Ministria e Shëndetësisë

Diskutimi i plotë i Ministrit të Shëndetësisë z. Ilir Beqaj, në seancën dëgjimore të zhvilluar sot (10/11/2014) në Komisionin e Punës, Cështjeve Sociale dhe Shëndetësisë, për shqyrtimin në parim të projektligjit “Për buxhetin e vitit 2015”.

—###—

Ministri Beqaj: Më lejoni që së bashku të diskutojmë projekt buxhetin e vitit 2015 në shëndetësi. Sigurisht që është një nga ngjarjet më të rëndësishme të vitit, në radhë të parë për ne që punojmë në sektor dhe që kemi për detyrë për ta çuar përpara.

Buxheti i shëndetësisë për vitit 2014-2015 është 41,23 miliard lekë ose 410 milion dollarë (amerikanë), nëse do të marrim kursin 1 me 1100.

Pra, është hera e parë që buxheti I shëndetësisë në Shqipëri e kalon nivelin e 400 milion dollarëve (amerikanë). Në krahasim me vitin 2014, pra me buxhetin 2014, rritja nominale është 2,3 miliard lek, buxheti i shëndetësisë duke përfshirë transfertën nga buxheti i shtetit, si dhe kontributet  e sigurimeve shëndetësore rritet në krahasim me vitin 2014 me 6%. Dhe, nëse buxheti i shtetit i konsoliduar rritet me 4%, fakti që ka një rritje më të madhe në peshë specifike se rritja e përgjithshme, do të thotë që vetë shëndetësia përbën prioritet për qeverinë, që materializohet edhe në këtë projektbuxhet. Buxheti i Shëndetësisë për vitin 2015 është sa 2.8% e PBB-së.

Pra, konsolidojmë atë që arritëm vitin e kaluar për herë të parë, duke ruajtur nivelin 2.8%, madje siç jeni të njohur, meqënëse edhe kësaj here, edhe në nivel programi buxhetor, ne kemi paraqitur si qeveri projektbuxhetin 3-vjeçar, edhe në 2016, edhe në 2017, ruajmë nivelin 2.8% të PBB-së.

Investimet me financim të brendshëm janë në nivelin e vitit 2014. Ndërkohe, po bëjmë krahasimet me projektbuxhetin fillestar, sepse me aktin normativ, arritëm të kemi një buxhet shtesë vetëm për investimet.

Programi i shëndetit publik do të marrë një vëmendje të veçantë. Ai do të financohet me 2.7 miliard lekë duke patur një shtesë nominale 189 milion lekë, krahasuar me vitin 2014. Gjatë vitit 2015 do të financohet në mënyrë të plotë programi i dezinsektimit të mushkonjave që filloi për herë të parë vitin e kaluar. Eksperienca e këtij viti, shërben si një bazë e mirë për të ofruar nje program të shtrirë në të gjithë vitin dhe me një mbulim më të mirë në të gjithë territorin. Mbrojtja e shëndetit nga efektet e dëmshme të duhanpirjes, alkoolit, obezitetit do të jenë në fokus të promocionit shëndetësor. Do të forcohen kapacitetet laboratorike për përballimin e kërcënimeve të ndryshme epidemiologjike.

Kujdesi Parësor: Programi i kujdesit parësor do të financohet me 18.2 miliard lek, me një shtesë nominale prej 1 miliard lek. Viti 2015 do të jetë viti i zbatimit të plotë 365 ditë të kontrollit shëndetësor bazë pa pagesë, për shqiptarët rezidentë të grupmoshës 40-65 vjeç. Ky është hapi i parë drejt vendosjes së mbulimit universal. Tashmë është miratuar protokolli mjekësor i programit bazë, janë hartuar kurrikulat e trajnimit, ka filluar trajnimi i personelit shëndetësor dhe është përzgjedhur kontraktori, që për një periudhë 10 vjeçare do të mbështesë aspektet logjistike dhe të këmbimit të informacionit të këtij program. Tarifa e kontraktuar individuale e kontrollit bazë për një person është 1,536 lek (+ TVSH).

