Ministria e Shëndetësisë

Kryeministri Edi Rama: “Vitin e ardhshëm fillon shërbimi shëndetësor falas tek mjeku i familjes”
Diskutimi i Kryeministrit Edi Rama në konferencën për media me rastin e mbylljes së 2015

***

…Lajmi i ri dhe lajmi i mirë tek shëndetësia është se vitin e ardhshëm fillon shërbimi shëndetësor falas tek mjeku i familjes. Nuk do të ketë më asnjë tarifë, asnjë pagesë për mjekun e familjes. Nga ana tjetër bazuar tek projekti ynë i madh kombëtar i check-up falas për 870 mijë qytetarë të moshës 40-65 vjeç që e përfitojnë këtë kontroll shëndetësor çdo vit, ne iu kemi kursyer qytetarëve, 45 milionë dollarë.
Këtë shifër ta shënojnë dhe ta mbajnë mend mirë të gjithë ata që janë vërsulur në mënyrë barbare kundër këtij projekti dhe që e kanë përfshirë në listën e shënjestrave për të gjuajtur me baltë.
Nga ana tjetër, për herë të parë kemi vendosur bazën për të pasur atë që çdo shtet normal e ka prej shekujsh apo prej shumë dekadash, atë që ne na mungon; një panoramë të gjendjes shëndetësore të popullsisë dhe një instrument për të identifikuar në kohë probleme që janë në zhvillim dhe që mund të parandalohen, si dhe për të përcaktuar edhe gjithë profilin e politikave dhe shpenzimeve në shëndetësi.
Nuk po zgjatem me çmimet e barnave që janë konsoliduar përfundimisht në minus 30%, krahasuar me dy vite më parë. Një ulje, prej të cilës përfitojnë drejtpërdrejtë qytetarët, ashtu sikundër përfitojnë dhe 70 milionë dollarë, ose 100 dollarë për familje nga heqja e taksës mbi ilaçet. Deri dy vjet më parë taksohej çdo aspirinë. Këto janë para që ne kemi parapëlqyer t’i lëmë në xhepat e qytetarëve dhe jo t’i marrim me taksa në buxhetin e shtetit.
Ka një gamë të tërë  masash të tilla lehtësuese që kanë rritur fuqinë blerëse të qytetarëve dhe sigurisht kanë ulur masën e parave të mbledhura në buxhetin e shtetit, por është e para që na intereson më shumë se e dyta. Dua të nënvizoj dhe një fakt tjetër të panjohur, që gjatë këtij viti është rritur dhe forcuar shërbimi i urgjencës, çka mbetet një sfidë shumë e madhe, pasi kemi ende një urgjencë shumë të prapambetur, por atyre që bënë gjithë atë zhurmë duke ngritur të gjithë helikopterët për të bombarduar këtë projekt, dua t’u them se këtë vit urgjenca ajrore ka kryer 400 fluturime shpëtimi më shumë se sa në vitin e kaluar apo në vitet e tjera, që as nuk mund të bëjmë asnjë krahasim.
***
…Pyetja e dytë, rreth dy muaj më parë ju tentuat të kalonit në parlament ligjin për kriminalizimin e shpifjes, por u tërhoqët pas gjithë asaj zhurme të shkaktuar, në mënyrë që ta korrigjonit këtë Nen. A jeni i vendosur, zoti Kryeministër që ta kaloni këtë projektligj në 2016-n?
…Përsa i përket shpifjes, miqtë e mi, unë jam i keqardhur që në atë formulim pati një lapsus nga ana jonë dhe u la të kuptohej sikur qëllimi ishte që kriminalizimi i shpifjes të prekte shtypjen e gazetarit. Kjo nuk ka qenë asnjëherë pjesë e të menduarit lidhur me këtë çështje. Të menduarit lidhur me këtë çështje vjen nga fakti se ne jetojmë në një vend ku shpifet më shumë se ç’shpifet në çdo ditë në të gjithë vendet e tjera të marra së bashku, të paktën në kontinentin Europian dhe në të gjitha ato pjesë të tjera të botës ku ka normalitet demokratik.
Ju siguroj se nëse do të bëni një kërkim statistikor, gjë që mbase nuk është e mundur, por është teorike, nuk shpifet në një ditë, në të gjithë globin ku ka shtete normale sa ç’shpifet në Shqipëri në një ditë të vetme. Nuk kriminalizohet askund politika, individi dhe shoqëria siç kriminalizohet në Shqipëri, nëpërmjet politikës.
Ne flasim për dekriminalizimin, është një proces i cili ishte i nevojshëm dhe shumë mirë që pati një rezultat konkret. Sot ka një bazë për të mos lejuar që persona me precedentë penalë të gjykuar për një sërë veprash penale të marrin mandate apo të punojnë në administratën shtetërore, por kriminalizimi është kthyer në një problem edhe më të madh. Është kthyer në një çështje kulturore. Kriminalizohet gjithçka dhe gjithëkush, për interesa që nuk kanë të bëjnë me të vërtetën dhe për fat të keq, kjo krijon një hapësirë dhe një mjegull kaq të madhe sa çështjet reale, problemet reale të korrupsionit, të kriminalitetit, të marrëdhënieve të dyshimta mes faktorëve të ndryshëm të treten, të mos kenë fokus.
Nëse çdo ditë fjala hajdut, fjala kusar, fjala kriminel, thuhet kaq shpesh dhe për çdo gjë, atëherë humbet kuptimin dhe peshën kur thuhet aty ku duhet, për problemin e duhur. Kjo është e thjeshtë.
Këtu gjithë kjo atmosferë, faktikisht lehtëson pozicionin dhe mjegullon hapësirën ku në fakt korrupsioni vepron, e vështirëson luftën reale ndaj korrupsionit dhe identifikin real të veprave të korrupsionit.
