Ministria e Shëndetësisë

Rikonstruksion i plotë edhe për QSH Koplik dhe Ana e Malit me mbështetjen e TIKA-s
Ministri Beqaj: “Në fokus, parandalimi dhe diagnostikimi i hershëm”

Koplik, Malësi e Madhe | 10/4/2015 – Banorët e fshatit të Koplikut të Sipërm, në Malësinë e Madhe dhe komunës Ana e Malit, në rrethin e Shkodrës, do të përfitojnë tashmë shërbim të kujdesit shëndetësor në qendrat shëndetësore përkatëse të rikonstruktuara tërsisht dhe të pajisura me materiale e pajisje shëndetësore të reja. Lajmi u bë i ditur nga Ministri i Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj, dhe Amabasadori i Republikës së Turqisë në Shqipëri, z. Hidajet Bajraktar, gjatë vizitës së tyre sot (10/04/2015) në mjediset e saporikonstruktuara të Qendrës Shëndetësore të Koplikut të Sipërm, falë mbështetjes dhe ndihmës financiare të TIKA-s (Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim).

Ky është një tjetër projekt i suksesshëm që realizohet me ndihmën e çmuar dhe mbështetjen bujare të TIKA-s, pas ndërhyrjeve të tjera të rëndësishme që përfshijnë shërbimet e pediatrisë, urgjencës dhe reanimacionit në Spitalin Rajonal të Vlorës; në sallën operatore, laborator, reanimacion dhe kabinetin e imazherisë në SUOGJ “M. Geraldinë”; në urgjencën e Spitalit të Kukësit; në laboratorin e Biokimisë në Poliklinikën Nr. 1 në Tiranë; qendrat shëndetësore Rrogozhinë, Ana e Malit dhe Koplik i Sipërm.

Duke falënderuar TIKA-n dhe popullin vëlla turk për ndihmën që vazhdojnë të japin vendin tonë, dhe posaçërisht, për zbatimin e këtij projekti të rëndësishëm në sektorin e kujdesit shëndetësor, Ministri Beqaj tha midis të tjerash se kjo “është një ndihmë e madhe për banorët e kësaj zone,” duke shtuar se, “ne besojmë se sistemi ynë i kujdesit shëndetësor duhet të orientohet përherë e më tepër te parandalimi, te diagnostikimi i hershëm,” në referencë të shtrirjes së zbatimit me të njëjtën cilësi e me të njëjtat standarde të Programit të Kontrollit Bazë pa pagesë 40-65 vjeç jo vetëm në Tiranë, por në çdo komunë e fshat të territorit të Shqipërisë.

“Unë besoj se edhe ndihmat që japin në vijimësi edhe personelit mjekësor, mjekëve dhe infermierëve, lehtësimi i madh nga barra burokratike me zëvendësimin e Librezës së vjetër të Shëndetit me Kartën e re të Shëndetit, me fillimin nga data 1 prill të lëshimit të recetës së barnave me rimbursim çdo dy muaj dhe jo çdo muaj, i jep mundësi mjekëve që të merren shumë më tepër me qytetarin, me pacientin, dhe të lehtësohen nga barra administrative,” – tha z. Beqaj.

Sipas kreut të shëndetësisë, qendrat shëndetësore do të rrisin standartet e punës së tyre, prandaj pas rikonstruksioneve të godinave do të punohet për nxitjen e programeve bazë për të rritur cilësinë e mjekëve dhe infermierëve.

Nga ana e tij, Ambasadori z. Bajraktar, siguroi Ministrin Beqaj për mbështetjen e mëtejshme për projektet e përmirësimit të sistemit të kujdesit shëndetësor në vend.

—###—

Projektet e realizuara me mbëshetjen financiare të TIKA-s 
në sistemin e kujdesit shëndetësor në Shqipëri – Viti 2014

I. – Rikonstruksion i Spitalit Rajonal të Vlorës (Pediatria dhe Urgjenca) dhe sigurim pajisjesh

Në Spitalin Rajonal të Vlorës është kryer rikonstruksion i përgjithshëm i departamenteve të Pediatrise dhe Urgjencës, si dhe janë siguruar pajisje mobiliare dhe shëndetësore. Është montuar edhe sistemi i oksigjenit në Dhomën e Reanimacionit në Pediatri.

II. – Sigurim Pajisjesh Laboratorike dhe Fuqizim Kapacitetesh për SUOGJ “Mbretëresha Geraldinë”

Në Spitalin Universitar Obstetrik-Gjinekologjik “Mbretëresha Geraldinë” janë siguruar pajisje laboratorike moderne dhe janë përmirësuar ndjeshëm kapacitetet e shërbimit të Reanimacionit, si dhe atij të Kabinetit të Imazherisë. Është mundësuar gjithashtu një Sallë e re Operatore në shërbimin e Kirurgjisë dhe janë vendosur 6 inkubatorëve të rinj në shërbimin e Neonatologjisë.

III. – Rikonstruksioni i Urgjencës në Spitalin e Kukësit dhe Sigurimi i Pajisjeve Shëndetësore

Është realizuar rikonstruksioni i Urgjencës në Spitalin e Kukesit, si dhe janë siguruar pajisje shëndetësore të teknologjisë së fundit.

IV. – Sigurimi i Pajisjeve për Laboratorin e Biokimisë në Polikliniken Nr. 1 në Tiranë

Është mundësuar sigurimi i pajisjeve për Laboratorin e Biokimise të Poliklinikës Nr. 1 në Tiranë.

V. – Rikonstruksioni dhe Sigurimi i Pajisjeve Shëndetësore për Qendrën Shëndetësore Rrogozhinë

Është realizuar rikonstruksioni dhe janë siguruar pajisjet mjekësore për Qendrën Shëndetësore të Rrogozhinës.

VI. – Rikonstruksioni dhe Sigurimi i Pajisjeve Shëndetësore për Qendren Shëndetësore Ana e Malit

Është realizuar rikonstruksioni dhe janë siguruar mobiljet dhe pajisjet mjekësore për Qendrën Shëndetësore Ana e Malit.

VII. – Rikonstruksioni i Qendrës Shëndetësore Koplik i Sipërm

Është realizuar rikonstruksioni i Qendrës Shëndetësore Koplik i Sipërm.

—###—

Për foto nga takimi, ju lutem konsultoni faqen zyrtare në Facebook të MSH:

https://www.facebook.com/media/set/?set=a.386452831542773.1073741857.127646634090062&type=1

 {:}