Ministria e Shëndetësisë

Spitali i Traumës me Skaner të Ri dhe Shërbim Modern Telemjekësie
Beqaj: “Vijon puna për përmbusjen e angazhimeve në kantierin e shëndetësisë”
Ellingstad: “Jemi duke ecur në drejtimin e duhur”

Tiranë, 3/4/2015 – Spitali Universitar i Traumës (SUT) do të ketë tanimë një pajisje të re të porsainstaluar të ekzaminimeve imazherike CT Scan (Computer Tomography Scan), financuar prej Buxhetit të Shtetit, si dhe Shërbimin modern të Telemjekësisë, falë mbështetjes financiare dhe teknike të USAID Albania dhe Zyrës së ODC-së (Office for Defence and Cooperation – Zyra e Bashkëpunimit Ushtarak) të Ambasadës së SHBA-ve në Shqipëri. Lajmi u bë i ditur në ceremoninë e përurimit të këtyre investimeve të teknologjisë së lartë të organizuar sot (3/4/2015) me drejtues, mjekë e punonjës të këtij institucioni, në të cilin morën pjesë Ministri i Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj dhe z. Marc Ellingstad, Drejtor për Programet e Zhvillimit në USAID Albania.

“Skaneri i ri rrit kapacitetet diagnostikuese për traumat” – tha midis të tjerash në fjalën e tij Ministri Beqaj, duke theksuar se “kemi hedhur kështu, një hap të mëtejshëm në kantierin e rimëkëmbjes së kësaj qendreje spitalore, pas financimit dhe ngritjes së laboratorit të ri të urgjencës, financimit të 5 respiratorëve dhe vënies në punë të 10 monitorëve të rinj për shërbimin e reanimacionit dhe ndërhyrjeve të tjera për përmirësimin e infrastrukturës së SUT-së.” Gjithashtu, sipas ministrit, skaneri i ri do të ndihmojë edhe për kryerjen e ekzaminimeve imazherike që do të rimbursohen nga Fondi (FSDKSH – Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor), ndërkohë që shërbimi i ri i Telemjekësisë, do të ndihmojë në trajtimin e specializuar të rasteve të traumës që raportohen nga spitalet rajonale në vend, pa pasur nevojë që pacientët të vijnë në Tiranë.

Në takimin me mediat të zhvilluar në Qendrën e porsangritur të Telemjekësisë, e cila është e pajisur me teknologjinë më moderne dhe të avancuar të telemjekësisë të instaluara nga Programi i Integruar i Telemjekësisë dhe Shëndetit Elektronik në Shqipëri, kreu i shëndetësisë falënderoi përzemërsisht për mbështetjen e pakursyer dhe bujare që USAID-i dhe populli amerikan kanë dhënë përgjithësisht për përmirësimin e kujdesit shëndetësor në Shqipëri nëpërmjet zhvillimeve inovative në këtë sektor në Shqipëri, dhe veçanërisht, në fushën e telemjekësisë dhe shëndetit elektronik, duke siguruar  partnerët e këtij programi pesë-vjeçar se Ministria e Shëndetësisë, është plotësisht e vendosur ta mbështesë këtë program edhe pas përfundimit të financimit të ofruar USAID-i.

Gjithashtu, z. Beqaj shprehu mirënjohjen ndaj përfaqësuesve të USAID edhe për ndihmën që ata po japin nëpërmjet projekt të mbështetjes teknike për krijimin e shërbimit kombëtar të traumës, emergjencave dhe urgjencave mjekësore, për ngritjen e qendrës kombëtare për koordinimin e kërkesave për kujdes emergjent, si dhe për krijimin dhe forcimin e kapaciteteve tona për të ofruar kujdes shëndetësor në këto fusha.

Ndërkohë, z. Marc Ellingstad tha në fjalën e tij, “Fokusi i Ministrisë së Shëndetësisë në përmirësimin në Shqipëri të kujdesit ndaj pacientit të traumës është për t’u përgëzuar. Ka ende shumë punë për të bërë, por këto shenja përparimi tregojnë se jemi duke ecur në drejtimin e duhur.”

—###—

Në vijim, fjala e plotë e Ministrit Beqaj në Takim.

Përshëndetje,

Kur filluam këtë aktivitet, në fakt po më vinte në mendje një takim pune i bërë në zyrën time, në mos gaboj në Tetor 2013, me disa nga mjekët që janë këtu. Unë jam gati 19 muaj ministër, – ka qenë takimi më i vështirë i punës, që kam bërë këto 19 muaj.

Por, së pari, jam i kënaqur, që sot jemi po ata njerëz, që do të thotë, që kemi vendosur të dëgjojmë njëri-tjetrin, të pranojmë që gjithsecili të thotë nga “A” tek “ZH” çfarë ndjen dhe mendon për përmirësimin e punës, dhe që pastaj gjithsecili angazhohet brenda mundësive, për të çuar gjërat përpara.

Se çfarë gjërash keni arritur të çoni përpara, i tha drejtori i spitalit (z. Gjovalin Bushi, Drejtor i SUT) dhe ndoshta nuk është rasti që unë t’i ripërsëris, por mes atyre çfarë tha drejtori, së pari, sigurisht, çfarë më lind mua të them, është faleminderit mjekëve dhe infermierëve, që janë po ata që kanë qenë edhe në 2013,  edhe po në 2014-ën, por që kanë arritur të bëjnë më shumë volum shërbimi dhe kujdesi spitalor.

