Ministria e Shëndetësisë

“Një dëshirë, një arsye për të buzëqeshur” është nisma solidare e ndërmarrë nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, në bashkëpunim me deputetët e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste në Kuvendin e Shqipërisë, e cila solli momente gëzimi për 138 fëmijë pa kujdes prindëror, të akomoduar në 6 shtëpitë e foshnjës dhe fëmijës në të gjithë vendin.

Në kuadër të kësaj nisme, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, prof. Evis Sala, së bashku me Kryetarin e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, vizituan shtëpinë e foshnjës “Hannah dhe Rozafa” në Tiranë, ku ndanë nga afër momente festive të nga festa e Krishtlindjeve me fëmijët dhe stafin e institucioneve të përkujdesjes.

Ministrja Sala falënderoi deputetët për mbështetjen e kësaj nisme dhe theksoi se fëmijët në të gjitha institucionet e kujdesit përbëjnë një prioritet absolut për qeverinë.

“138 fëmijët në të githa institucionet e kujdesit në të gjithë vendin janë prioriteti absolut i qeverisë. Me p/ligjin që miratuam pak ditë më parë “Për kujdesin alternativ në familje” synojmë kalimin nga institucinet rezidenciale në qendrat e përkujdesit për fëmijët pa kujdes prindëror. Përmes kësaj nisme ligjore të MSHMS-së, ligjërohen mekanizma të qarta mbështetjeje financiare për familjet kujdestare dhe për cdo fëmijë në kujdes alternativ si edhe mbështetje pas rikthimit të fëmijës në familje, për të siguruar që kthimi të jetë i qëndrueshëm dhe të shmanget ri-institucionalizimi”, theksoi ministrja Sala.

Nga ana e tij, Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, vlerësoi rëndësinë e nismës dhe angazhimin e përbashkët institucional për të qenë pranë fëmijëve pa kujdes prindëror, duke theksuar se investimi te fëmijët është investim për të ardhmen e shoqërisë.

Gjatë aktivitetit u shpërndanë dhurata të përgatitura posaçërisht për çdo fëmijë nga Deputetet e Grupit Parlamentar të PS, secila me emrin e tij dhe brenda një dëshirë të përmbushur, duke krijuar një atmosferë të ngrohtë dhe një ditë të veçantë për fëmijët.