Këtu mjafton të bësh një përpjekje normale për të ndërtuar partneritet publik-privat dhe je menjëherë i akuzuar për hajdut, për i korruptuar, për i kriminalizuar. Menjëherë, automatikisht.
Është lapidare ajo që ndodhi me hemodializën. Lapidare, është rast spektakolar për të parë se si një aktivitet fitimprurës për njerëzit në nevojë për hemodializë, që iu kursen para, mund, sakrifica, kohë atyre mund të kriminalizohet në një farë feje që është e patolerueshme. Kjo nuk është demokraci. Kjo nuk është liri e fjalës. Kjo është liri e shpifjes, e shtypjes dhe e krijimit të një presioni përmes shpif, shpif, shpif se diçka do të mbetet. Një proces që kryhej njësoj, që paguhej njësoj, por që kondiciononte vajtjen e njerëzve për të bërë hemodializë vetëm në dy vende këtu në Tiranë dhe që hapet me të njëjtat para në shumë pika të tjera, duke mos e detyruar atë që ka nevojë të vijë nga Korça në Tiranë, por ta bëjë atje. Si mund të kriminalizohet? Si ka mundësi?! Ju mora një shembull, mund t’ju marr shembuj të tjerë.
Check-up, ju thashë 45 milionë dollarë kursejmë çdo vit nga xhepat e qytetarëve dhe ajo që marrim është një bazë të dhënash që jemi i vetmi shtet që nuk e ka, për të bërë politika në shëndetësi. Kriminalizim total.
***
…Një opozitë që thotë “na kopjuat programin”, edhe qameti kur thërret, nuk thërret në mënyrë kaq të dëshpëruar. Ky kriminalizim i përditshëm, harrojeni se do të ndryshojë bindjen time. Ne do të vazhdojmë të bëjmë reforma. Ne do të vazhdojmë të bëjmë partneritete publike, private. Kriminalizimi i privatizimit, i koncensionit, i partneritetit publik privat si koncepte, është një histori që ne e kemi trashëgim nga e shkuara, dhe e kemi peshqesh nga kultura e kriminalizimit. Një privatizim mund të jetë shumë më i dobishëm, mund të jetë shumë i gabuar. Mund të jetë shumë efikas për të përmirësuar një sektor, mund të jetë shumë i dëmshëm. Një koncension mund të jetë shumë i dobishëm, mund të jetë dhe shumë i dëmshëm. Këto janë mekanizma të këtij sistemi që kemi zgjedhur. Patjetër, koncesione, partneritete publike private, pa asnjë hezitim, por me një qëllim, që të përmirësojmë shërbimet, përndryshe kujt i duhen. Ç’do tw thotw të marrësh të privatizosh hidrocentrale që janë fitimprurëse. Hidrocentrali është fitimprurës. Ti e merr e privatizon, ia jep dikujt që nuk është marrë kurrë me hidrocentrale dhe i ul edhe çmimin, me demek se po i rimburson TVSH-në. Ky është krim, ky nuk është privatizim. Por një hidrocentral që nuk funksionon, që është me humbje, që është në rrezik, që kërkon investime që ti nuk i ke mundwsitw, e të tjera, – ne nuk kemi një të tillë-, atëherë patjetër që do ta privatizosh.
U bë nami në Tiranë kur unë futa partneritetin me privatët për linjat e atobuzëve. Ja ku e keni sistemin. Nuk është më i miri, se ju e dini në duar të kujt ngeli Tirana atëherë, se sot është në duar të sigurta.
Ne nuk kemi këtu një ndarje me thikë me gjërat, ne jemi të majtë, të botës së re, jo të botës që ka marrë fund në shekullin e kaluar. Aty ku zgjidhja është privatizimi, bëhet privatizim, bëhet koncension, bëhet partneritet. Aty ku zgjidhja është përmirësimi i shërbimit dhe mundësi për të bërë një shërbim më të mirë, bën këtë. Kaq. Nuk ka ideologji këtu. Këto ideologjizma janë histori. Këto nuk është punë ideologjie. Këtu është punë kriminalizimi, dhe nëse koncensionet e bëra kanë dëmtuar interesin publik, kanë dëmtuar arkën e shtetit dhe nuk e kanë sjellë produktin, kjo është përgjegjësi politike dhe ka gjithmonë një përgjegjësi.

Nëse këto dëme kanë ardhur si pasojë e korrupsionit, kjo është përgjegjësi e penale, por, provojini. Unë i kam bërë verifikimet e mia hollësisht. Nuk më rezultojnë. Nuk jam unë që vendos. Të dali media e pavarur, të bëhen investigime të pavarura, me prova, me fakte, dhe unë ju sfidoj të gjithëve nëse unë si kryeministër nuk jam kallëzuesi i ministrit, nëse ministri ka bërë korrupsion.
Por që unë të pranoj që nga procesi i kriminalizimit të degradohet imazhi i një ministri apo ministreje qëllimisht, dhe pastaj të kërkohet koka. Kjo nuk ndodh. Kjo është barbari, sepse reformat i udhëheq unë dhe jam unë që i shtyj të gjithë ministrat, për t’i thënë “shko përpara”, dhe këto janë të gjitha projekte të debatuara, të diskutuara, të vendosura me grupe pune, me ekspertë, me diskutime të brendshme. Nuk ka pasur në këto 25 vjet, një qeveri që ka një diskutim të brendshëm siç kemi ne, – nuk ka pasur, ju siguroj unë për këtë, – dhe një komunikim të vazhdueshëm për të punuar në skuadër.

—###—{:}