Ministria e Shëndetësisë

Njoftim për Media i KZLN-DQ: 

Monitorimi i Shërbimit të Kujdesit Shëndetësor Parësor në Shqipëri
KZLN Publikon Studimin Kërkimor për 550 Qendra Shëndetësore të Kujdesit Parësor

Tiranë, më 10 Mars 2015 – Koalicioni për Zgjedhje të Lira dhe Demokraci të qendrueshme (KZLN-DQ) paraqiti sot rezultatet e studimit “Monitorimi i Shërbimit të Kujdesit Shëndetësor Parësor në Shqipëri”. Në një datë të vetme në 16 tetor 2014, KZLN vëzhgoi 550 Qendra Shëndetësore të Kujdesit Parësor (QSHKP) në Shqipëri. Vëzhgimi u krye në bazë të një pyetësori me 9 seksione dhe sipas parimeve statistikore. Vëzhguesit e angazhuar qëndruan në qendrat e përzgjedhura që nga momenti i hapjes së qendrave shëndetësore sipas orarit zyrtar të tyre dhe raportuan disa herë gjatë ditës lidhur me gjetjet sipas pjesëve të pyetësorit.

Qëllimi i përgjithshëm i këtij projekti është që të ndikojë në përmirësimin e aksesit të qytetarëve shqiptarë për të marrë shërbimin e duhur mjekësor nga njësitë e kujdesit shëndetësor parësor dhe realizimi i një analize të vlefshme mbi funksionimin e qendrave shëndetësore në të gjithë Shqipërinë, tha Mirela Arqimandriti, drejtuese e projektit. Ajo vazhdoi duke thënë se i gjithë studimi shërbeu për të nxjerrë në pah cilat janë pikat e forta dhe të dobëta të qendrave shëndetësore dhe cilat fusha investimi mund të konsiderohen më të efektshme.

Në këtë aktivitet mori pjesë z.Ilir Beqaj, Ministër i Shëndetësisë, i cili theksoi se: “Mbulimi universal mbetet sfida kryesore për reformimin e kujdesit shëndetësor dhe, padyshim, zgjerimi dhe forcimi i kujdesit shëndetësor parësor është thelbësor në kapërcimin e barrierave financiare, gjeografike e kulturore”.

Ky aktivitet u përshëndet nga z. Donald Lu, Ambasador i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri.

Znj. Eriona Mulellari, koordinatore e projektit,  e cila paraqiti gjetjet e studimit tha se: bazuar në të dhënat e vëzhgimit, pothuajse 85% të qendrave shëndetësore ndjekin rregullat e duhura të hapjes; 95 % e qendrave shëndetësore ofrojnë të gjitha shërbimet që një qendër shëndetësore duhet të ofrojë sipas standardeve të miratuara; sidoqoftë, 93.7% e qendrave shëndetësore në Shqipëri nuk janë të pajisura për t’i shërbyer popullatës me aftësi të kufizuara dhe 95 % e qendrave shëndetësore kryesore nga 415 të tilla në gjithë Shqipërinë vetëm 5 % e tyre ofronte shërbime laboratorike.

Ndërsa përsa i përket rekomandimeve znj. Blerta Balilaj menaxhere e monitorimit tha se Qeveria  Shqiptare duhet të parashikojë rritje të buxhetit në dispozicion të Ministrisë së Shëndetësisë,  i cili duhet të kapë shifrën 10–12%  të buxhetit  të shtetit, nivel i barabartë me vendet e rajonit.  Duhet të përmirësohet infrastruktura e qendrave shëndetësore dhe të investohet në paisje, medikamentet dhe rregullat e mbajtjes së dokumentacionit një pjesë e të cilit duhet të mbahet elektronikisht. Ndërkohë pushteti lokal dhe drejtoritë rajonale të shëndetësisë duhet të bashkëpunojnë me Ministrinë e Shëndetësisë për të parashikuar ndërhyrjet investuese sipas nevojave të evidentuara nga raportimi periodik i sektorëve të monitorim supervizimit.

