Ministria e Shëndetësisë

Pas 3 Vitesh Mungese të Pajustifikueshme, Rifillojmë 380 Specializime në Mjekësi
Beqaj: “Përgjegjësia jonë parësore, kujdesi shëndetësor ndaj qytetarëve”

Fjala e Ministrit të Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj, dhe e Dekanes së Fakultetit të Mjekësisë, Prof. Dr. Mira Rakacolli,  në takimin e sotshëm me studentë si dhe përfaqësues të fakultetit e profesoratit të mjekësisë gjatë zhvillimit të proçesit të shpalljes së fituesve dhe lidhjes së kontratave me specializantët e mjekësisë në mjediset e Dekanatit të Fakultetit të Mjekësisë.

Tiranë, 13/01/2015

—###—

Ministri i Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj:

Sot është përmbyllja e një proçesi shumë të rëndësishëm, që është ai i përzgjedhjes së fituesve për specializantët në mjekësi, apo fillimi i studimeve të nivelit të tretë, siç quhet praktikisht në arsimin e lartë.

Është një lajm shumë i mirë, jo vetëm për ata që do të fitojnë, por është dhe një lajm shumë i mirë për ne në shëndetësi, sepse më në fund rifillojmë një proçes, – i munguar prej disa vitesh, – që na kishte krijuar pasoja për të ardhmen, me boshllëqe në trupën shëndetësore.

Tashmë, janë persona që përfitojnë nga kuotat e Ministrisë së Shëndetësisë, por edhe studentë të tjerë që zgjedhin kuota të lira dhe të financojnë vetë studimet pas universitare.

Ndërkohë, për ata që janë me kontratë, siç edhe mund ta keni parë dhe mund ta shihni, po zhvillohet edhe proçesi i lidhjes së kontratës me Ministrinë e Shëndetësisë, – është një kontratë, drafti i së cilës është bërë publik për aspirantët prej disa javësh. Ajo çfarë kemi sanksionuar në draftin e kontratës dhe ata që e pranojnë të marrin përsipër, është që:

  • për tre vjet, do vazhdojnë të punojnë në vendin e punës për të cilin kanë lidhur kontratën;
  • nëse e shkelin këtë (kohëzgjatje të kontratës) 3-vjetësh, kanë një detyrim financiar prej 2 milion lekë (të reja), dhe,
  • e kanë të pamundur në 5 vitet që nga ai moment, të fillojnë punë në një institucion shëndetësor publik.

Është një detyrim, që besoj se në vitet e ardhshme, do të na ndihmojë të plotësojmë boshllëqe që janë krijuar. Por, edhe të krijojmë vijimësi në kujdesin shëndetësor.

Është një përgjigje, – mendoj unë, – kjo që bëmë sot, me një proçes të hapur, transparent, për ata që sot janë në opozitë, që bënë edhe sot një deklaratë publike; është një përgjigje ku plotësojmë një boshllëk dhe përgjigjia që dua t’u jap atyre, është që të paktën sot duhet të heshtin, nëse nuk kishit kurajon politike dhe personale të kërkonit të falur, për këtë bllokim që i bëtë specializimeve për rreth katër vjet, me pasoja edhe në një të ardhme të afërt, në nevojat për mjekë në Shqipëri.

Sigurisht që, ne kemi nevoja për mjekë, kemi edhe një angazhim politik, që specializimet të vazhdojnë vit pas viti, por, ndërkohë në këto 16 muaj, në punën time si ministër, bashkë me përpjekjet, – në gjykimin tim, – me rezultate dhe që kemi bërë për të furnizuar spitalet me barna; për të patur laboratore që mund të bëjnë ekzaminime diagnostikuese; për të ndihmuar punën e mjekëve; kemi konstatuar se, edhe formimi i tyre, me sa duket, ka boshllëqe që reflektohen në kujdesin shëndetësor.

Sigurisht, ministri i Shëndetësië ka për përgjegjësi të merret me trupën mjekësore, por ka përgjegjësinë parësore, kujdesin shëndetësor ndaj qytetarëve.

