Ministria e Shëndetësisë

Kuvendi i Shqipërisë miratoi sot projektligjin e ri “Për kujdesin alternativ në familje”, një nismë e rëndësishme e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, që forcon mbrojtjen e fëmijëve pa kujdes prindëror dhe garanton rritjen e tyre në një mjedis të sigurt, mbështetës dhe sa më pranë familjes, duke ndikuar drejtpërdrejt në zhvillimin e tyre emocional, social, arsimor dhe në mundësinë për të patur një jetë të shëndetshme dhe të barabartë.

Kjo nismë e MSHMS-së krijon një kuadër ligjor të posaçëm dhe të unifikuar për kujdestarinë alternative në familje dhe vendos në qendër interesin më të lartë të fëmijës dhe nevojat e tij. Projektligji i dedikuar për kujdestarinë në familje jo vetëm përmirëson kuadrin ekzistues, por gjithashtu është i harmonizuar me legjislacionin kombëtar, përfshirë Kodin e Familjes, Ligjin e Mbrojtjes së Fëmijëve, Ligjin për Mbrojtjen nga Diskriminimi dhe legjislacionin për qeverisjen vendore.

Ky projektligj reflekton standardet ndëkombëtare dhe angazhimet e Shqipërisë në zbatimin e të drejtave të fëmijëve, Konventën e OKB-së për të drejtat e Fëmijë, Udhëzimet e Kombeve të Bashkuara për Kujdesin Alternativ, standardet e vendeve të Bashkimit Europian dhe angazhimet tona në kuadër të Marrëveshjes së Stabilizim -Asocimit, të cilat kërkojnë qartazi që çdo fëmijë të rritet në një mjedis familjar sa herë që kjo është e mundur.

Projektligji i ri “Për kujdesin alternativ në familje” parashikon ofrimin e kujdesit për fëmijët nga familje të trajnuara, të certifikuara dhe të specializuara, si dhe procedura të qarta e të detajuara për vendosjen e fëmijëve në kujdestari. Procesi mbështetet në vlerësim multidisiplinar, plane individuale kujdesi, vendimmarrje gjyqësore dhe administrative, rivlerësim periodik të mirëqenies së fëmijës, përshtatshmërisë dhe deri të përfundimi i kujdestarisë.

Një risi e rëndësishme është digjitalizimi i sistemit të kujdesit alternativ, që garanton transparencë, gjurmueshmëri dhe raportim të qëndrueshëm, duke siguruar që çdo vendim të jetë pjesë e një sistemi të integruar informacioni.

Nëpërmjet tij qartësohen gjithashtu rolet institucionale, duke fuqizuar bashkitë dhe Njësitë e Mbrojtjes së Fëmijës, Shërbimin Social Shtetëror dhe Inspektoratin e Shërbimeve Sociale, me qëllim garantimin e standardeve të larta dhe cilësisë së kujdesit.

Miratimi i këtij projektligji shënon një hap vendimtar drejt ndërtimit të një sistemi më njerëzor, më të drejtë dhe më efikas për mbrojtjen e fëmijëve, duke vendosur familjen në qendër të kujdesit alternativ dhe të së ardhmes së tyre.