Projekti për Vëzhgimin e Qendrave Shëndetësore u mbështet nga Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) përmes organizatës Assist Impact dhe me asistencën teknike të Institutit Demokratik Amerikan (NDI). Përveç vlerësimit të ofrimit të shërbimeve të qendrave shëndetësore, projekti synoi të fuqizojë qytetarët shqiptarë që të rrisin aftësitë e tyre të vëzhgimit për procese të ndryshme, të cilat ndikojnë në rritjen e përgjegjshmërisë së institucioneve demokratike në Shqipëri.

KZLNDQ është një koalicion i pavarur dhe i paanshëm, i themeluar për të promovuar një qeverisje demokratike në Shqipëri përmes nxitjes së pjesëmarrjes qytetare në dialogun publik, advokimin dhe monitorimin e institucioneve publike e proceseve politike.

Koalicioni përbëhet nga 25 organizata partnere dhe qindra vullnetarë në të gjithë vendin. Informacioni i plotë mbi mbarëvajtjen e projektit si edhe rezultatet e punës kërkimore shkencore gjendet në adresat e mëposhtme:

Website: www.kzln.org.al
Facebook: Koalicioni per Zgjedhje te Lira e të Ndershme
Twitter: KZLN_CFFE

Për më shumë informacion, ju lutem kontaktoni:
KZLN / E-mail: kzln@kzln.org.al / Tel.: +355682054253

—###—

Në vijim, fjala e plotë e Ministrit të Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj në takim.

I nderuar Shkëlqesia Juaj Ambasadori Lu (z. Donald Lu, Ambasadori i SHBA në Shqipëri),

E nderuar Znj. Spahiu (znj. Klodiana Spahiu, Deputete e PS-së në Kuvendin e Shqipërisë) ,

Unë besoj se ajo çfarë kemi këtu sot është një dokument shumë i vyer, sepse së pari, është realizuar në mënyrë profesionale dhe krejt të paanshme. Së dyti, sepse na vjen ne në ndihmë në Ministrinë e Shëndetësisë, në një moment shumë të rëndësishëm, për dy arsye kryesore:

a. Ashtu siç edhe publiku është i njohur, prej gati 5-6 javësh, ne kemi edhe një dokument tjetër shumë të rëndësishëm, i cili është Raporti Shëndetësor Kombëtar;

b. Nga ana tjetër, siç e dini të gjithë, edhe sistemi shëndetësor, sidomos ai parësor, do të duhet të reformohet, përveç të tjerash, t’i përshtatet reformës së re territoriale, e cila do të fillojë të zbatohet me zgjedhjet e qershorit për pushtetin vendor.

Pra, kemi një fotografim të gjendjes se çfarë shërbimesh ofrojmë sot, me çfarë infrastrukture, me çfarë cilësie profesionale, sa pranë apo me çfarë distance gjeografike janë ato nga qytetarët; Nga ana tjetër, kemi një fotografim të sëmundshmërisë së Shqipërisë për vitin 2014, ku praktikisht, edhe ne i jemi bashkuar vendeve më të zhvilluara, ku sëmundjet jongjitëse zënë barrën kryesore të sëmundshmërisë.

Dhe gjithashtu, Raporti i Shëndetit na përcakton se cilët janë faktorët kryesorë të riskut, ku edhe këtu, praktikisht jemi po në prirjen e vendeve të zhvilluara – obeziteti, tensioni arterial, duhanpirja.

Pra, ndërkohë që Qeveria, tashmë pas 18-19 muajsh, është në zbatimin konkret të asaj çfarë është përcaktuar në Programin Qeverisës, por që rishikohet në vijimësi gjatë zbatimit.

Në fjalën hyrëse, në fakt, për Ministrinë, u paraqit një sfidë goxha e madhe: U kërkua t’i mbarojmë angazhimet apo projektet më shpejt se sa planfikimi. Ky do të ishte një rast shumë ideal. Përgjithësisht, të gjithë njerëzit kur planifikojnë janë optimistë, dhe gjatë zbatimit krijohen probleme. Me sa duket, përtej asaj çfarë themi, nevojat e popullatës janë të tilla që kanë çuar edhe në hartuesit e raportit, të kërkojnë një zbatim sa më të shpejtë të tyre.

