Ministria e Shëndetësisë

Të dashur qytetarë
Të nderuar përfaqësues të medias

Sot dal para jush, jo vetëm si Ministre e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, por edhe si mjeke dhe si qytetare mes qytetarëve. Me përulësi dhe përgjegjësi të plotë, ju siguroj se çdo vendim që marrim udhëhiqet nga interesi publik, transparenca dhe e vërteta. Në kohë kur përballemi shumë shpesh me lajme të pavërteta dhe akuza politike, detyra jonë është të jemi të hapur dhe të sinqertë me qytetarët. Shëndeti publik nuk është fushë beteje politike, është mision shërbimi ndaj çdo familjeje në Shqipëri, dhe për mua, parimi kryesor është transparenca karshi qytetarëve për punën që po bëjmë dhe problemet me të cilat përballemi.

Sot jam këtu me ekipin tim, një pjesë e tij është në sallë, ndërkohë që përgjegjësinë e informimit të qytetarëve do e ndaj me zv.ministren Eugena Tomini, të cilën e njihni për profesionalizimin, veçanërisht në kohët e vështira të COVID – 19 dhe me drejtoreshën e përgjithshme të QSUT, Anxhela Paparizo, e cila në pak kohë ka arritur të ketë një pamje të qartë të funksionimit të qendrës më të madhe spitalore në vend e po punon ngushtësisht me ekipin dhe ministrinë për adresimin e çështjeve që duan zgjidhje.

Viti 2026 është një vit reformash të thella, vendimmarrjesh strategjike dhe ndërtimi sistemesh që do të ndikojnë jo vetëm të tashmen, por arkitekturën afatgjatë të shëndetësisë dhe mirëqenies sociale në Shqipëri.

Sot dua të ndaj me ju jo vetëm çfarë kemi bërë, por ku po shkojmë. Sepse reforma nuk është thjesht një akt administrativ, është një akt përgjegjësie ndaj qytetarëve. Diagnostikimi i saktë sjell shërim të sëmundjes. Dhe ne po punojmë jo për zgjidhje akute, por për zgjidhje afatgjata.

SHËNDETËSI

1. Reformimi i Shërbimit Onkologjik – Prioritet Kombëtar

Sëmundjet tumorale janë një sfidë globale, pasi kanceri po kalon në incidencë të sëmundjeve kardiake. Për këtë arsye, 2026 është viti i riorganizimit të plotë të shërbimit onkologjik. Është ngritur grupi i punës për krijimin e Institutit Kombëtar të Kancerit dhe Rrjetit Kombëtar të sëmundjeve tumorale.

Ka nisur analiza e plotë e situatës aktuale:

· shpërndarja e sëmundshmërisë sipas rajoneve,

· kapacitetet në nivel terciar dhe rajonal,

· nevojat për infrastrukturë, pajisje dhe barna

Nga Bordi i Tumoreve në QSUNT, në bashkëpunim me Institutin e Tumoreve të Milanos, janë miratuar 38 protokolle të unifikuara trajtimi.

Në muajin dhjetor të vitit të kaluar u dyfishuan kapacitetet trajtuese në njësinë e Kimioterapisë në Shërbimin Onkologjik, përmes buxhetit të shtetit dhe bashkëpunimit me donator. Me të njëjtën formulë brenda viti 2026 do përfundojë rikualifikimi i 6 punkteve rajonale në kuadër të rrjetit kombëtar të sëmundjeve tumorale dhe 6 punkte të tjera do të rikualifikohen në vijim.

Kemi rinovuar dhe zgjeruar bashkëpunimin me Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike, fokusuar në 3 drejtime:

– Ardhja e akseleratorit të tretë, i cili është instaluar, po bëhet kolaudimi nga ekspertët bërthamorë e do nisë së shpejti funksionimin.

– Përditësimi i 2 softwer të dy akseleratorëve ekzistues, që i ngre në një nivel shumë të lartë teknik për trajtimin e pacientëve.

– Trajnimi i stafit për leximin e ekzaminimeve të PET scan.

Ndërkohë, problem ekzistues është aparatura e Brakiterapisë, e cila brenda vitit do të instalohet e re dhe do të vihet në punë falë bashkëpunimit me Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike.

Doja të ndaja sot me ju, vendimin e miratuar një ditë më parë në bordin e QSUT për ngritjen e Qendrës së Gjirit (Breast UNIT) që do të krijojë kushte për trajtimin me qasje multidisiplinare për pacientët e prekur nga kanceri i gjirit.

QSUT ka staf të trajnuar dhe ka realizuar ndërhyrjet e para për rikonstruksionin e gjirit përmes protezave të financuara nga buxheti i shtetit, duke i paraprirë qasjes tonë, për të mbuluar rastet e vajzave dhe grave që kryejnë heqjen e gjirit, duke iu lehtësuar traumën psikologjike, përmes vendosjes së menjëhershme të protezave.