Programi do të realizohet në të gjitha qendrat shëndetësore parësore të vendit, si dhe do të mbështetet nga 5 njësi të lëvizshme për të mbuluar plotësisht edhe zonat më të largëta të vendit , si dhe zonat që në një pjesë të dimrit u vështirësohet transporti. Ky program shënon hapin e parë konkret drejt parandalimit dhe diagnostikimit të hershëm të sëmundjeve kryesore, që rrisin sëmundshmërinë, shtojnë invaliditetin, shkurtojnë vitet e shëndetshme dhe prodhojnë humbje të parakohshme jetësh njerëzore. Kështu, orientojmë qendrën e sistemit të kujdesit shëndetesor në vend, nga mënyra tradicionale e fokusuar tek sëmundja drejt fokusimit tek shëndeti. Zbatimi i kontrollit bazë shëndetësor pa pagesë, është hap konkret drejt reduktimit  të barrierave financiare, gjeografike dhe kulturore që kanë hasur tradicionalisht shqiptarët  në qasjen e kujdesit shëndetësor parësor.

Fondi i barnave të rimbursueshme ka një rritje me rreth 567 milion lekë në krahasim me vitin 2014. Gjetjet e zbatimit të projektit pilot të recetës elektronike në rrethin e Durrësit të realizuar këtë vit, janë nje bazë e shëndetshme, për të filluar zbatimin në të gjithë vendin, në periudhën 2015–2016.

Programi i kujdesit parësor do të financohet me 19,913.06 miliard lekë, me një shtesë nominale 971.06 milion lekë.

Sistemi Spitalor – Do të fuqizohet dhe optimizohet në kapacitetet diagnostikuese dhe kuruese. Eksperienca pozitive e vitit 2014 në furnizimin e vijueshëm me barna , materiale mjekësore dhe kite e reagentë, do të konsolidohet dhe zgjerohet.

Funksionimi i përditshëm i pajisjeve biomjekësore do të garantohet me kontratatë mirëmbajtje full-risk afatgjata, që tashmë janë realizuar. Do të fillojë të ofrohet edhe në spitalet rajonale, shërbime që tradicionalisht janë ofruar vetëm në spitale universitare, përfshirë shërbimin e kimioterapisë, shërbimin e koronarografisë dhe shërbimin paliativ. Në shërbimin e kirurgjisë në të gjithë spitalet e vendit do të përmirësohet ndjeshëm inventari i instrumentave kirurgjikale dhe do të ofrohet një nivel shumë i lartë sterilizimi.

Do të zgjerohet dhe konsolidohet bashkëpunimi me institucionet shëndetësore jopublike.

Paketat e shërbimeve të kujdesit spitalor janë kontraktuar dhe buxheti 2015 mbulon financimin e tyre. FSDKSH ka tashmë bazën ligjore të kontraktojë edhe me dhënës shërbimesh jashtë vendit, në ato raste kur institucionet vendase nuk i ofrojnë paketat që janë përcaktuar. Në buxhetin e kujdesit spitalor do të përfshihet edhe mbulimi i shpenzimeve të kryera jashtë vendit për raste të veçanta, të cilat deri më sot janë paguar nga fondi rezervë i Këshillit të Ministrave. Miratimet për rastet e veçanta do të bëhen nominalisht nga Këshilli i Ministrave.

Investimet kapitale që pritet të fillojnë, ku përfshihen 17 milion euro e kredisë së Bankës së Këshillit të Europës për shërbimin e kirurgjisë së përgjithshme dhe spitalin e sëmundjeve të brendshme në QSUT; 5 milionë euro të kredisë së Qeverisë Italiane për Spitalin Universitar të Traumës; 14 milionë euro të kredisë austriake për shëndetësinë elektronike (e-Health); dhe, 2 milionë euro të kredisë austriake për fuqizimin e programit kombëtar të radioterapisë, do të rrisin ndjeshëm cilësinë e kujdesit në shërbimin spitalor.

Në vitin 2015 do të fillojë zbatimi i projektit të vendosjes së modelit bashkëkohor të kostimit dhe për rrjedhojë, të financimit të shërbimit spitalor (Grupimi Sipas Diagnozave – Diagnosis Related Groups ose DRGs) që financohet nga program i konvertimit të borxhit Italian (IADSA).

Në vitin 2015, buxheti i shëndetësisë është pasuar edhe me një program të ri buxhetor, atë të Urgjencës Mjekësore.

Ligji sapo është miratuar në datën 30, ndërkohë ka filluar përfitimi i asistencës teknike të huaj, për të ndërtuar modelin e vendosjes në territor, sistemin e ndërlidhjes dhe funksionin e qendrës së komandës dhe kontrollit.

