Ministria e Shëndetësisë

Ministri i Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj, inspekton qendrat shëndetësore në Fierzë, Bujan dhe Margegaj të Bashkisë së Tropojës

Paketë me 80 barna për QSH-të në zonat malore që bllokohen gjatë stinës së dimrit

Bajram Curri, 18/12/2016 – Prej afro 2 javësh, rreth 90 Qendra Shëndetësore në zonat më të largëta e malore të vendit që gjatë sezonit të dimrit bllokohen prej reshjeve të dëborës janë furnizuar me barna dhe pajisjet e nevojshme mjekësore për të përballuar 3 muajt e ardhshëm e stinës së ftohtë.

Këto Qendra Shëndetësore, janë furnizuar me një paketë prej rreth 80 barnash të ndryshëm, në mënyrë që banorët e këtyre zonave të mund të marrin shërbimin e nevojshëm.

Ministri i Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj, inspektoi shpërndarjen e barnave dhe materialeve mjekësore në tre Qendra Shëndetësore në Bashkinë e Tropojës, Fierzë, Bujan dhe Margegaj, ndërkohë që procesi i furnizmit me barna dhe materiale mjekësore ka përfunduar në të gjitha qendrat shëndetësore që mbulojnë rreth 20 mijë banorë të kësaj Bashkie.

“Është tashmë normale që Ministria e Shëndetësisë të marrë masa që në prag të dimrit të bëjë furnizimin e Qendrave Shëndetësore që janë në zonat më të largëta të vendit dhe që gjatë dimrit edhe bllokohen. Janë rreth 90 Qendra Shëndetësore që që prej dy javësh janë furnizuar me një sasi të nevojshme barnash që zgjat përreth 3 muaj nga vlerësimet e konsumeve vjetore që ne bëjmë dhe lista përbëhet prej rreth 70-80 barnash të domosdoshme për Qendrat Shëndetësore, në mënyrë që të jemi sa më pranë banorëve jo vetëm në Fierzë, jo vetëm në Qendrat Shëndetësore të gjashtë njësive të Bashkisë së Tropojës, por në rreth 90 Qendra Shëndetësore në të gjithë vendin”, u shpreh z. Beqaj.

Kreu i Shëndetësisë, theksoi se falë këtij furnizimi, mjekët dhe infermierët e këtyre Qendrave Shëndetësore, do të kenë mundësi që t’ju ofrojnë banorëve të këtyre zonave shërbimin e domosdoshëm.

“Është i disati vit, që kur drejtoj Ministrinë e Shëndetësisë, që furnizojmë që në fillim të dimrit me barna dhe materiale mjekësore të domosdoshme, në mënyrë që në stinën e dimrit të kemi vijueshmëri në shërbim edhe në zona më të largëta apo më të thella, që sipas motit edhe bllokohen dhe është më e vështirë ti furnizosh më tej. Që prej dy javësh, të 90-të Qendrat Shëndetësore janë furnizuar me barnat e domosdoshme. Është një listë me 80 barna, të cilat janë furnizime në mënyrë që mjekët, infermierët, që duhen falënderuar që vazhdojnë të shërbejnë edhe në këto kushte dimri, edhe në ditët e festive me përkushtim ndaj banorëve, të kenë mundësi që bashkë me barnat të ofrojnë atë shërbim të domosdoshëm këtu, dhe pastaj, ne vazhdojmë të garantojmë shërbimin e urgjencës në territor me flotën më efiçente të autoambulancave dhe me urgjencat e spitaleve në pritje”, deklaroi Ministri i Shëndetësisë.

“Qendra Shëndetësore është e pajisur me të gjitha barnat, “Check-Up”-i funksionon normalisht, kemi vizita, nuk mungon asnjë preparat. Kemi marrë dhe furnizimet e dimrit, që edhe i kemi shpërndarë në zonat e tjera. Tani, afrohet edhe periudha  e dimirit, jemi të pajisur me të gjitha preparatet për periudhën e dimrit, sepse mund të bllokohen rrugët mund të kenë probleme. Edhe pse është periudhën e festive, kemi marrë gatishmëri më tepër, dhe do të jemi këtu, dhe do të jetë shërbimi pothuajse gjithë kohës për qytetarët”, u shpreh mjeku i Qendrës Shëndetësore së Fierzës, z. Ened Demiri. Ndërkohë, Drejtori i Drejtorisë së Shëndetit Publik Tropojë, z. Avni Boshnjaku, sqaroi se, “Furnizimi për pjesën e dimirit është shpërndarë në gjashtë komuna të tjera, me një mbulim me rreth 20 mijë banorë, siç është në komunën e Tropojës, Bytyçit, në Lekbibaj, në Bujan, në Margegaj. Furnizimi ka ardhur, është ndarë normalisht në çdo komunë, siç ka qenë edhe plani për çdo Qendër Shëndetësore dhe për çdo ambulancë”.

Është siguruar, gjithashtu, edhe furnizimi me barna dhe pajisje mjekësore i Qendrës Shëndetësore të Bujanit, për të qenë e gatshme që gjatë sezonit të dimrit t’ju ofrojë shërbim 3500 banorëve të kësaj zone. “Edhe në Qendrën Shëndetësore Bujan, ashtu si në gjashtë Qendra të tjera të rrethit të Tropojës, është realizuar furnizimi me medikamente për sezonin e dimrit për të mbuluar nevojat në rastet e bllokimit nga bora të personave që mbulon me shërbim kjo qendër”, u shpreh Adeljona Dushaj, mjeke dhe drejtuese e Qendrës Shëndetësore, Bujan.

—###—{:}