Ministria e Shëndetësisë

Sot Dita Botërore e Zemrës
Shtohet financimi për sëmundjet kardiovaskulare
Ministria e Shëndetësisë: Brenda Tetorit, shërbim 24 orë për infarktin akut të miokardit

Tiranë, 29/09/2015 – Në Ditën Botërore të Zemrës, Ministria e Shëndetësisë dhe Shoqata Shqiptare e Kardiologjisë organizuan konferencën me temë, “Sfida të reja në luftën kundër sëmundjeve kardiovaskulare,” për të nxitur ndërgjegjësimin për ndryshimin e stilit të jetesës, në mënyrë që të rritet parandalimi për sëmundjet kardiovaskulare. Sëmundshmëria nga zemra ka tendencë drejt rritjes në vendin tonë, ku faktor determinant po bëhet stresi.

“Prevalenca e sëmundjeve të zemrës është në rritje. Kështu, për sëmundje si hipertensioni kemi një prevalencë në popullatën shqiptare rreth 40%, për sëmundjet koronare të zemrës që prodhojnë infarktin akut në popullatën adulte, prevalenca shkon deri 20% dhe shifrat kanë ardhur duke u rritur vitet e fundit”, u shpreh gjatë konferencës prof. Artan Goda, shef i Shërbimit të Kardiologjisë në QSUT. Ai vuri theksin te domosdoshmëria e ndryshimit të stilit të jetesës, pasi është ulur ndjeshëm mosha e të prekurve nga sëmundjet e zemrës edhe mes 30 vjecarëve. “Nga të dhënat e kabineteve të kardiologjisë në QSUT dhe në rrethe, vihet re se në dekadën e tretë të jetës numri i të trajtuarve është rritur në mënyrë substanciale. Kjo lidhet me stilin e jetesës dhe rritjen e nivelit të stresit në popullatën tonë”, tha prof. Goda.

Gjatë konferencës, zv.ministri i Shëndetësisë, z. Klodian Rjepaj theksoi përparësinë që po i jep Qeveria Shqiptare trajtimit të sëmundjeve kardiovaskulare, por njëherësh vuri theksin te rëndësia e parandalimit të tyre. “Kemi një sfidë të qartë, në radhë të parë të ulim vdekshmërinë nga problematika kardiovaskulare, të ulim sëmundshmërinë dhe të promovojmë jetesën e shëndetshme”, u shpreh zv.ministëri i Shëndetësisë. Z. Rjepaj vuri theksin në shtimin e financimit nga Qeveria për trajtimin e sëmundjeve të zemrës, duke vecuar ofrimin e paketave shëndetësore të kardiologjisë dhe kardiokirurgjisë në spitalet publike dhe private, me financim publik. “Në këto muaj të parë është arritur të kryhen rreth 3500 procedura, nga të cilat 800 janë kryer në spitalet jopublike dhe janë përfituar falas nga qytetarët”, tha zv.ministri i Shëndetësisë.

Aktualisht paketat e zemrës ofrohen në QSUT dhe falë repartit të ri të Hemodinamikës, tashmë edhe në spitalin “Shefqet Ndroqi”. Ndërkohë, shumë shpejt shërbimi do të shtrihet edhe në Shkodër e më pas edhe në një spital në jug të vendit. Po ashtu paketat shëndetësore përfitohen pa pagesë edhe në spitalet jopublike, me të cilat FSDKSH ka kontratë. Zv.ministri i Shëndetësisë lajmëroi se brenda tetorit do të realizohet shërbimi 24 orë për infarktin akut të miokardit. “Unë besoj se kjo është një tjetër arritje e madhe e ministrisë së Shëndetësisë, për më shumë mundësi për qytetarët për të përfituar këtë shërbim jetik”, tha z. Rjepaj.

—###—{:}