Por unë, fillimisht, dua të rihap një çështje që e mendoja të zgjidhur në Programin e Qeverisë, por derisa u rishtrua si pyetje, dua ta rihap: Këtu u tha, a janë apo jo efikase sigurimet shëndetësore?

Ne besojmë që jo! Dhe këtë gjë e kemi të sanksionuar në Programin e Qeverisë. Besojmë se jo, sepse të paktën në Shqipëri, pas 20 vitesh që po zbatohen, praktikisht, të paktën gjysmën e popullsisë në moshë pune, e kemi pa këto sigurime dhe për pasojë, (kjo pjesë e popullsisë) nuk përfiton nga sistemi i kujdesit shëndetësor, përveç rasteve të urgjencës mjekësore apo rasteve të veçanta të përcaktuara në ligj.

Së dyti, edhe ata që i kanë sigurimet, edhe ata në moshë pune, – nuk po flasim këtu për të sëmurët kronikë apo invalidët, – praktikisht përfitojnë shumë pak prej tyre, sepse kemi një sistem prezent jo kudo të aksesueshëm dhe një sistem goxha burokratik brenda hallkave të domosdoshme të sistemit të referimit, që unë besoj se pjesa e sigurimeve shëndetësore, – të paktën për ne që qeverisim, – nuk është më dilemë. Ne jemi angazhuar që në Program, të kalojmë te Mbulimi Universal, të financuar nga taksimi i përgjithshëm.

Thënë ndryshe, çdo njeri që jeton në Shqipëri, është rezident në Shqipëri, paguan taksa në mënyrë direkte apo indirekte, – dhe me këtë dua të them paguan taksa konsumi që janë taksat kryesore në Shqipëri, – do të përfitojë të njëjtin kujdes shëndetësor pa pagesë. Pa pagesë ku ai kërkon dhe duhet të ofrohet, por sigurisht, me një kosto që do ta paguajë për personin në nevojë.

Ndërkohë, çfarë po bëjmë pikërisht për të shkuar sa më pranë qytetarit? Tashmë, kemi filluar nga zbatimi i (Programit të) Kontrollit Bazë Shëndetësor (pa pagesë 40-65 vjeç). Funksionon në të gjithë qendrat shëndetësore të Tiranës dhe ndërkohë është i gatshëm, – sot që flasim, – në 100 qendra shëndetësore nga 415 ku do të duhet të jetë prezent brenda javëve të ardhshme.

Për ta bërë lehtësisht të aksesueshëm, – po e përsëris, – që do të vëmë në dispozicion edhe njësi mobile, sepse besoj se, Mbulimi Universal, në qoftë se nuk shoqërohet me Akses Universal, do të mbetet diçka utopike. Mund t’i thuash dikujt, që po, do të vish për një kontroll shëndetësor bazë pa pagesë. Dikush që jeton në zona urbane e ka shumë më të lehtë, por dikush që jeton në zona rurale, vetëm transporti vajtje-ardhje mund t’i bëjë më shumë se sa kostoja e kontrollit bazë, apo edhe koha që humbet. Për këtë arsye, do të jenë këto njësi mobile.

Siç e keni vënë re nga një lajm i djeshëm, kush vjen nga Tepelena, nga Mallakastra, Përmeti, Gjirokastra, e kanë ndjerë prej disa javësh që kontrolli paralajmërues i kancerit të gjirit me njësi të lëvizshme (të ekzaminimit mamografik), është tashmë prezent në territor, është pa pagesë, është parandalues dhe nuk kërkon të jesh i siguruar apo i pasiguruar.

Sigurisht që kjo ka të bëjë me atë se çfarë duhet t’i ofrojmë popullatës, se lidhet me një pyetje që u bë këtu pak më parë në prezantim: A ka familje që falimentojnë, apo ka familje që bien në varfëri sepse nuk përballojnë dot kostot e shërbimit shëndetësor? Po, vazhdon të ketë, sidomos për sëmundje të cilat janë ende shumë të kushtueshme. Prandaj, kërkojmë që të spostojmë sa më shumë vemendjen tek parandalimi dhe tek diagnostikimi i hershëm, i cili padyshim bëhet në shërbimin parësor. Që do të thotë, kërkon më shumë infrastrukturë në këtë shërbim, më shumë pajisje ekzaminuese dhe padyshim, dije sa më të freskëta dhe të rifreskueshme për personelin shëndetësor.

