Ministria e Shëndetësisë

Ruajtja e shëndetit në Evropë – Balancimi i prioriteteve, ndarja e përgjegjësive

Ministri Beqaj në Forumin Ndërkombëtar të Gastein për Shëndetësinë

Tiranë, 01/10/2015 – Ministri i Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj, mori pjesë në punimet e Forumit të 19-të Evropian të Shëndetit (EHFG – The European Health Forum Gastein), që u zhvillua në datat 28-30 shtator në Gastein, Austri. Tema qëndrore e takimeve të Forumit të sivjetshëm të Gastein-it ishte ndërtimi i sistemeve të qëndrueshme shëndetësore dhe përmirësimi i performancës së sistemit të ofrimit të kujdesit shëndetësor, për garatimin e shëndetit të popullatës, duke balancuar prioritetet dhe duke ndarë përgjegjësitë.

Ministri Beqaj mbajti një prezantim në sesionin special, “Financimi i sëmundjeve jo-të transmetueshme,”  të Forumit, ku u theksua se shëndeti publik vazhdon të jetë ende përparësi e anxhendave qeverisese por, u saktësua gjithashtu se për të ndërtuar sisteme shëndetësore efektive, duhet që të ketë sinergji me të gjithë sektorët e tjerë.

Në takimet e tjera që kreu i shëndetësisë zhvilloi gjatë punimeve të Forumit, u diskutua për mundësitë direkte të bashkëpunimit, si edhe u përcaktuan hapat konkretë që duhet të ndiqen për të finalizuar me një aktivitet të përbashkët në Shqipëri, të mikpritur nga Ministria e Shëndetësisë, me praninë e përfaqësuesve nga të gjitha vendet e Europës Juglindore.

Gjithashtu, në vëmendje të përfaqësuesve të lartë evropianë të politikë-bërjes në fushën e shëndetit në këtë Forum ishte edhe vlerësimi i mënyrave për t’u përballur me sfida të tilla, si multi-sëmundshmëria në rrethanat e një popullsie në plakje, objektivi i të cilave, ishte ndër të tjera, edhe shqyrtimi për zbatimin me efektshmëri të kujdesit shëndetësor parësor.

Forumi EHFG është aktiviteti më i rëndësishëm në Bashkimin Evropian për diskutimin e çështjeve të lidhura me shëndetin dhe një pikë-takimi e ekspertëve të fushave të ndryshme brenda sistemit të ofrimit të kujdesit shëndetësor. Ky Forum ofron një platformë unike, që përbëhet nga ekspertë, politikë-bërës, opinion-bërës dhe përfaqësues të grupeve të interesit nga fusha e hartimit dhe përpunimit të politikave të kujdesit shëndetësor.

Gjatë 18 viteve të fundit, EHFG-ja është zhvilluar, duke u shndërruar në një institucion, i cili trajton dhe diskuton prirjet dhe zhvillimet aktuale dhe të ardhshme në politikën shëndetësore evropiane, duke luajtur kështu, një rol në përpunimin e politikës shëndetësore evropiane. EHFG-ja mbështetet nga institucione të ndryshme, që përfshijë Komisionin Evropian, Ministrisë Austriake të Shëndetësisë dhe provincën e Salzburgut. EHFG-ja organizohet nga Forumi Ndërkombëtar i Gastein-it.

—###—

Për foto të tjera nga Forumi, mund të ndiqni link-un: http://tinyurl.com/ng7sh3b{:}