Ministria e Shëndetësisë

Për herë të parë, protezat ortopedike ofrohen falas në spitalin Rajonal të Vlorës

Beqaj: 1200 pacientë përfitojnë falas proteza ortopedike gjatë 2017-ës

– Shërbimi ofrohet për këdo që ka nevojë.

– Ortopedi Genci Mersini: Ndihmë shumë e madhe për pacientët por dhe për mjekët.

Vlorë, 10/01/2017 – Spitali Rajonal i Vlorës është spitali i parë jashtë Tirane, deri më tani, i cili ofron falas për pacientët që kanë nevojë protezë ortopedike. Deri më sot, janë rreth 15 pacientë të Qarkut të qytetit bregdetar që kanë përfituar nga ky shërbim.

Ministri i Shëndetësisë z. Ilir Beqaj ishte në spitalin Rajonal të Vlorës ku u takua me një prej pacientëve që ka përfituar protezë ortopedike falas. Kreu i Shëndetësisë tha se janë 80 milionë lekë të rialokuara për buxhetin e Spitalit të Vlorës vetëm për financimin e protezave.

“Kjo që kemi zgjedhur për të bërë një mënyrë kontraktimi që quhet marrëveshje e përgjithshme, që nuk e kemi stokun këtu, sipas rastit, kompania sjell një gamë materialesh mjekësore, pastaj mjekët zgjedhin atë që duhet, ne e shlyejmë në fund të muajit,” u shpreh z. Beqaj, ndërkohë që shpjegoi se janë rialokuar këtë vit 80 milionë lekë për buxhetin e këtij për Spitalin e Vlorës. “Kjo është ndihmë sigurisht për të sëmurët, mbështetje për mjekët që mund ta bëjnë siç duhet gjithë ndërhyrjen e tyre”, u shpreh ndër të tjerash, zoti Beqaj.

Ministri i Shëndetësisë bëri të ditur se janë afro 1200 veta në të gjithë vendin që do të përfitojnë proteza ortopedike falas gjatë këtij viti.

“Të paktën, 1200 vetë do të mund të marrin këtë shërbim, dhe kjo ka shumë të mira për pacientët, për mjekët, por edhe ne na lehtëson pak mbingarkesën në Tiranë. Se ne filluam të ofrojmë proteza në Tiranë në shtator, dhe direkt u rrit presioni ndaj këtyre, ma nis në Tiranë se atje është pa lekë pse ma mban këtu? Kështu që prandaj reaguam, që filluam që në fund të dhjetorit në fakt që të furnizonim edhe me protezat në mënyrë që të mund ti shërbejmë njerëzve. Të paktën, unë besoj që 1200 vetë këtë vit do të mund ta marrin këtë lloj shërbimi i cili ofrohet për këdo që ka nevojë”,  nënvizoi z. Beqaj.

Ndërkohë, z. Genci Mersini, ortoped në spitalin Rajonal të Vlorës, thotë se ecuria e pacientëve që kanë vendosur protezë falas në këtë spital është e mirë, teksa thekson se kjo është një ndihmë jo vetëm për pacientët dhe familjarët e tyre por edhe për vetë mjekët të cilët tashmë kanë mundësi për t’ju shërbyer më mirë pacientëve që kanë nevojë.

“Me ardhjen e këtij materiali këto operacione janë të përballueshme totalisht në spitalin e Vlorës dhe kjo është një ndihmë shumë e madhe që i jepet pacientëve dhe neve njëkohësisht për të realizuar shërbimin karshi pacientëve”, shprehet Mersini teksa shton se tashmë pacientët e Vlorës që kanë nevojë për protezë mund ta marrin atë në qytetin e tyre duke shmangur udhëtimet drejtë Tiranës apo në Ohër por edhe duke kursyer deri në 4 mijë euro nga të ardhurat e tyre.

—###—

Fjala e plotë e Ministrit të Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj:

Ne tani, të paktën këtë vit në Vlorë, kemi vënë në funksionim një mekanizëm që nga mjekët, momenti i marrjes së vendimit nga mjekët e deri në bërjen e operacionit, të paktën ne nuk krijojmë boshllëk në sigurimin e materialeve mjekësore. Ajo është e rëndësishme. Unë besoj se materialet mjekësore që kemi arritur të zgjedhim janë goxha cilësore.