Prandaj, nga përvoja e mbledhur këto 16 muaj, nga studime të bëra nga organizata të ndryshme, – që kanë vlerësuar cilësinë e shërbimit të kujdesit shëndetësor, – nga trajnimi që i bëmë një trupe të madhe mjekësore në parësor për Programin e Kontrollit Bazë, – i cili ka filluar këto ditë, – kemi konstatuar që ka boshllëqe, boshllëqe që duhen rikuperuar dhe për të rikuperuar duhet fillimisht të njohim rezultatet, gjendjen ku jemi sot.

Ne bëmë një diskutim shumë të mirë me datën 12 dhjetor 2014 (Konferenca e zhvilluar në Ditën Botërore të Mbulimit Universal “Shëndet për të gjithë”), me fakultetet e mjekësisë, me urdhërat e profesionistëve (të shëndetit), – për të parë se kush duhet të jetë trupa e ardhshme shëndetësore për Mbulimin Universal.

Por, ndërkohë, kemi edhe një armatë të madhe mjekësh dhe infermierësh, që ofrojnë kujdes shëndetësor përditë, dijet e të cilëve duhen plotësuar.

Kjo gjë do të na shërbëjë, në rradhë të parë për të kuptuar ne, se sa më shumë duhet të investojmë në burimet njerëzore në mjekë dhe infermierë, për të plotësuar këto boshllëqe që kemi; së dyti, besojmë se do të orientojmë edhe më drejt, edhe ofertën e trajnimeve që ekzistojnë në shëndetësi; gjithashtu, është edhe një moment për të parë se si ka funksionuar në këto 5 vjet edukimi në vazhdim, për të parë më mirë ato kredite që janë përfitur nga ana sasiore, se çfarë niveli cilësie kanë arritur.

Dua të konfirmoj, që testimi nuk është për të larguar njeri nga puna. Ndërkohë, ne themi nuk kemi mjekë, as na shkon në mend të largojmë mjekë apo infermierë nga puna, por ndërkohë duam që dijet e tyre t’i dimë ku jemi sot dhe t’i plotësojmë, t’i përditësojmë.

Kam një përgjigje për ata që thonë “A ka përvoja të tjera?”, po jua lë juve, kjo është një përvojë amerikane, ka edhe përvoja të tjera, mund ta shikoni vetë, e kemi publikuar nëpërmjet (portaleve) të ministrisë, kjo është një gjë, për shembull që bëhet në Amerikë. Ka edhe përvoja të tjera, që periodikisht vlerësohen njohuritë, me qëllimin kryesor për t’i përmirësuar ato.

Gazetar #1:

Zoti Ministër, çfarë do të bëhet me ata mjekë, – të paktën një prej tyre, Dr. Tritan Kalo është shprehur për (televizionin) News 24, – nuk do t’i nënshtrohet provimit, pra, a do të përjashtohen këta mjekë që nuk do t’i nënshtrohen testit?

Ministri i Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj:

Le të vijmë tek dita e provimit. Në rradhë të parë të shikojmë rezultatet e këtij testimi. Po e përsëris, në rradhë të parë për të bërë një plan shumë më të mirë në të ardhmen, për të plotësuar boshllëqet që kanë; ata që do të zgjedhin të mos zbatojnë rregullat, do të marrin përgjigjen për mos zbatimin e rregullave.

Gazetar #1:

Po, në lidhje me këtë provimin që po realizohen me specializimet? Një ditë më parë, studentë të cilët kishin marrë shumë pikë, – 900 pikë nga 1000 të mundshme, – janë shprehur: ‘Për shkak të skemës, – e cila i paracakton që në fillim rregullat e lojës, sipas specializimeve që konkurojnë, – ajo i penalizon, për shkak se mund të futet në specialitet ‘x’ një me 300 pikë, dhe ata mbesin jashtë, edhe pse kanë marrë 900 pikë.’