Ne, me mbështetjen e donatorëve, po fillojmë një vlerësim të plotë dhe do të fillojmë fuqizimin e shërbimit parësor në qarkun e Fierit dhe në qarkun e Dibrës, në të cilin do të duhet të pilotojmë, besoj, edhe organizimin e ri territorial të shërbimit parësor, në funksion të zbatimit të reformës territoriale. Investime të tjera janë në vijim në Gjirokastër, Korçë dhe Tiranë, dhe me Kooperacionin Italian (agjencinë italiane të ndihmës dhe bashkëpunimit), dhe ndërkohë, besoj se, qoftë shtrirja e plotë e shërbimit të kontrollit bazë, i cili përveç efektit parandalues, apo zbulimit të hershëm, do të fuqizojë marrëdhëniet e përditshme të qytetarëve shqiptarë, edhe të pacientëve me shërbimin parësor dhe kryesisht, mjekun e familjes. Dhe pikërisht, për t’i lënë shumë më tepër kohë mjekut të familjes që të merret me qytetarët, me grupin e popullsisë që ai ka në ngarkim, kemi filluar që nga janari i këtij viti ta lehtësojmë nga një pjesë e mirë e barrës burokratike.

Tashmë, prej më shumë se 6-7 javësh, ne po zëvendësojmë gradualisht Librezën e Shëndetit me Kartën e Shëndetit. Praktikisht, nga matjet rezulton se 25-30% e kohës së punës së mjekut dhe infermierit të parësorit përdoret thjesht për punë burokratike.

Së dyti, kemi rënë dakort me Fondin (FSDKSH – Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor), që duke filluar nga data 1 prill kur del lista e re e rimbursimit (të barnave) për vitin 2015, recetat me rimbursim të fillojmë t’i kemi dymujore, dhe ky është një tjetër lehtësim i barrës burokratike, përveç përfitimeve që ka qytetari dhe tregu farmaceutik me pakicë.

Por, besoj se zbatimi i plotë i projektit të filluar që nga shtatori, i Shëndetësisë Elektronike, që do ta shtrijë e-Health-in në të gjithë vendin, në shërbimin parësor dhe atë spitalor, do të bëjë që, në radhë të parë, mjekët të kenë shumë më tepër kohë në dispozicion për t’u marrë me pacientët; do të bëjë që vetë pacientët të kenë shumë më pak nevojë për të marrë me vete apo për t’u ekzaminuar në hallka të ndryshme të sistemit të referimit. Por, besoj se kështu, do të duhet t’i japim mundësi mjekëve, sidomos në parësor, të mund të rrisin dijet e tyre.

Ne kemi mbaruar një cikël të parë të edukimit në vazhdim 5-vjeçar. Jemi në fazën e vlerësimit të rezultateve të këtij cikli dhe të monitorimit të ciklit të dytë. Unë jam i vetëdijshëm se, sidomos mjekët e parësorit, i kanë patur të kufizuara mundësitë për të qenë pjesë e këtij programi. Edhe pse të dhënat tregojnë se nuk është vetëm problem gjeografik; sepse kemi më pak pjesëmarrje nga profesionistët e sistemit jopublik se ato publik; kemi shpërndarje apo mosrealizim në nivelin 30% edhe në Tiranë edhe në qytete apo rrethe të largëta të Shqipërisë. Por, ajo që jam më se i vetëdijshëm, (është fakti se) me të ardhurat që përfitojnë mjekët, sidomos në parësor, nuk mund të pretendojmë që të shpenzojnë nga buxheti i tyre familjar, për formimin e tyre profesional.

Një eksperiencë e mirë, ishte trajnimi për Programin e Kontrollit Bazë (Shëndetësor pa pagesë 40-65 vjeç), ku praktikisht vetëm nga ai program, secili nga ata që morën pjesë, morën 27 kredite, pra rreth 1/5 e krediteve që duheshin për 5 vitet e kaluara.

