Ministria e Shëndetësisë

Shqipëria dhe Kroacia nënshkruajnë planin e ri 3-vjecar të bashkëpunimit për shëndetësinë dhe mjekësinë

Beqaj: Në fokus, urgjenca mjekësore, shëndetësia elektronike dhe barnat

Tiranë, 4/11/2015 – Ministria e Shëndetësisë e Republikës së Kroacisë dhe Ministria e Shëndetësisë e Republikës së Shqipërisë nënshkruajnë Planin e Bashkëpunimit në fushën e Shëndetësisë dhe atë të Mjekësisë për vitet 2015 – 2018, bazuar në Marrëveshjen dypalëshe të nënshkruar në Tiranë më 27 tetor 2003. Lajmi u bë i ditur gjatë vizitës zyrtare që Ministri i Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj, zhvilloi në këtë kuadër më 2-3 nëntor në Zagreb, me ftesë të homologut kroat, Ministrit të Shëndetësisë të Republikës së Kroacisë, z. Siniša Varga, DMD.

Plani i ri i bashkëpunimit dypalësh do të përqëndrohet në aspekte të ndryshme me interes reciprok të kujdesit shëndetësor në vendet përkatëse. Për Ministrinë e Shëndetësisë Shqiptare, aspekte të rëndësishme të bashkëpunimit janë ato që lidhen me prioritetet në zbatimin e Programit të Qeverisë, ku midis të tjerash, theks të veçantë do të kenë: funksionimi i kujdesit shëndetësor parësor dhe marrëdhëniet e tij me qeverisjen vendore; shërbimi kombëtar i urgjencës mjekësore; reforma në tregun e barnave dhe pajisjeve mjekësore; si dhe, shëndetësia elektronike.

Gjithashtu, bashkëpunimi dyplaësh do të shtrihet edhe në fushat e tjera të kujdesit shëndetësor, si edukimi dhe kërkimi shëndetësor; dërgimi i pacientëve shqiptarë në Kroaci për shërbim të specializuar të rasteve të veçanta; format e shkëmbimit të informacionit mbi programet shëndetësore; shkëmbimi i publikimeve dhe literaturës edukative në shëndetësi; shkëmbimi i ekspertëve dhe grupeve të studimit; programet afat-shkurtëra të bashkëpunimit; pjesëmarrja e përfaqësuesve dhe ekspertëve të palëve në tubime shkencore dhe në projektet e ndërmarra; zbatimi i trajnimeve të specializuara për punëtorët shëndetësorë, e bursistë nga Shqipëria në Kroaci.

Gjatë vizitës së tij në Kroaci, Ministri Beqaj pati takime edhe në Agjencinë Kombëtare Kroate për Produktet Medicinale dhe Pajisjet Mjekësore, HALMED, ku mori angazhimin e përfaqësuesve të këtij institucioni për të mbështetur modernizimin e Agjencisë Kombëtare shqiptare të Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore, si dhe për të realizuar si analiza të barnave, por edhe për të ofruar prezencë të ekspertëve GMP kroatë në liçensimin e linjave të prodhimit të barnave në Shqipëri.

Pjesë e rëndësishme e bisedimeve me HALMED-in, ishte edhe angazhimi reciprok për të shfrytëzuar mundësitë e bashkëpunimit në kuadrin e programeve të binjakëzimit në rrugën e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Po ashtu, kreu i shëndetësisë shqiptare zhvilloi një takim me drejtues të Qendrës Shëndetësore të Zagrebit, ku u njoh me mënyrën e organizimit, të financimit, sistemit të referimit, marrëdhënies me pushtetin vendor, dhe përdorimin e shëndetësisë elektronike.

Vizita e Ministrit Beqaj u përmbyll me takimin në Institutin Kroat të Urgjencës Mjekësore, ku u njoh me përvojën e suksesshme kroate në ngritjen e një sistemi efiçent të urgjencës mjekësore; me kriteret e përdorura në përcaktimin e vendodhjes në territor të qendrave të autoambulancave; standardet profesionale të personelit mjekësor, autoambulancave dhe pajisjeve mjekësore në to; si dhe të sistemeve të komandës dhe të kontrollit.

—###—

 

 

 {:}