Ministria e Shëndetësisë

Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, në bashkëpunim të ngushtë me Programin e Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) dhe me mbështetje financiare të Qeverisë së Suedisë përmes Agjencisë Suedeze për Bashkëpunim Ndërkombëtar për Zhvillim (Sida), inauguroi sot Qendrën e re LILIUM për Menaxhimin e Krizave në Rastet e Dhunës Seksuale në Vlorë. Hapja e kësaj qendre përfaqëson një hap të rëndësishëm në forcimin e përgjigjes institucionale të Shqipërisë ndaj dhunës seksuale dhe në zgjerimin e aksesit në shërbime të integruara dhe të përqendruara tek mbijetuesit në nivel lokal.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, prof. Evis Sala, e pranishme në ceremoninë e inaugurimit, theksoi rëndësinë e ofrimit të shërbimeve të specializuara dhe të menjëhershme për viktimat e dhunës seksuale, duke nënvizuar se kjo qendër përfaqëson një standard të ri të kujdesit të integruar dhe të ndjeshëm ndaj nevojave të mbijetuesve.
“Qendra, e cila ofron shërbime 24/7 në anonimitet të plotë, është ndërtuar mbi parimin se shëndeti dhe mirëqenia e viktimave janë prioritet absolut dhe se çdo person që përjeton dhunë seksuale ka të drejtë për kujdes profesional, respekt dhe mbështetje të menjëhershme,” u shpreh ministrja Sala.

Gjithashtu, ministrja theksoi se Qendra LILIUM 2 përfaqëson një model të ri të kujdesit socio-shëndetësor multidisiplinar dhe të integruar, ku të gjitha shërbimet, nga kujdesi shëndetësor emergjent, ekzaminimi mjeko-ligjor dhe mbledhja e provave për ndjekjen e rasteve në sistemin e drejtësisë penale, deri te mbështetja psikosociale, ofrohen në të njëjtin vend, në të njëjtën kohë dhe nga profesionistë të specializuar për trajtimin e rasteve të dhunës seksuale.

Duke evidentuar rëndësinë e këtij modeli dhe angazhimin institucional për mbrojtjen e viktimave, ministrja Sala deklaroi se:
“Modele të tilla të qendrave të specializuara dhe multidisiplinare do të shtrihen gradualisht në të gjithë vendin, si pjesë e vizionit tonë për një sistem më të fortë, më të ndjeshëm dhe më të drejtë për të gjitha viktimat e dhunës me bazë gjinore dhe dhunës në familje.”

Qendra LILIUM 2 në Vlorë është e dyta e këtij lloji në Shqipëri, pas hapjes së qendrës së parë në Tiranë në vitin 2018. Që nga nisja e funksionimit të Qendrës LILIUM në Tiranë, rreth 215 viktima të dhunës seksuale nga i gjithë vendi kanë përfituar shërbime të specializuara, ndërsa dy qendrat “one-stop” për fëmijët viktima të dhunës seksuale në Fier dhe Shkodër kanë trajtuar rreth 73 raste.

Hapja e Qendrës LILIUM 2 në Vlorë pasqyron angazhimin e përbashkët të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, UNDP-së dhe Qeverisë së Suedisë për të reduktuar barrierat në akses, për të minimizuar rrezikun e viktimizimit të përsëritur dhe për të garantuar që mbijetuesit , veçanërisht ata që jetojnë në zona rurale dhe komunitete të margjinalizuara të kenë akses në shërbime të specializuara më pranë vendbanimit të tyre.