Në vitin 2015 do të ngrihet institucioni i Shërbimit të Urgjencës Mjekësore, do të hartohen protokollet mjekësore, do të hartohen kurrikulat e trajnimit dhe do të fillojë proçesi i trajnimit të infermierëve, që do të jenë pjesë e këtij shërbimi. Do të vijojë fuqizimi i flotës së autoambulancave dhe do të realizohet një gadishmëri e plotë e përditshme e automjeteve dhe pajisjeve mjekësore të autoambulancave.

Në mbështetje të mirëfunksionimit dhge mbarëvajtjes së sezonit turistik, do të funksionojnë edhe rreth 15 qendra shëndetëtsore të përkohshme në periudhën maj–shtator përgjatë gjithë vijës bregdetare, si dhe në disa qendra turisitike brenda vendit që kanë numër të lartë vizitorësh.

Rritja e fondeve për barna e materiale mjekësore për përdorim spitalor, rritja e fondeve për barnat e rimbursueshme, afrimi kujdesit sa më pranë vendbanimeve, funksionimi i vijueshëm i pajisjeve biomjekësore, fuqizimi i kapaciteteve të urgjencës mjekësore, përdorimi e gjerë i shëndetësisë elektronike do të ndihmojnë edhe në ngushtimin e hapësirave për dukuri korruptive.

Numri i punonjësve të Ministrisë së Shëndetësisë  është 3,463 punonjësish.

Në këtë numër janë përfshirë, përveç strukturave aktuale, plotësimi i strukturës së Agjencisë së Barnave dhe Materialeve Mjekësore, sipas funksioneve që do të marrë ky institucion, si dhe numri fillestar për krijimin e Qendrës Kombëtare të Urgjencave Mjekësore prej 20 punonjësish.

Do të rriten kapacitetet institucionale të Agjencisë së sapokrijuar të Barnave dhe Materialeve Mjekësore, me qëllim rritjen e garancisë së barnave që qarkullojnë në vend, si dhe fillimin e vendosjes në treg në mënyrë të kontrolluar të materialeve dhe pajisjeve mjekësore.

Inspektorati Shëndetësor Shtetëror do të veprojë në mënyrë të plotë në të gjithë territorin e vendit.

Ju faleminderit!

Drejtuese e seancës, znj. Klodiana Spahiu, Deputete e PS-së: Faleminderit zoti Ministër për paraqitjen e materialit tuaj. Ju falenderojmë edhe për dërgimin e materialit edhe më përpara. Po ashtu, doja t’ju përgëzoja për ato çfarë keni realizuar deri më sot, siç është: Kostimi i paketave, heqja e TVSH-së, ndryshimi i fondit për Kimioterapinë, disa pajisje për kardiokirurgjinë dhe disa të tjera, që ju tashmë i keni realizuar.

Kisha disa pyetje, pasi lexova këtë materialin që na keni dërguar.

Pyetja ime e parë është: Si e justifikoni ju mungesën e sektorit të investimeve?

Pyetja tjetër është, në lidhje me shëndetin publik, i cili është një nga sektorët më të rëndësishëm, bazuar edhe në programin e Qeverisë për shëndetësisë, problemi kryesor nuk është dezinsektimi në këtë sektor kaq të rëndësishëm. Cili do të jetë prioriteti tjetër për shëndetin publik dhe sa përqind të buxhetit zë shëndeti publik?

Pastaj po vazhdojmë me kujdesin parësor, meqë renditja është kështu. Këtu flitet për një kontroll shëndetësor bazë, që e kemi patur në programin tonë të shëndetësisë dhe është një arritje shumë e rëndësishme, pasi do të na japë një databazë të saktë të sëmundshmërisë në vendin tonë.

Do të isha e interesuar të dija si do të funksionojë, si do të realizohet praktikisht ky kontroll, kjo paketë bazë dhe a do të jenë të instaluara këto pajisje apo aparatura, pranë qendrave shëndetësore ekzistuese, apo nuk do të ishte më mirë, që ky investim i kryer, përmes një kontraktori, të realizohej me investimet tona dhe të mbetej si investim i yni, duke patur parasysh që janë 12 spitale rajonale dhe supozohet që do të jenë 12 poliklinika, duke marrë parasysh nga një për çdo qytet të rëndësishëm të vendit, ku janë edhe spitalet rajonale, nëse do të ishte atashuar dhe do të ishte ngritur niveli i laboratoreve në secilën prej këtyre poliklinikave e vendit tonë, a do të jetë kështu apo ndryshe?