Kjo që kemi zgjedhur që, për të bërë një mënyrë kontraktimi që quhet marrëveshje e përgjithshme që nuk e kemi stokun këtu, sipas rastit kompania sjell një gamë materialesh mjekësore, pastaj mjekët zgjedhin atë që duhet, ne shlyejmë në fund të muajit. Janë këtë vit 80 milionë, për buxhetin e këtij vitit të rialokuara për buxhetin e Spitalit të Vlorës. Kjo është ndihmë, sigurisht, për të sëmurët, mbështetje për mjekët që mund ta bëjnë siç duhet gjithë ndërhyrjen e tyre, sepse këta aftësitë i kanë patur por, edhe këta kur i thonin njerëzve shko blije pllakën vetë, ndiheshin në pozicion shumë më të sikletshëm, pastaj krijonte hapësirë dhe familjarët fillonin me të drejtë të dyshonin: Jo po ky, pse se ka? Pse e bën? Pse se bën? Dhe ky, 80 milionësh është pjesë e 1.8 miliardë lekëve që këtë vit janë për proteza në të gjithë Shqipërinë.

Të paktën, 1200 vetë do të mund të marrin këtë shërbim, dhe kjo ka shumë të mira për pacientët, për mjekët por edhe ne na lehtëson pak mbingarkesën në Tiranë. Se ne filluam të ofrojmë proteza në Tiranë në shtator, dhe direkt u rrit presioni ndaj këtyre, ma nis në Tiranë se atje është pa lekë pse ma mban këtu? Kështu që, prandaj, reaguam që filluam që në fund të dhjetorit në fakt që të furnizonim edhe me protezat në mënyrë që të mund ti shërbejmë njerëzve. Të paktën, unë besoj që 1200 vetë këtë vit do të mund ta marrin këtë lloj shërbimi i cili ofrohet për këdo që ka nevojë.

Intervista me mjekun Ortoped në Spitalin Rajonal të Vlorës, Dr. Genci Mersini:

Kjo ka rreth me lidhjen e kontratës me firmën që ka mundësuar ardhjen e materialeve të protezave të koksofemoralit në muajin dhjetor, ka filluar menjëherë intervenimi i të sëmurëve me protezë koksofemorali, dhe me material sinteze. Janë bërë disa raste, rreth 10-15 raste, se ne operojmë ditë për ditë me fraktura dhe me proteza kosksofemorale. Ky është një material shumë cilësor, material platini, me një kosto shumë të lartë. Është hera e parë që në spitalin e Vlorës vjen një set me këto përmasa, pasi më përpara, pacientët ishin të detyruar ti blenin duke patur kosto që një protezë, për shembull, koksofemorali në spitalet e tjera, – operoheshin në Tiranë, operoheshin në Ohër, – vinte me një kosto rreth 3-4 mijë euro, varet nga cilësia e protezës, gjithmonë.

Tani, ne, me ardhjen e këtij materiali, këto operacione janë të përballueshme totalisht në spitalin e Vlorës dhe kjo është një ndihmë shumë e madhe që i jepet pacientëve, dhe neve njëkohësisht, për të realizuar shërbimin karshi pacientëve.

Ecuria ka qenë shumë e mirë. Risia e interventit është që pacientin ta kthejë në jetë aktive, ta shkëpusë nga krevati, të qetësojë dhimbjet, shërbimi sanitar të kryhet sa më mirë, pra, ideja është të rritet cilësia e jetesës! Nuk diskutojmë që kemi pacientë të moshës së tretë 60-70-80 vjeç, ne në spitalin tonë kemi operuar pacientë 90-vjeç, nuk mund ta shikojmë një familjar, dhe vetë pacienti që është i instaluar në krevat, që pak t’ia kapësh këmbën ai fillon të ulërasë, ka problemet e dekubitusit, problemet e trombozës, probleme të tjera shëndetësore që mund të ndodhin nga fraktura dhe nga qëndrimi në krevat tani. Menjëherë, sa pacienti vjen këtu, pasi kompletohet me të tëra analizat laboratorike dhe funksionale, 1-2 ditë, maksimumi 3 ditë, i nënshtrohet ndërhyrjes kirurgjikale e cila realizohet me sukses nga stafi jonë.

Moshat janë të alternuara. Moshat e reja, kryesisht, vijnë se duke patur dhe zhvillimin tani ka shumë aksidente automobilistike të cilat realizojmë, bëhet ndërhyrja kirurgjikale për fiksimin e frakturës, kurse për moshat e treta dhe me koksartrozat, kemi arritur të realizojmë për protezë koksofemorale.

Kapacitetet janë totalisht të pranueshme, dhe me këtë set kaq modern që ju ofrua spitalit të Vlorës, ne jemi të gatshëm të përballojmë këto ndërhyrje kirurgjikale që mund të kenë nevojë pacientët në spitalin tonë.

Gjithë ndërhyrja që realizohet në spitalin e Vlorës nuk ka kosto financiare për pacientin dhe realizohet falas në spitalin e Vlorës.

—###—{:}