Në kuadër të ngritjes së Institutit Kombëtar të Tumoreve po vlerësohet rikonstruksioni i godinës së Spitalit Onkologjik.

Një hapësirë e dedikuar brenda këtij spitali do të shërbejë për studimet klinike, që mundëson edhe futjen e barnave inovatore pa ndikim financiar.

Duke qëndruar të barnat, për vitin 2026, kemi rritje të buxhetit për barnat në vlerën e 15 milionë euro.

Për vitin 2026, ne kemi përcaktuar një plan strategjik të qartë, që mbështetet në tre shtylla kryesore:

1. Shtimi i barnave inovatore në listën e rimbursimit, duke garantuar akses më të gjerë për pacientët me patologji onkologjike dhe hematologjike. Synimi është që pacientët shqiptarë të kenë trajtime të krahasueshme me ato të vendeve të Bashkimit Europian.

2. Rritja e sasive të barnave ekzistuese në listë, për të shmangur mungesat e herëpashershme që kanë ndikuar drejtpërdrejt në vijimësinë e trajtimit. Kjo do të shoqërohet me mekanizma të rinj monitorimi dhe planifikimi, në bashkëpunim me QSUT dhe depot farmaceutike rajonale.

3. Hapja e kufizimeve në FSDKSH për disa patologji onkologjike, duke rishikuar kriteret aktuale të përfshirjes së pacientëve në skemën e rimbursimit. Ky proces do të mundësojë që më shumë pacientë të përfitojnë nga trajtimet moderne pa pengesa burokratike.

Gjithashtu, është parashikuar shtimi i molekulave të reja për patologjitë hematologjike dhe tumoret solide, në përputhje me protokollet europiane të trajtimit, duke u bazuar në evidencë shkencore dhe në kost-efektivitetin e terapisë.

E fundit, por jo nga rëndësia kemi nisur procesin e binjakëzimit me Institutin e Tumoreve të Milanos, si një hap konkret drejt transferimit të njohurive dhe rritjes së kapaciteteve tona kombëtare. Ky është një moment transformues për onkologjinë shqiptare.

2. Ristrukturimi i Shërbimit Spitalor

Viti 2026 shënon nisjen e një reforme historike për sistemin spitalor shqiptar. Ne kemi ngritur Grupin e Punës multisektorial me ekspertë kombëtarë dhe ndërkombëtarë për hartimin e Planit Kombëtar Spitalor.

Kemi përgatitur ndryshimet për Komitetin Këshillimor dhe po finalizojmë kuadrin institucional që do të garantojë profesionalizëm dhe vendimmarrje të bazuar në evidencë. Paralelisht:

· Ka nisur hartëzimi i plotë i situatës aktuale të sistemit spitalor.

· Po analizohet performanca, kapacitetet reale, shpërndarja gjeografike e shërbimeve dhe nevojat demografike.

· Po kryhet një analizë e investimeve të kryera dhe eficiencës së tyre.

· Po dokumentohen burimet njerëzore dhe balanca midis nevojës dhe ofrimit të shërbimeve.

Kjo është një reformë që synon të çojë shërbimin te pacienti dhe jo pacientin te shërbimi, pëmes:

· racionalizimit të rrjetit spitalor,

· forcimit të spitaleve rajonale,

· rritjen e autonomisë menaxheriale dhe financiare,

· dhe garantimin e cilësisë së barabartë për çdo qytetar, pavarësisht vendbanimit.

Rishtazi kemi 12 spitale me autonomi menaxheriale, ku pak javë më parë u përfshi edhe Qendra Spitalore Rajonale e Tiranës “Shefqet Ndroqi”. Sepse autonomia nuk është thjesht decentralizim, por është përgjegjësi, transparencë dhe performancë e matshme.

3. Sa i takon Shëndetit Publik po punojmë në dy drejtime: depistim dhe vaksinim

Ø Programi i depistimit për kancerin e qafës së mitrës ofron testimin HPV në janar të këtij viti u zgjerua fasha nga 40-50 vjeç në 35-55 vjeç.
Ø Vaksinimi kundër HPV që nga janari i vitit 2026, është zgjeruar duke përfshirë djemtë 13-vjeçarë, duke shënuar një zgjerim të konsiderueshëm të programit në përputhje me rekomandimet ndërkombëtare.

Ø Mbulesa vaksinale për Hepatitin B, për skemën e plotë me tre doza ka arritur në 98%. Studimi i sero-prevalencës i kryer në vitin 2025 midis fëmijëve të moshës 6-7 vjeç, rezultoi një prevalencë zero të infeksionit të hepatitit B, pa asnjë rast pozitiv të identifikuar. Kjo gjetje ofron provë të fortë se Shqipëria është në rrugën drejt certifikimit të eliminimit të hepatitit B në popullatën pediatrike.