Ministri i Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj:

Në prezencë të Dekanes së Fakultetit të Mjekësisë do të ngurroja të jepja një përgjigje, vetëm e vetëm në respekt, të punës shumë të mirë të punës që ajo dhe komisioni ka bërë gjithë këto javë. Megjithatë, po të përgjigjem me ato fjalë që the: ‘rregullat e lojës të paracaktuara!’

E rëndësishme në këtë proçes ka qenë: Kemi rregulla loje të qarta: të caktuara, të miratuara; fillimisht në Senatin e Universitetit të Mjekësisë, dhe pastaj, nga dy Ministritë, ajo e Arsimit dhe e Shëndetësisë;

I kemi ndjekur me rigorozitet.

Padyshim, që dikush që nuk është fitues, nuk mund të dalë i kënaqur nga ky proçes. Ka patur edhe ide të tjera, të ketë kuota vetëm me qarqe. Ndoshta, nuk ekziston një recetë ideale, por besoj, se ato rregulla të paracaktuara, – që ju i quajtët, – janë diskutuar gjerësisht në Senatin e Universitetit Mjekësor dhe janë ndjekur rigorozisht nga dita e parë e shpalljes e deri më sot.

Gazetare #2:

Zonja Rakacolli (Prof. Dr. Mira Rakacolli) si ka qenë proçesi? Në të vërtetë, ka edhe shumë diskutime, – ashtu sikundërse thotë edhe kolegu, – që ka qenë proçesi më transparent të paktën? Është vlerësuar edhe nga mjekët? Si ka qenë ky proçes?

Prof. Dr. Mira Rakacolli, Dekane e Fakultetit të Mjekësisë:

Proçesi ka qenë shumë transparent dhe ne gjatë gjithë kësaj kohe, kemi marrë vlerësime edhe nga studentët. Për të plotësuar ato që tha zoti Ministër, studentët kanë patur të gjithë kohën e duhur për të testuar këtë lloj rregulloreje, kanë patur përfaqësuesit e tyre edhe në Senatin e Universitetit, edhe në Këshillin e Fakultetit të Mjekësisë, dhe nuk e kanë ngritur këtë problem, por e kanë pranuar me votën e tyre.

Rregullorja ka dalë përpara se të bëheshin aplikimet, ata e dinin të gjithë, dhe çdokush ka aplikuar mbi bazën e asaj rregulloreje. Pastaj, ai që nuk del fitues, kërkon domethënë të gjejë shpjegime të tjera.

Për sa i përket organizimit, mendoj se ka qenë një nga proçeset më transparente ndonjëherë. Ka qenë një porosi e veçantë e Ministrisë së Shëndetësisë dhe e Ministrisë së Arsimit, dhe ka qenë mbështetja e tyre totale, për të bërë dhe për të vendosur rregullore sa më transparente, duke menduar për të bërë një intervistë, që ishte subjektive, përpara se të bëhej testimi; që mund të ngriheshin pretendime, që ky testim mundet të ndryshojë vlerat, – ashtu siç ishte një proçes shumë i përfolur përpara 3-4 vitesh.

Është bërë testimi në mjediset e AKP-së (Agjensia Kombëtare e Provimeve) me pyetje, të cilat kanë qenë të botuara në website me përgjigjet e tyre. Pra, të gjithë kandidatët i kanë pasur në duar një muaj përpara konkursit, kanë pasur në duar pyetjet e provimit të zgjidhura, që i përshtateshin programeve të studimit, që kishin studiuar në fakultet.

Edhe testimi është bërë në mënyrë të informatizuar, në mënyrë krejtësisht anonime; me pyetje, të cilat kanë dalë në momentin që kandidati është ulur për tu testuar dhe nga ky testim është përfituar shumica e pikëve.

