Ministria e Shëndetësisë

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, prof.Evis Sala, zhvilloi një seri takimesh frytdhënëse me drejtues dhe ekspertë të Institutit Kombëtar të Tumoreve në Milano, për të forcuar bashkëpunimin ndërkombëtar në fushën e onkologjisë dhe për të mbështetur ngritjen e Institutit të Kancerit në Shqipëri.

Gjatë vizitës, ministrja Sala diskutoi me Presidentin e Institutit Kombëtar të Tumoreve, Gustavo Galmozzi, mbi krijimin e qendrës së referimit për kancerin në Shqipëri, si një instrument thelbësor të përmirësimit dhe rritjes së cilësisë së shërbimit onkologjik në vend.

“Me presidentin Gustavo Galmozzi diskutuam bashkëpunimin konkret për mbështetjen e ngritjes së Institutit të Tumoreve në Shqipëri si një qendër për ndërtimin e kapaciteteve, trajtimin multidisiplinar të kancerit, kërkimin shkencor dhe hartimin e politikave onkologjike të bazuara në evidenca”, komunikoi ajo.

Ajo zhvilloi gjithashtu takime me Drejtorin Shkencor, Prof. Paolo Corraidini, dhe Drejtorin e Onkologjisë Mjekësore, Prof. Filippo de Braud, ku u shkëmbyen praktikat më të mira europiane dhe u diskutuan projektet konkrete të bashkëpunimit.

Ministrja Sala theksoi rëndësinë e këtij partneriteti strategjik, i cili synon përmirësimin e kujdesit ndaj pacientëve onkologjikë dhe zhvillimin e qëndrueshëm të kapaciteteve institucionale, duke u bazuar në standardet më të larta europiane, si një hap i rëndësishëm drejt modernizimit dhe avancimit të shërbimeve onkologjike në Shqipëri.