Në lidhje me kujdesin spitalor, do të doja shkurtimisht një informacion mbi situatën e furnizimit me medikamente në tërë spitalet rajonale, dhe kaq, faleminderit!

Seanca e pyetjeve është e hapur!

Deputet #1: Keni pranuar zoti Ministër që do të ketë shërbime ekstra, siç janë koronarografia apo kimioterapia. A mund të dimë se në cilat spitale rajonale është parashikuar? Financimi i huaj është vetëm me minus, duke parë tek tabela, pse ndodh kjo? Çfarë keni parasysh zoti Ministër kur thoni se do të forconi kapacitetet laboratorike në katër spitale rajonale, ku konkretisht dhe sa është fondi i parashikuar?

Faleminderit!

Deputet #2: Në fakt mua më duket si përsëritje, por ajo që më bën përshtypje, ju thoni që investimet për vitin 2015 janë ulur me 9%, si justifikoni këtë ulje të këtyre investimeve? Mendoni se nuk ka nevojë shëndetësia për të vazhduar investimet në infrastrukturë?

Deputet #3: Për sa i përket Spitalit Rajonal i Elbasanit, dihet që ai funksionon me një pjesë të buxhetit me të ardhurat e veta, kur spitalet e tjera nuk kanë të ardhura të dyta, do të ketë ndonjë planifikim të veçantë për repartin e dializës, apo do të vazhdojë kështu?

Deputet #4: Për sa i përket kujdesit parësor, ju thatë se do të bëhet check up-i  për grupmoshën 40-65 vjeç, pranë qendrave shëndetësore dhe ju thatë se do të mbështetet nga pesë njësi të lëvizshme. Si do të realizohet sensibilizimi në zona kaq të largëta dhe që të mund të realizohet plotësisht check up-i për këta persona?

Ministri Beqaj: Shëndeti Publik në vitin 2015, përbën 6.6% të buxhetit të shëndetësisë nga 6.5% që përbënte vitin e kaluar.

Si do të funksionojë Check-Up-i? Në çdo qendër shëndetësore, njerëzit do të ftohen të paraqiten në muajin e lindjes, në mënyrë që të kemi një shpërndarje të fluksit dhe duhet të fillojë brenda datës 25 nëntor, meqënëse me buxhetin e dhjetorit e fillojmë Check-Up-in që në fillim, në bazë të detyrimeve kontraktore.

Do të kemi një fushatë masive sensibilizimi, kemi fondet e parashikuara për këtë vit dhe pastaj për çdo vit, do të kemi fushatën përkatëse të sensibilizimit, simodos sepse çdo vit, do të duhet të kemi ata njerëz, që për herë të parë janë në grupmoshën 40 vjeçare.

Në zonat rurale do të përdorim forma të larmishme informimi, të ndryshme nga zonat urbane, duke përdorur edhe elementë që sot janë përdorur në fushata të tjera sensibilizuese në zonat rurale.

Së pari dua t’ju them, që në kontratën që kemi realizuar, në fund të investimit, i gjithë investimi që bëhet nga kontraktori, mbetet pronë publike, që do të thotë: Të gjitha pajisjet  që do të furnizohen në  420 qendrat shëndetësore, 5 njësi të levizshme, 20 laboratorët që  do të ngrihen enkas për këtë qëllim në të gjithë Shqipërinë, do të jenë pjesë e shëndetësisë publike ,në fund të përfundimit të kontratës 10 vjecare. Është kërkuar, që brenda 3 viteve të fundit, kontraktori të rinovojë të gjithë investimin fillestar që do të bëjë.

Ndërsa, lidhur me konsolidimin e laboratoreve të spitaleve…

Deputet #1: Jo, më fal, jo të spitaleve, sepse i konsiderojme “gia” të konsoliduara. Flasim për poliklinikat që janënë çdo qytet, ku janë këto spitale rajonale.

Ministri Beqaj: Atëherë, lidhur me përmirësimin e të gjithë shërbimit laboratorik në Shqipëri, jo vetëm për ato analiza që përfshin kontrolli bazë, por për të gjitha llojet e tjera të analizave, ne kemi filluar një bashkëpunim me International Finance Coorporation (IFC), që është krahu privat, – le të themi, – pranë Bankës Botërore dhe po studiojmë mundësinë e dhënies në “outsourcing”  të gjithë shërbimit laboratorik në qendrat tona shëndetësore të nivelit spitalor dhe parësor.

