Ministria e Shëndetësisë

E nderuar Ministre Pirdeni,
E nderuar Ambasadore, znj. Ruth Huber,
Të nderuar përfaqësues të Institutit të Bazelit për Qeverisjen, të administratës publike, të komunitetit të shëndetësisë, medias dhe shoqërisë civile,

E pranova me shumë kënaqësi ftesën e koleges sime Pirdeni për të qenë pjesë e këtij aktiviteti, sepse kur flasim për integritet në shëndetësi, flasim për të drejtën themelore të çdo qytetari për shërbim të drejtë, të ndershëm e cilësor dhe kjo është përgjegjësi e drejtpërdrejtë e institucioneve.

Jemi mbledhur për një temë thelbësore për çdo shoqëri demokratike: integritetin në shëndetësi, një temë që shkon përtej kufijve teknikë dhe bëhet çështje politike, shoqërore dhe mbarëkombëtare.

Dua të shpreh vlerësimin tim për Institutin e Bazelit për Qeverisjen, i cili prej vitesh ka qenë partner në nxitjen e transparencës dhe llogaridhënies në sistemet e shëndetit publik.

Këto përpjekje i shërbejnë jo vetëm profesionistëve të shëndetit, por më shumë se çdokujt, qytetarëve, të cilët presin dhe meritojnë një sistem të drejtë, të pastër dhe të mbrojtur nga abuzimet.

Të nderuar pjesëmarrës,

Sot sistemi shëndetësor përballet me sfida të reja dhe të vjetra. Carl Gustav Jung ka thënë: “Mjekësia mund të kurojë sëmundjet, por janë doktorët ata që shërojnë pacientët”. Kjo është e vërtetë, por le të jemi të qartë: pa institucione të forta, pa politika të përgjegjshme, pa një shtet që garanton etikë dhe integritet, as mjekësia dhe as mjeku nuk mund të çojnë përpara misionin e tyre human.

Pandemia Covid-19 ishte një sprovë globale. Ajo zbuloi se krizat globale i përballojnë vetëm institucionet që punojnë me integritet dhe kur qytetari është në fokus.

Pikërisht për këtë arsye, Qeveria e Shqipërisë e ka vendosur shëndetësinë në qendër të reformave të saj. Në rrugën tonë Shqipëria 2030, integriteti në shëndetësi nuk është thjesht domosdoshmëri profesionale, është kriter politik, është angazhim strategjik dhe është standard europian që vendi ynë duhet dhe do ta përmbushë.

Kemi nisur ndërmarrjen e hapave konkretë në këtë drejtim. Prioritetet janë të qarta:

· forcimi i mekanizmave të monitorimit dhe auditimit,

· zbatimi rigoroz i protokolleve klinike,

· standardizimi i praktikave të trajtimit

· fuqizimi i institucioneve që sigurojnë integritet, dhe

· Digjitalizmin e të gjitha sistemeve të referimit në shëndetësi

Sistemet digjtale, ndihmojnë në reduktimin e korrupsionit, eficiencën e zbatimit të politikave publike në shëndetësi, dhe në konsolidimin e mekanizmave që garantojnë këtë trend. Kemi nisur zbatimin e recentave elektronike, dhe cdo ditë 20 mijë qytetarë marrin recetën e rimbursuar elektronikisht dhe 7 mijë referohen në “sistemin referimi” shëndetësor.

Ndërkohë, po punojmë për ndërgjegjësimin dhe mbrojen e integritetin të sistemit shëndetësor.

A është kjo detyrë e një institucioni të vetëm?

Aspak. Kjo është detyrë e përbashkët e gjithë shoqërisë.

Nëse pacienti dhe mjeku bëhen bashkë në mbrojtjen e dinjitetit të tyre, ky do të jetë suksesi ynë.

Të dashur pjesëmarrës,

Roli i shoqërisë civile në këtë proces është thelbësor. Shoqëria civile është ndër zërat më të rëndësishëm që mban sistemin të përgjegjshëm, që sinjalizon problematikat dhe që mbron interesin e qytetarëve. Prandaj, partneriteti mes institucioneve, profesionistëve të shëndetit dhe shoqërisë civile është politikisht i domosdoshëm për të ndërtuar një shëndetësi të drejtë dhe moderne.

Integriteti në shëndetësi nuk është vetëm çështje profesionale, është çështje e moralit publik, e kulturës demokratike dhe e vizionit politik të një vendi. Pa ndershmëri, transparencë, komunikim të qartë dhe respekt për pacientin, nuk mund të ketë besim; dhe pa besim, nuk mund të ketë sistem shëndetësor që funksionon.

Shëndetësia është kontrata më e drejtpërdrejtë midis shtetit dhe qytetarit. Dhe ne jemi të vendosur që kjo kontratë të jetë e qëndrueshme, e drejtë dhe pa kompromis.

Ju faleminderit!