Pjesa tjetër e këtij konkursi, pikët e tjera në konkurs janë marrë nga mesatarja e ponderuar, sepse detyrë e Fakultetit të Mjekësisë është të nxjerrë mjekë sa më të aftë, për të marrë në duar jetën e njerëzve dhe ne jemi të detyruar për të përdorur standarte për t’i përzgjedhur këta mjekë, për t’u siguruar që ata që do të vijnë, do të jenë vetëm mjekë me meritë.

Është vënë një standart që në fillim, nuk kanë pasur të drejtë të aplikojnë ata që kanë qenë me mesatare të ponderuar poshtë 7-ës (shtatës) dhe për këtë arsye, pikët që janë grumbulluar nga mesatarja kanë qenë vetëm 20%.

Kështu që, mendoj që ato rregulla që janë diskutuar me ministritë përkatëse, kanë qenë nga rregullat më bashkëkohore në Europë dhe në Amerikë.

Gazetare #2:

Sa është numri i specializantëve që do të kemi nga sot?

Prof. Dr. Mira Rakacolli, Dekane e Fakultetit të Mjekësisë:

Sot, kanë aplikuar 734 specializantë. Por, numri total i tyre do të jetë rreth 380.

Gazetar #3:

A do të ketë shtim të kuotave në degë të cilat regjistrimet kanë qenë më të pakëta? Këtu i referohem  Mjekësisë Ligjore ose trojeve?

Prof. Dr. Mira Rakacolli, Dekane e Fakultetit të Mjekësisë:

Ky nuk është problemi i Dekanatit pastaj.

Gazetar #4:

A ka patur në lista persona ose mjekë pa liçensë, apo pa Dëshminë e Urdhërit të Mjekut? Sepse ky është një nga pretendimet që ngrejnë.

Prof. Dr. Mira Rakacolli, Dekane e Fakultetit të Mjekësisë:

Absolutisht asnjëri!

Ajo që ju i referoheni, është një problemi i tillë që, në Rregulloren e Fakultetit, ka qenë, që ai që do të aplikojë për specializim, duhet të jetë i pajisur me liçensë, për faktin se ai duhet të shkojë të punojë dhe duhet të jetë i liçensuar.

Ju e dini që provimet e liçensës janë të paracaktuara. Regjistrimet mbylleshin me datën 12 Dhjetor, në një kohë që provimi i liçensës ishte i paracaktuar me datën 15 Dhjetor. Data 13 dhe 14 ishin e shtunë e diel.

Me një Urdhër të Ministres së Arsimit, zj. Lindita Nikolla, u lejua që të aplikonin vetëm ata kandidatë që e kishin emrin tek listat e datës 15, me kushtin që ata nënshkruan që: Në qoftë se ata nuk do ta merrnin provimin e liçensës, do të skualifikoheshin.

Dhe vërtet kështu ndodhi. Katër kandidatë të cilët nuk e morën provimin e liçensës, u përjashtuan nga lista, dhe vazhduan ata të tjerët.

Prof. Dr. Mira Rakacolli, Dekane e Fakultetit të Mjekësisë:

Desha të plotësoj diçka. Që nga momenti që u shpall rregullorja, ne kemi ndjekur shqetësimet që erdhën, – besoj se ju e keni ndjekur, – një shqetësim që lidhej me çështjen e gjuhës së huaj, ne reaguam dhe e zgjidhëm.

Pra, vërejtje të pranueshme dhe të arsyeshme që kishin studentët apo konkurentët, për rregulloren, pa filluar gara, ne reflektuam dhe i pasqyruam.

Gazetar #3:

Listën përfundimtare të fituesve, me këto ritme, kur do ta kemi?

Prof. Dr. Mira Rakacolli, Dekane e Fakultetit të Mjekësisë:

Sa të mbarojë proçesi. Ne do të punojmë derisa të arrijmë ta mbarojmë.

—###—

Për foto nga takimi, mund të konsultoni profiling zyrtar në Facebook të MSH: http://tinyurl.com/m2arede

VIDEO: http://www.shendetesia.gov.al/al/multimedia/video-galeri

dhe profilin zyrtar në Twitter të MSH: @BeqajIlir{:}