Besoj se brenda vitit të ardhshëm, do të kemi një ide më të plotë, se si do të rrisim këto kapacitete.

Si është gjendja në spitale në furnizimin me barna dhe materiale mjekësore?

Në spitalet tona kemi një gjendje të mirë të furnizimit me barna dhe materiale mjekesore. Për të plotësuar nevojat e përfundimit të vitit, sapo janë përfunduar proçedurat e negocijimit, për të plotësuar disa boshllëqe në disa spitale apo në disa shërbime të QSUT-së që kishim.

Vendimi i qeverisë për bërjen aktiv të një fondi , të miratuar në javën e parë të tetorit, besoj se brenda javës,  fillojmë furnizimin e spitaleve me barna dhe materiale mjekësore, që të mund të garantojmë mbarëvajtjen deri në fund të vitit 2014.

Lidhur me pyetjen për investimet. Me 9 % ulje janë investimet me para të huaja, investimet e brendshme janë në të njëjtin nivel si në vitin 2014, ndërsa investimet me financime të huaja, janë me 9% ulje, sepse ne kemi  investime shumë të rëndësishme, vepra shumë të mëdha, që fillojnë vitin e ardhshëm. Por niveli i tyre i disbursimit do të jetë jo i shpejtë, sepse kemi një kredi 17 milion EUR, që pritet të meret nga Banka e Këshillit të Europës (CEB), për të cilën kanë mbaruar negociatat në Paris më 31 Tetor.  Ne po punojmë me Ministrinë e Drejtësisë, për të përgatitur versionin ligjor zyrtar të marrëveshjes. Bbesoj se marrëveshja do të vijë për miratim në Kuvend brenda këtij viti, në të kundërt brenda janarit e sigurtë. Por, proçedura e prokurimti të fillimit të projekteve dhe më pas të zbatimit, bëjnë që në vitin 2015, për këtë projekt, bëjnë që të kemi një nivel ralativisht të ulët të zbatimit të investimeve të huaja.

Edhe për kredinë 5 milion euro, që ishte dhënë nga Qeveria Italiane për Spitalin e Traumës (në atë kohë Spitali Ushtarak), është aktivizuar. Kemi përfunduar  me asistencën teknike, pjesën teknike dhe besoj se, sipas termave kohor që ka Kooperacioni Italian për miratimin, fillimisht të dokumentave të garës dhe pastaj rezultatet e garës, nuk besoj se arrijnë të lidhin kontratë përpara muajit tetor dhe nuk besoj se arrijnë të lëvrojnë në mënyrë substanciale brenda vitit 2015.

E vetmja pjesë e plotë që do të realizohet në mënyrë të plotë nga financimet e huaja, është programi i shëdetësisë elektronike , apo E-health siç quhet, program që u miratua në Korrik në Kuvend, që sapo ka filluar dhe vitin tjetër është pjesa më kryesore e zbatimit të tij.

Besoj se, brenda datës 20 nëntor përfundojnë negociatat edhe me Bankën Botërore për kredi 40 milion dollarë (amerikanë) në fushën e shëndetësisë. Por, në vitin e parë të projektit, disbursimet janë në nivele shumë të ulëta.

Ku do të jepet shërbimi i kimioterapisë?

Shërbimi i kimioterapisë vitin e ardhshëm do të funksionojë: Në Durrës, që sapo është bërë gati Kabineti; Do të funksionojë në Spitalin “Shefqet Ndroqi” për pjesën e mushkërive. Jashtë Tirane, pastaj do të jetë: në Korçë, në Vlorë, në Shkoder dhe në Elbasan.

Si janë përzgjedhur këto?

Në radhë të parë janë përzgjedhur… Me mundësitë financiare që kishim, nuk mund të hapnim 12 qendra, kjo ishte gjëja e parë.

E dyta, bazuar në burimet njerëzore që mund të siguronim dhe në volumin e punës që mund të kryejnë për këtë shërbim këto spitale.

Fondi i dezinsektimit vjetor, për vitin e ardshëm është 80 milion lekë, nga 30 milion lekë që përdorëm këtë vit.

Investimet e huaja janë minus 9%, besoj se e dhashë përgjigjen.

Lidhur me problemin që kanë spitale të ndryshme, që deri më sot, pjesë të buxhetit të tyre kanë patur edhe shërbimin e dializës: Duke filluar nga janari i vitit të ardhshëm, pjesa e dializes, – meqënëse tashmë ka një paketë, ka një kostim, Fondi (FSDKSH) do t’ia çojë veçmas spitaleve me të njëjtën tarifë, siç i’a paguan edhe operatorit jo-publik, siç kemi sot dy kontrata me tre operatorë të ndryshëm.

