Ministria e Shëndetësisë

Shqyrtimi i P/Ligjeve të Urdhrave të Profesionistëve në Komisionin Parlamentar
Ministri Beqaj: “Standarde profesionale dhe rol më i madh në rritjen e vazhdueshme të cilësisë së kontrollit të shërbimeve shëndetësore”

Tiranë, 9/9/2014 – Komisioni për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë është mbledhur sot (9/9/2014) për të shqyrtuar në parim projektligjet “Për urdhrin e mjekëve në Republikën e Shqipërisë” dhe “Për urdhrin e stomatologut në Republikën e Shqipërisë”. I pranishëm në mbledhjen e Komisionit, Ministri i Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj, theksoi në fjalën e tij se nisma për të sjellë ndryshime ligjore në funksionimin e urdhrave ekzistues erdhi jo vetëm si nevojë e homogjenizimit të ligjeve mbi të cilat mbështetej funksionimi i tyre, por edhe në ndjekje të programit qeverisës. Për këtë fakt, – vazhdoi më tej ai, – gjatë proçesit të hartimit të këtyre projektligjeve, është bashkëpunuar ngushtësisht me urdhrat përkatës, si dhe me shoqatën ekzistuese të stomatologëve, duke komunikuar vazhdimisht me ta në formë të shkruar, si dhe në tryeza  pune të përbashkëta.

Ndërkohë, që në programin qeverisës është marrë angazhimi që: “Urdhërat e profesionistëve të shëndetësisë do të reformohen duke u qeverisur me standarde të njëjta, duke u kërkuar të kenë rol më të madh në rritjen e vazhdueshme të cilësisë së kontrollit të profesionsitëve të shëndetësisë”, kjo detyrë u konsiderua prioritare dhe u vendos si e tillë brenda 300 ditëve të para të programit të punës, duke punuar për hartimin e një urdhri të ri, atë të stomatologut.

Shërbimi stomatologjik në Republikën e Shqipërisë është një nga shërbimet e para të privatizuara së bashku me shërbimin farmaceutik. Ndonëse, ky shërbim ka njohur ndryshime cilësore përgjatë këtyre 20 viteve mbetet ende shumë për t’u bërë në raport me etikën profesionale, kontrollin e standardeve në ushtrimin e profesionit dhe marrëdhëniet stomatolog – pacient. Programi qeverisës parashikohen që: “Shërbimi dentar ofrohet nga ofrues jopublikë jashtë vëmendjes së nevojshme të shtetit. Do të vendosen standarde profesionale në ofrimin e këij shërbimi, do të garantohet siguria e materialeve mjekësore dentare dhe do të kërkohet rivlerësimi periodik i aftësive profesionale të mjekëve stomatologë.

Takimi me profesionistë të fushës dhe të anëtarë të shoqatës së stomatologëve e risolli gjithashtu si nevojë këtë organizim profesional. Ndërkohë, vlen që të theksohet se  ligji i profesioneve të rregulluara në Republikën e Shqipërisë, numër 10171, datë 22.10.2009, në nenin 5, pika 1, gërma b e njeh profesionin e stomatologut si të pavarur, por deri më sot veprimtaria e tij është rregulluar së bashku me profesionin e mjekut. Ndaj shtimi numerik i këtyre profesionistëve në kushtet aktuale e sillte si domosdoshmëri të kohës ndarjen e Urdhërit të Mjekut në dy urdhra të pavarur.

Çfarë synojnë të homogjenizojnë urdhrat:

Qëllimin: rregullimi i marrëdhënieve të kësaj bashkësie profesionistësh jo vetëm kundrejt shtetit, por edhe në mbrojtje të popullatës nga kequshtrimi i një profesioni të caktuar.

Fushën e zbatimit të urdhrit: shtrirja në të gjithë territorin e vendit.

Statusin: të gjithë urdhrat janë ente publike, profesionale, të pavarura, jobuxhetore.

Misionin: i cili, pasurohet për të gjithë urdhrat me një detyrë të re – garantimin e përmbushjes së programit të riçertifikimit si pjesë e edukimit në vazhdim.

Projektligjet parashikojnë ndërmjet të tjerash që të kenë gjithashtu si detyrë të vazhdueshme përditesimin e regjistrit themeltar të antarëve, duke dërguar një kopje të raportit vjetor të punës së tyre pranë Ministrisë së Shëndetësisë. Urdhrat thirren të bashkëpunojnë me Ministrinë e Shëndetësisë gjatë hartimit të projektligjeve dhe dokumentave të rëndësishëm strategjikë në fushën e shëndetësisë.

Anëtarësia – që u njihet si e drejtë edhe shtetasve shqiptarë, por edhe atyre të huaj, të cilët plotësojnë kriteret e parashikuara në ligjin e profesioneve të rregulluara, si dhe në urdhrat përkatës. Kur anëtari nuk vepron konform rregullave, çdo vendim që merret për ndërprejen e antarsisë së tij nga ky urdhër, njoftohet me shkrim si tek vetë profesionisti, ashtu dhe tek instutucioni, i cili ka lidhje me punësimin e tij.  Në çdo urdhër përjashtohen nga antarësimi funksionarët e administratës shtetërore.

Buxheti i Urdhrit –  si ent publik i pavarur, Urdhri ka buxhetin e tij, të cilin e miraton Asambleja Kombëtare dhe e administron vetë Urdhri në përputhje me rregullat financiare në fuqi.