Ø Megjithëse shihet një panorama e mirë mbi proceset e depistimit dhe parandalimit sërisht kemi në fokus zgjerimin e fashave respektive mbi programet e depistimit, si dhe rritjen e mbulesë vaksinale në Programin Kombëtar të Vaksinimit specifikisht për Fruth – Rubeolë – Parotit.

4. Masat për sezonin veror dhe shërbimi shëndetësor për shtetasit e huaj

Dua të ndalem në mënyrë të vecantë në shërbimin shëndetësor që strukturat tona ofrojnë gjatë muajve të verës. Po përgatisim planin e masave për sezionin e ri, ku vetëm vitin e kaluar në 36 qendra verore janë kryer 83 mijë e 300 vizita, 25 mijë prej të cilavë turistë të huaj. Nga këta të fundit, vetëm në Spitalin e Traumës, gjatë vitit të kaluar kanë marrë shërbimin 683 pacientë ose 15% më shumë sesa viti 2024, c”ka mes të tjerash është tregues i besimit në rritje të shtetasve të huaj ndaj shërbimit shëndetësor në Shqipëri.

5. Modernizimi Digjital dhe Integrimi i Inteligjencës Artificiale

Jemi në hapat e parë të reformës digjitale, duke nisur me hartëzimin e të gjitha sistemeve, për të shkuar më pas drejt harmonizimit të plotë të tyre

MIRËQENIA SOCIALE

1. Ekonomia e Kujdesit

Ne po kalojmë nga programet e asistencës sociale pasive te fuqizimi ekonomik i grupeve vulnerabël.

Qëllimi është i qartë:

Integrimi i përfituesve të mbrojtjes sociale në ekonomi përmes shërbimeve të kujdesit. Në këtë program të ri do të përfshijmë të gjitha aktivitetet që lidhen me kujdesin për njerëzit – si fëmijët në risk, të moshuarit, personat me aftësi të kufizuara dhe kryesisht gratë në nevojë.

Kjo do të ndikojë, duke krijuar:

· Përmirësim të cilësisë së jetës,

· punësim,

· pavarësi ekonomike,

· dinjitet social,

· mirëqenie sociale.

2. Zgjerimi i Shërbimeve Sociale si një investim në njerëz

Në vitin 2026, përmes Fondit Social:

– do të ngrihen 14 shërbime të reja sociale, me rreth 2,500 përfitues, të moshuar të braktisur, fëmijë në nevojë, persona me aftësi të kufizuara, gra e vajza viktima të dhunës e trafikimit.

– Shërbimet do të shtrihen në 12 bashki të vendit, si dhe dy shërbime të specializuara të munguara në Tiranë. Njëra do të jetë një Qendër Rajonale për të rinjtë me spektër të autizmit dhe Qëndra tjetër do të mundësojë përgjigjen për çdo situatë emergjente për fëmijët e rikthyer, apo fëmijët në situatë rruge. Ky është një model partneriteti me pushtetin vendor, pasi qëndrueshmëria dhe vijueshmëria e këtyre shërbimeve është thelbësore

III. INTEGRIMI EUROPIAN – ANGAZHIM I MATSHËM

Në kuadër të Kapitujve 19, 23 dhe 24, kemi realizuar Interim Benchmarks:

· Ligji për Barazinë Gjinore, që zgjeron detyrimet për institucionet publike dhe sektorin privat, e bën integrimin gjinor detyrim në hartimin e çdo politike publike, njeh për herë të parë punën e papaguar dhe ekonominë e përkujdesit si pjesë reale të kontributit ekonomik, si dhe parashikon kalimin gradual drejt përfaqësimit 50% për secilën gjini në vendimmarrje.

· Ligji për “Për parandalimin dhe mbrojtjen nga dhuna ndaj grave dhe dhuna në familje”, i cili parashikon mbrojtjen nga të gjitha format e dhunës dhe përfaqëson një angazhim të qartë për mbrojtjen e jetës, dinjitetit dhe sigurisë së grave, vajzave, fëmijëve, moshës së tretë dhe personave me aftësi të kufizuara.

· Ligji për Kujdesin Alternativ, ç’ka dikton transformimin e institucioneve rezidenciale, mundëson krijimin dhe mbështetjen financiarisht të familjeve kujdestare të cilat do të trajtojnë në mjedis familjar cdo fëmijë në nevojë apo me paaftësi të cilët ndodhen jashtë kujdesit prindëror.

2026 nuk është një vit rutinë. Është vit themeli për:

· onkologji moderne,

· sistem spitalor më racional,

· shëndetësi digjitale,

· mirëqenie sociale që fuqizon,

· kuadër ligjor europian.

Faleminderit për durimin e jemi të hapur për pyetjet tuaja!