Në Këshillin e Fondit  (Këshilli Administrativ i FSDKSH) do të vendosim se si do të bëhet ndarja e parave që do të shkojnë për shpenzime personeli dhe për shpenzime të tjera, barna dhe materialë mjekësore.

Lidhur me senzibilizimin për kryerjen e Chek-Up-it, që është një nga sfidat kryesore, ne synojme që, së paku, vitin e ardhshëm, të arrijme 70% (shkallë) pjesëmarrjeje.

Jua thashë, në fund të nëntorit dhe gjatë muajit dhjetor, kur fillon më mënyrë të plotë Check-Up-i, kemi në plan një fushatë masive sensibilizimi, por, ndërkohë do ta vazhdojmë këtë program në mënyrë të vijueshme, çdo muaj.

Besoj se këto ishin pyetjet e deritanishme, nuk e di nëse kam lënë ndonjë gjë pa përgjigje?

Deputet #4: Dua të bëj dy pyetje, e para lidhet me projektbuxhetin e 2015, dhe me paratë që ju, nëse e keni menduar, për t’ia kaluar kërkimeve shkencore në fushën e mjekësisë. Unë do të doja të dija sa është kjo shifër, sepse me reformat në arsim, shumë universitete, duan të dinë edhe për projektet, mbase Universiteti i Mjekësisë do të ketë këtë lloj iniciative për të marrë më shumë fonde nga Ministria përkatëse.

Së dyti, a keni menduar në buxhet për të rritur rrogën ose pagesën e mjekëve, mbase ky shërben si instrument për të ulur korrupsionin?

Ministri Beqaj: Lidhur me pyetjen e parë, pjesa e financimit për kërkimin shkencor në universitetet publike, nuk kalon nga Ministria e Shëndetësisë, është diçka që lidhet me Ministrinë e Arsimit, pra nuk është pjesë e buxhetit të shëndetësisë.

Ne kemi një kontribut, që realizojmë kërkim shkencor nëpërmjet Institutit të Shëndetit Publik, i cili ka fonde në nivelet që kanë qenë, që janë relativisht modeste.

Ndërsa lidhur me pyetjen e dytë, politika e pagave në shëndetësi, është një politikë pagash uniforme si për gjithë buxhetin në vitin e ardhshëm. Ka vetëm një element të ri, i cili lidhet me fillimin e financimit të paketave, që do të thotë:

Ajo pjesë që, është miratuar paketa, është konsideruar normë fitimi për institucionet jo publike dhe praktikisht, Vendimi i Qeverisë ka përcaktuar që, norma e fitimit te dializa është 5%, ndërsa tek të gjitha paketat e tjera 8%, këtë pjesë e merr spitali si të ardhur dytësore dhe në Këshillin Administrativ të Fondit (FSDKSH) kemi vendosur rreth 90% e kësaj, të përdoret për shpërblim për punë të mirë që realizojnë mjekët dhe infermierët. Krijon një problem, se fillimisht e përfitojnë ata mjekë që po e ofrojnë, le të themi, shërbimin e tyre “të paketuar”.

Do të vazhdojmë zgjerimin e paketave vitin e ardhshëm, dhe për pasojë, do të vazhdojë të shtrihet edhe në shërbime të tjera, edhe në mjekë e infermierë të tjerë.

Unë mendova, edhe pse formati i buxhetit është i tillë, unë e mora si kërkesë propozimin e zotit Vasili, që ne pas disa ditësh, t’ju sjellim ne se çfarë kemi ne të parashikuar në mënyrë të detajuar, që në seancën e datës 24, kur ta miratojmë nen për nen, të kemi disa ditë përpara gjithë parashikimin tonë të investimeve, se ne kemi një total, kemi edhe një parashikim. Unë mund t’jua them që tani, por besoj se është më mirë t’jua sjell me dokument.

Ministri Beqaj: Ngritja e plotë e Inspektoratit Shtetëror Shëndetësor, e ka koston 0, sepse punonjësit sot janë pjesë e DSHP-së dhe do të kalojnë atje. Pjesën për të ngritur, atë që do të quhet drejtoria e përgjithshme, e kemi përballuar gjatë këtij viti.

—###—

 {:}