Organet drejtuese të Urdhrit – janë asambletë, këshillat, presidentët, komisionet disiplinore.  Këto organe, janë unifikuar në projektligjet e paraqitura për miratim dhe është parashikuar njëkohësisht mënyra e zgjedhjes në to, sëbashku me kriteret që duhet të plotësojnë anëtarët për t’u zgjedhur në këto organe. Asambletë janë organizuar në nivel kombëtar dhe rajonal. Për çdo urdhër  asambleja  është organi më i lartë drejtues dhe do të mblidhet çdo 5vjet. Kjo është padyshim një risi për disa urdhra,  të cilët në ligjet ekzistuese, thirrjen e Asamblesë për rizgjedhje, e kanë një herë në 4 vjet.  Asambleja Kombëtare e përbërë  nga të gjithë anëtarët e këshillave rajonalë, zgjedh Këshillin Kombëtar. Këshilli plotësohet edhe me anëtarë të tjerë nga insitucionet e tjera të lidhura me profesionet përkatese, si dhe përfaqësues të Ministrisë së Shëndëtësisë dhe të FSDKSH. Këshilli Kombëtar ka detyrë të mbikëqyrë veprimtarinë e organeve që varen nga urdhri.

Një pikë e rëndësishme, e cila vjen gjithashtu si risi në këto projektligje të paraqitura për miratim dhe që unifikohet në të gjithë urdhrat në fushën e shëndetësisë, është caktimi i pjesëmarrjes në masën jo më pak se 30% për çdo gjini  në organet kryesore të Urdhrit.  Ky parashikim bëhet me qëllim krijimin e një pjesëmarrjeje të gjerë të grave dhe vajzave në organet përfaqësuese.

Në dispozita të veçanta të përditësuara ose të shtuara për çdo urdhër, parashikohet edhe mënyra e zgjedhjes së Presidentit të Urdhrit, kriteret që duhet të përmbushin kandidaturat për këtë funksion, si dhe rastet kur përfundon mandati i presidentit të Urdhrit. Edhe kohëzgjatja e mandatit të presidentit është unifikuar në projektligjet e paraqitura për miratim, duke parashikuar periudhën prej 5 vitesh në të gjitha urdhrat, me të drejtë rizgjedhje jo më shumë se një herë.

Një ndryshim i rëndësishëm që vjen në këto projektligje dhe që parashikohet për të gjithë urdhrat është caktimi e një moshe limit për zgjedhjen e president të urdhrit. Projektligjet parashikojnë që, në momentin e zgjedhjes së presidentit të Urdhrit, kandidati nuk duhet të jetë më shumë se 63 vjeç, çka do të thotë se  mandati i tij do të përfundojë kur ai të jetë 68 vjeç.

Komisionet e rregjistrimit dhe të dhënies së të drejtës së ushtrimit të aktivitetit, parashikohet të mos jenë më organe drejtuese të urdhrave. Këto komisione, parashikohet të ngrihen dhe të rregullojnë veprimtarinë e tyre në statutin e vetë urdhrit.

Një aspekt i rëndësishëm në projektligjet e paraqitura është janë dhe dispozitat që parashikojnë masat disiplinore, të cilat janë thuajse  të unifikuara për të gjithë urdhrat profesionalë në fushën e shëndetësisë.

Konkretisht, parashikohet që komisioni disiplinor, i cili heton dhe gjykon në bazë të fakteve dhe provave të administruara dhe seancës dëgjimore, mund të caktojë masa disiplinore duke nisur nga:

  • vërejtjet me shkrim,
  • paralajmërim,
  • gjobë,
  • propozim për shkarkim nga funksione  drejtuese në institucione shëndetësore, publike dhe private,
  • pezullim nga e drejta e zgjedhjes në organet drejtuese të Urdhrit, për një periudhë deri në 3 (tre) vjet,
  • përjashtim nga Urdhri për një periudhë deri në 3 (tre) vjet.

Masa e gjobës që parashikohet në projektligjet e propozuara për miratim, mbetet sërish një masë fikse dhe i referohet masës së gjobës së parashikuar në ligjet ekzistuese që organizojnë urdhrat përkatës, e rivlerësuar sipas normës së inflacionit, nëpërmjet një përllogaritjeje të koefiçientëve të inflacionit që nga viti i themelimit të urdhërit deri tani.

Për të krijuar harmonizimin dhe kalimin gradual në organizimin e ri të urdhrave, veçanërisht për Udhrin e Mjekut dhe të Stomatologut, janë parashikuar edhe dispozita kalimtare.

—###—

Informacion mbi gjendjen e antarësisë së urdhrave

Numri i antarëve sipas urdhrave aktuale është:

  • Mjekë dhe stomatologë: 5,903 mjekë dhe 2,010 stomatologë, gjithsej 7,913 anëtare, vlerësohet që numri i antarëve të urdhrit të stomatologur të shkojë rreth 3000 sepse do të përfshihen edhe ndihmës stomatolog që kanë përfunduar një shkollë teknike të lartë.
  • Infermierë 16,600 antarë nga të cilët 2,300 janë të papunë, por kanë dhënë provimin e shtetit.
  • Farmacistë 2,445 antarë

Me provimin e shtetit, aktualisht merren vetë udhrat dhe do të vazhdojnë të merren edhe në të ardhmen. Ndërsa, sipas rezultateve të QKEV e ngarkuar për ndjekjen e edukimit në vazhdimin të profesionistëve të shëndetit, provimi i riçertifikimit do të zhvillohet nga Agjencia Kombëtare e Provimeve në bashkëpunim me QKEV.

—###—

 {:}