Me një projekt që financohet nga Qeveria Zviceriane që sapo ka filluar, po mendojmë që një nga pjesët të jetë e dedikuar vetëm për edukimin në vazhdim, kryesisht për të ndërtuar një platformë të re online, në mënyrë që shumë nga mjekët e parësorit të mund të shfrytëzojnë këtë platformë për edukimin e tyre në vazhdim, duke ofruar brenda sistemit parësor, edhe një numër relativisht jo të vogël tablet-ash, në mënyrë që t’i japim praktikisht mjekëve instrumentin e nevojshëm për të aksesuar këtë në web.

Unë dua të përsëris falenderimin për ata që e bënë këtë studim. Besoj se asnjëherë, përtej mirësjelljes, nuk duhet të rreshtim së falënderuari donatorët që na ndihmojnë, dhe këtu është rasti për të falënderuar USAID-in, që në mënyrë të vazhdueshme prej shumë vitesh mbështet shëndetësinë shqiptare në fushat prioritare.

Praktikisht, USAID-i po na mbështet në hapat e parë të ngritjes së Shërbimit Kombëtar të Urgjencës, që është një tjetër element, prapë shumë i rëndësishëm për të forcuar kujdesin shëndetësor dhe për ta lidhur shërbimin parësor me hallkat e tjera të shërbimit shëndetësor. Ne kemi ende, rreth 2/3 e njerëzve që vijnë në urgjenca me mjetet e tyre, që do të thotë se nuk kanë ende besim te sistemi i lajmërimit dhe komunikimit, por as te hallkat më të poshtme të kujdesit shëndetësor.

Dhe sigurisht, një falënderim duhet patjetër të jepet, për mjekët dhe infermierët që e ofrojnë përditë shërbimin atje, që edhe në ditën e zgjedhur 16 tetor, edhe në mënyrë statistikore, ishin atje, duke filluar nga orari dhe ofruan shërbim për qytetarët shqiptarë.

Faleminderit.

—###—

Në përpjekjet që nga muaji tetor për të vlerësuar arsyet reale se përse është i lartë perceptimi i (nivelit të) korrupsionit në Shqipëri në shëndetësi, ne na rezulton që deri tani, për sa kohë ende nuk janë larguar nga institucionet shëndetësore, qytetarët ngurojnë të jenë shumë të lirshëm në dhënien e opinioneve. Ndoshta këtu, duhet të punojmë me ju që të na ndihmoni për ta kërkuar në mënyrë të pavarur perceptimin apo kënaqësinë (vlerësimin e shkallës së kënaqësisë së pacientit), sepse në marrëdhënie me ne si institucione, na rezulton deri tani se përsa kohë nuk janë larguar, janë ende në një lloj droje për të dhënë në mënyrë të hapur dhe të sinqertë, perceptimin për shërbimin që marrin.

—###—

Në fund të prezantimit tuaj të parë ju përdorët midis të tjerash dhe fjalën “klient”. Në rastin e shëndetësisë, unë vetë do të isha i prirur ta përdornim sa më pak. Unë e kuptoj që në kontekstin tuaj ishte nga pikëpamja e cilësisë së shërbimit që ofrohet. Por, unë besoj se nëse flasim për klient, shkojmë tek tregu dhe pastaj nëse shkojmë tek tregu, pastaj fillojmë diferencojmë, kush paguan më shumë, kush paguan më pak. Unë besoj se në rastin e kujdesit shëndetësor, të paktën në mundësinë që i ofrohet kujtdo, nuk duhet të lidhemi shumë me tregun, me mekanizmat e tregut.

Sepse ju vetë folët, se sa janë familjet apo njerëzit që falimentojnë, apo bien në varfëri, pikërisht për këtë arsye. Kështu që, shëndetin duhet të vazhdojmë ta konsiderojmë në Shqipëri, si një e mirë publike, si një përfitim që ka çdo anëtar i shoqërisë, vetë shoqëria, dhë për rrjedhojë, nga pikëpamja e cilësisë e shpejtësisë, e transparencës e saktësisë, ta konsiderojmë njësoj sikur duhet ta fitojmë si klient, por nga pikëpamja e ofrimit të shërbimit, ta konsiderojmë si detyrim për gjithë shoqërinë.

Faleminderit!

—###—{:}