Ministria e Shëndetësisë

Gatishmëri e plotë për kujdes shëndetësor gjatë stinës së dimrit

Ministri Beqaj dhe Deputeti Balla në Librazhd për furnizimin e QSH-ve malore
Paketë me 42 barna dhe 24 materiale konsumi për 92 QSH në të gjithë vendin 

Librazhd, 07/12/2015 – Ministri i Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj, i shoqëruar nga Deputeti i Qarkut të Librazhdit, dhe njëkohësisht, Zëvendëskryetar i Grupit Parlamentar të PS-së, z. Taulant Balla, vizituan sot (07/12/2015) disa nga qendrat shëndetësore të Librazhdit, për të ndjekur nga afër mbarëvajtjen e planit të MSH-së për shpërndarjen e barnave dhe materialeve të konsumit mjekësor për fshatrat dhe komunitetet që rrezikojnë të bllokohen gjatë sezonit të dimrit.

Me afrimin e stinës së ftohtë, për të përballuar emergjencat që mund të krijohen nga rëndimi i motit, falë përgatitjeve në kohë dhe zbatimit të planit të posaçëm të masave të ministrisë së shëndetësisë, nga data 25/11/2015, ka nisur shpërndarja e paketës me 42 barna dhe 24 materiale të konsumit mjekësor, dhe brenda datës 8/12/2015, është planifikuar të furnizohen të 92 qendrat shëndetësore, për një popullsi të përgjithshme prej 205 549 banorësh.

“Këtë dimër, ne i garantojmë që nuk do të kenë mungesa me barna dhe materiale mjekësore në qendrat shëndetësore të kujdesit shëndetësor parësor,” – tha Ministri Beqaj. Në Librazhd janë 6 qendra shëndetësore që janë veçanërisht të rrezikuara nga kushtet e motit të rënduar gjatë dimrit, dhe përkatësisht, ato të komunave Stravaj, Qendër, Lunik, Orenje, Streblevë e Rrajcë, – shtoi më tej z. Beqaj, duke u shprehur se ato i ofrojnë ofrojnë kujdes shëndetësor një popullsie prej 27 475 banorësh, si pjesë e përfitimit të kësaj pakete.

“Besoj së këtë vit, përveç kësaj ndihme,” – tha më tej kreu i shëndetësisë, “ka edhe një masë tjetër që ka filluar të zbatohet që në muajin prill nga MSH dhe FSDKSH, por që këtë dimër do të ndihet më shumë, dhe që ka të bëjë me recetën dy-mujore me rimbursim, që do të thotë se shumë prej banorëve të këtyre zonave mund të marrin furnzimin me barna që nga nga mesi apo java e tretë e dhjetorit, dhe ta kenë këtë deri në fund të shkurtit, kur përgjithësisht është edhe momenti kur stina e dimrit fillon dhe zbutet.”

Duke falënderuar Ministrin Beqaj për këtë zgjidhje, e cila i ka munduar prej vitesh banorët e këtyre zonave, Deputeti Balla u shpreh se kjo është tashmë një praktikë tashmë e konsoliduar prej dy vitesh e Ministrisë së Shëndetësisë që furnizon deri në muajin mars me ilaçet bazë të gjitha këto qendra shëndetësore. “Ju i mbani mend vitet,” – tha më tej ai, duke u shprehur se “kur unë personalisht si deputet i bëja thirrje ministrisë së Shëndetësisë të mundësonte furnizimin ndoshta edhe nga ajri për këto zona me ilaçet bazë.

Tashmë, gjërat ndodhin ndryshe, sepse furnizimi në kohë bëhet që pa filluar rreshjet e dëborës, deri në mars i kanë ato ilaçet bazë aty, – vijoi z. Balla, duke e falënderuar sërish kreun e shëndetësisë për zgjidhjen e dhënë me recetën dy-mujore të barnave të rimbursueshme për të sëmurët kronikë, të cilët kanë nevojë që çdo muaj të marrin barnat bazë me të cilat kurojnë sëmundjen e tyre, dhe tashmë këtë mund ta kryejnë për një periudhë dy-mujore.

—###—

Bashkëlidhur njoftimit, do të gjeni listën me 92 qendrat shëndetësore që rrezikojnë bllokimin në sezonin e Dimrit dhe paketën me 42 barna dhe 24 materiale konsumi mjekësor{:}