë së madhe të Fierit do të jenë të ristrukturuara, por edhe të pajisura me pajisjet mjekësore të nevojshme.

Besojmë se sa më shumë të japim kompetenca, njohuri, fuqi në kuptimin e mirë, mjekut të familjes, aq më mirë do të jetë për shëndetin e qytetarëve, aq më e lehtë do të jetë pastaj për shërbimin spitalor.

Këto kanë qenë edhe arsyet se pse ne prej një viti po punojmë për ta lehtësuar ngarkesën burokratike dhe administrative të mjekut në Shërbimin Parësor, dhe për ti dhënë për të bërë më shumë mjekësi. Prandaj e hoqëm librezën dhe e zëvendësuam me Kartën e Shëndetit. Dhe me këtë rast, shfrytëzoj këtë mundësi për të bërë një thirrje për të gjithë ata që na dëgjojnë, ju ti thoni pacientëve tuaj se mbas datës 30 Prill nuk do të ketë më libreza. Armando (z. Armando Subashi, Kryetar i Bashkisë Fier) nuk do më thuash që ka radhë për libreza .

Kishim radhë javën e parë të Janarit, kishim një vit kohë, u kujtuam vonë por nuk kujtohemi prapë vonë. Deri para një jave, 27 mijë të sëmurë kronikë ende kishin librezën dhe jo kartën. Ndërkohë, nga 1 janari deri në 31 mars, kemi shpërndarë mbi 500 mijë karta shëndeti, por nëse pas 15 muajsh ka të sëmurë kronikë me librezë dhe pa Kartë Shëndeti, është edhe përgjegjësia juaj si mjekë. Sepse, në fund të fundit zëvendësimi i librezës me Kartën e Shëndetit është lehtësi për ju, për infermierin, për qytetarin, për farmacistin.

Por, edhe recetën me rimbursim, nga një muaj, e bëmë në dy muaj, në mënyrë që edhe ju të keni më pak punë burokratike, dhe të keni më shumë kohë për tu marrë me mjekësi.

Brenda vitit, në të gjithë vendin, do të zgjerojmë zbatimin e recetës elektronike, çdo mjek i parësorit do të ketë kompjuterin e tij dhe lidhjen e tij në Internet. Që do të thotë se, prej aty do të japë recetë, prej aty nga kompjuteri i tij do të bëjë vlerësimin e rezultateve të “check-up”. Qytetari për të marrë përgjigje nuk ka nevojë të shkojë më te kabineti i “check-up”. Por, me projektin “Shëndet për të Gjithë”, po punojmë edhe për një gjë tjetër shumë të rëndësishme, te kemi besoj brenda një viti, një platformë web për “Edukimin në Vazhdim”.

Jam i vetëdijshëm që pagat tuaja mujore nuk mjaftojnë për të bërë ju me buxhetin familjar, personal edhe Edukimin në Vazhdim. Por, jemi të vetëdijshëm që këto vite ka edhe një kontekst të ri, kompanitë farmaceutike nuk kanë më kaq shumë para për t’iu bërë aktivitete dhe seminare. Fakti që do të keni një kompjuter gjithësecili, do të keni lidhjen tuaj në Internet, do ta shfrytëzojmë që të kemi edhe një platformë në web, që prej aty të bëni edhe Edukimin në Vazhdim.

Duhet ta rrisim rolin e mjekut të familjes. Të dhënat tregojnë se për 20 vitet e ardhshme, personat mbi 65 vjeç në Shqipëri do të dyfishohen. Më tepër të moshuar, ju e dini më mirë se unë, në atë moshë fillon edhe multimorboziteti. Nuk ia dalim dot me spitale. Prandaj, duhet të ndjekim dhe këshillat që thotë OBSH-ja sot: “ushqim sa më të shëndetshëm, stil jetese sa më të shëndetshëm, aktivitet fizik”.
Nuk dua të zgjatem sot, por të dhënat tregojnë se paradiabetikët, për shembull, janë të gjithë mbi peshë. Dhe një nga arsyet kryesore të Diabetit tip II vjen edhe nga mbipesha.

Por, në qoftë se ne arrijmë bashkërisht që dikush që është sot paradiabetik, ta shtyjmë të tillë edhe 3-4 vjet, se ndoshta nuk e shmangim dot përfundimisht, i kemi bërë shërbim atij, shërbim shoqërisë nga ana njerëzore dhe ekonomike.

Nuk po zgjatem më shumë.

Faleminderit për vëmendjen dhe diabetin duhet ta mposhtim dhe do ta mposhtim!

—###—

Për foto të tjera nga takimi, konsultoni profilin zyrtar të MSH në Facebook: https://www.facebook.com/Ilir-Beqaj-127646634090062 dhe Twitter@BeqajIlir{:}