Ministria e Shëndetësisë

“Maratona e Jetës”, qytetarët vrapojnë për shëndetin e gruas

Tiranë, 19/10/2014 – Të vrapojmë për t’i thënë jo kancerit të gjirit. Ishte ky mesazhi i madh i “Maratonës së Jetës”, këtij aktiviteti që synon ndërgjegjësimin e të gjitha grave shqiptare për kryerjen e kontrollove parandaluese kundër kësaj sëmundjeje.

Mijëra qytetarë, të rinj, vajza, gra e burra, shqiptarë e të huaj, u bënë këtë të dielë (19/10/2014) pjesë e “Maratonës së Jetës” në vrapimin i cili nisi nga sheshi “Nënë Tereza” për të kapur finishin tek Kodrat e Liqenit Artificial të Tiranës.

Të gjithë të veshur me ngjyrë rozë, simbolin e luftës ndaj kësaj sëmundjeje në muajin e ndërgjegjësimit kundër kancerit të gjirit, përmes vrapimit përcollën mesazhin e shpëtimit të jetës. dhe kjo përmes apelit për të kryer ekzaminime dhe për ta parandaluar në kohë kancerin e gjirit, këtë sëmundje që çdo vit e më shumë njeh përmasa në rritje në vendin tonë.

“Maratonës së Jetës” i’u bashkuan edhe ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj, ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë Erjon Veliaj, ministrja e Arsimit dhe Sportit Lindita Nikolla, ambasadori italian në vendin tonë Massimo Gaiani, deputetja e PS për Durrësin Dr. Kodiana Spahiu, si dhe nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës, Nevila Xhindi.

Në muajin e ndërgjegjësimit kundër kancerit të gjirit, ministri Beqaj i bëri apel grave dhe e nënave shqiptarë që t’u drejtohen 11 qendrave spitalore për të zhvilluar falas mamografi.

Sakaq ministri Veliaj, zgjodhi të bëjë një batutë me të rinjtë, duke u shprehur se sensibilizimi për të shpëtuar jetë, është po aq i thjeshtë sa edhe rëndom përditë hedhin foto në rrjetet sociale.

Për ministren Nikolla, qytetarët duhet të krijojnë një kulturë të re ndaj kujdesit për shëndetin. Ndërsa, nenkryetarja e Bashkisë së Tiranës, Nevila Xhindi inkurajoi të gjitha gratë dhe vajzat të bëjnë kontrolle periodike.

Kryediplomati italian në vendin tonë e krahasoi përfshirjen e qytetarëve në “Maratonën e Jetës”, me vizitën e Papa Franceskut në muajin shtator në Tiranë. “Ky event zhvillohet në këtë shesh, ku përpara disa javësh, një event tjetër ka ekzaltuar të gjithë Shqipërinë”, tha Gaiani.

“Maratona e Jetës”zhvillohet për herë të parë në Tiranë, eksperiencë e ardhur nga Italia, e cila tashmë do të mbahet edhe gjatë viteve në vazhdim, nën organizimin e “Spazio Eventi Albania”, dhe sponsorizuara nga banka Credins, Kastrati group, Chimica D’Agostino, Uji Tepelene, Sidi Pharma dhe Spitali Hygeia.

—###—

{:}