Ministria e Shëndetësisë

Tiranë, 24/07/2014 – Ambasadorë dhe përfaqësues të shtatë selive diplomatike dhe institucioneve ndërkombëtare të akredituara në Tiranë, vizituan dje (23/7/2014) qendrën e shërbimit të urgjencës “Emergency Response Albania” dhe zonën bregdetare turistike të Spillesë, Kavajë.

Ministri i Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj kishte ftuar përfaqësues dhe miq të shquar të komunitetit ndërkombëtarë të partnerëve dypalësh dhe donatorë të tjerë institucionalë që kanë bashkëpunuar ngushtë, dhe kanë ndihmuar e kontribuar në përmirësimin e sektorit shëndetësor në Shqipëri.

Të ftuar si pjesë e aktiviteteve të organizuar në formën e një forumi të hapur diskutimesh të lira për të falenderuar partnerët tanë ndërkombëtarë dhe për të shprehur mirënjohjen tonë për bashkëpunimin e çmuar dhe ndihmën e pakursyer në funksion të përmirësimit të sistemit të kujdesit shëndetësor të Shqipërisë gjatë 300 ditëve të para në detyrë e Qeverisë së “Aleancës për Integrim Evropian”, në takim ishin të pranishëm z. Alexander Arvizu, Ambasador i SHBA-ve në Shqipëri, shoqëruar nga z. Marc Ellingstad, Oficer i Përgjithshëm i Zhvillimit /USAID, z. Donald Brown, Oficer i Zhvillimit Ekonomik dhe Tregtar, z. Hidayet Bayraktar, Ambasador i Turqisë në Shqipëri, shoqëruar nga z. Sinan Cem Bas, Këshilltar, z. Andrea Senatori, Drejtor i Bashkëpunimit Italian për Zhvillim në Shqipëri (Cooperazione Italiana allo Sviluppo), znj. Astrid Wein, Drejtore e Agjencisë Austriake për Zhvillim (Austrian Development Agency – ADA) për Shqipërinë, z. Holger Tausch, I ngarkuari me Punë i Zvicrës në Shqipëri dhe Drejtori i Zyrës së Bashkëpunimit Zvicerian për Shqipërinë, znj. Tahseen Sayed, Drejtore e Zyrës së Bankës Botërore për Shqipërinë dhe z. Clive Rumbolt, I ngarkuari me Punë i Delegacionit të BE-së në Shqipëri.

“Gjithcka kemi arritur këto 300 ditë të para të qeverisjes, nuk do të ishte e mundur pa ndihmën tuaj”, tha ndërmjet të tjerash Ministri Beqaj në takim. “Ne nuk mund t’i kërkojmë shqiptarëve të kontribuojnë më shumë për shëndetësinë, nëse nuk jemi në gjendje të provojmë sot, se të paktën, me të njëjtat barna, me të njëjtët njerëz, me të njëjtët mjedise dhe me të njëjtat pajisje, jemi në gjendje të ofrojmë shumë më tepër”, – tha z. Beqaj.

Gjithashtu, z. Beqaj foli edhe për ecurinë e deritanishme të punës lidhur me pesë prioritetet themelore në sektorin e sistemit të kujdesit shëndetësor, të cilat përfshijnë: Paketën e Kontrollit Bazë Falas për Grupmoshën 40-65 vjeç; Nismën për krijimin dhe funksionimin e Shërbimit Kombëtar të Urgjencës; Optimizimin e shërbimit spitalor; Ngritjen e një Shërbimi Informacioni Elektronik në shëndetësi, ku për këtë qëllim, sapo u miratua projekti e-health, që do të financohet nga kredia e Qeverisë Austriake; si dhe, nisma tepër e rëndësishme e miratimit të bazës ligjore për krijimin e Regjistrave të Sëmundjeve, sepse nëse duam të shkojmë te mbulimi universal, në radhë të parë, duhet të dimë në mënyrë shumë më të saktë se cili është profili epidemiologjik i shqiptarëve, të cilët do t’i marrim përsipër të kujdesemi në mënyrë universale.

—###—

Për informacion dhe foto të mëtejshme, mund të konsultoni:

Faqen zyrtare të MSH në Facebook: http://tinyurl.com/lljljy4

Profilin zyrtar të MSH në Twitter: @BeqajIlir{:}