Nga çfarë tha drejtori, ka më shumë, shumë më tepër volum në ekzaminime, nuk ka më shumë raste kirurgjikale, sepse praktikisht unë besoj se, kjo vjen dhe nga fakti, që puna e Qeverisë për të përmirësuar ndjeshëm sigurinë rrugore, ka filluar ta japë rezultate në mënyrë të tërthortë edhe këtu.

Ne kemi në 2014-n kundrejt 2013-ës rënie me 26% të aksidenteve rrugore dhe traumat. Por, kjo s’do të thotë që nuk do të kemi trauma. Prandaj, sigurisht ne që merremi me drejtimin e punëve të përditshme, e quajmë arritje që s’kemi krijuar borxhe, por që në fakt, në fund të fundit, as për ju si mjekë, as për ata që na dëgjojnë qytetarët, s’është një punë, se këtë detyrë kemi, të bëjmë punën.

Mund ta përdorim ndonjëherë si krahasim, por për të thënë që me një buxhet në nivelet siç ka qenë historik, kemi arritur të bëjmë më shumë.

Ndërsa, këto të dyja që inagurojmë sot, janë hope cilësore për spitalin e Traumës:

Në radhë të parë, Qendra e Telemjekësisë, dhe besoj se të gjithë jemi dakort, që është momenti për të falënderuar popullin amerikan, që nëpërmjet USAID-it financon ngritjen e sistemit të Telemjekësisë në Shqipëri, në funksion të telekonsultës, por edhe të fuqizimit  të edukimit në vazhdim – shumë të domosdoshëm. Gjithashtu, edhe Zyrën e Bashkëpunimit Ushtarak, pranë Ambasadës, sepse në gjithë këto vite, të gjithë këto 15 qendra telemjekësie, janë mbështetur me punime civile nga ajo zyrë, me teknologji dhe transferim njohurish, nëpërmjet financimeve të USAID-it.

Por, sigurisht është edhe vënia në punë e skanerit, që u vu në punë sot, që do të thotë, është një ndihmë e madhe, në radhë të parë për pacientët që vijnë në Qendrën Kombëtare të Traumës.

Unë gjykoj që, është ndihmë edhe për vetë ju që jeni mjekë këtu, qoftë për mjekët imazheristë që bëjnë një diagnozë shumë më të saktë, por edhe ju pastaj që ndërhyni, në kirurgjinë që keni, ekzaminime shumë më të sakta. Dhe gjithashtu, unë besoj se, ky skaner, – për mundësitë që ofron dhe për personelin e kualifikuar që është këtu,- do t’i shtohet edhe mundësive që ne i ofrojmë qytetarëve shqiptarë, që duan edhe nga lista e pritjes të bëjnë ekzaminime normale imazherike.

Dhe duke qenë se jemi tek kjo pikë, besoj brenda qershorit do të arrijmë të vemë në punë edhe rezonancën magnetike, do t’ia shtojmë përsëri fuqinë diagnostikuese këtij spitali, duke u përpjekur të mbyllim ciklin e plotë të diagnostikës brenda spitalit, në raste traumash.

Me Fondin e Sigurimit të Detyrueshëm (FSDKSH – Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor) dhe me drejtorinë e spitalit, kemi rënë dakort që, dijet që ju keni, t’i vëmë në shërbim edhe të kujdesit ambulator për Tiranën, që është bërë e madhe dhe do vazhdojë të rritet, që besoj brenda këtij viti, edhe pjesa e rrjeteve ambulatore, do të jetë këtu brenda sistemit të referimit. Dhe gjithashtu, objektivi ynë madhor, është edhe bërja realitet e financimit të qeverisë italiane, që do ta rrisë pastaj, në mënyrë shumë të ndjeshme, cilësinë e shërbimit që jepet në këtë spital. Drejtori tha, që kemi përmirësuar furnizimin me barna, funksionimin e laboratoreve, gjë që është e vërtetë. Por, jemi ende jo aty ku duhet, kundrejt cilësisë së shërbimit dhe sasisë së shërbimit, që duhet t’i ofrojmë qytetarëve tanë.

Nëse nuk ankohen më, që në spitalin e Traumës ka mungesë barnash, materialesh mjekimi, ekzaminimesh, janë ankuar dhe për këtë spital, që në Janar ngrohja nuk ishte e mjaftueshme, apo ca ditë s’kishte ujë.

Dhe me sa duket, për sa kohë nevojat për kujdes shëndetësor më të mirë, nuk ka cak, njerëzit do kërkojnë gjithmonë atë që ndjejnë. Fillimisht kishin hall, se duhet të blenin barnat, këtë s’e kanë më, por kanë ngrohjen, kanë kujdesin, kanë pastërtinë, kanë rregullin. Dhe unë besoj se, po brenda Qershorit, ne do të kemi përmirësuar ndjeshëm në spital, gjithë sistemin e pritjes dhe qarkullimit të pacientëve dhe qytetarëve.

Duhet ta pranojmë, që jetojmë në një shoqëri, ku spitalet janë jashtëzakonisht qendra të vizitueshme, – ju e ndjeni shumë më tepër se sa unë, sepse jeni këtu përditë, madje 365 ditë, 24 orë, por sidomos në raste traumash, vijnë pambarimisht vizitorë, të cilët edhe ata do të duhet t’i administrojmë brenda, pa cënuar rregullin dhe funksionimin e spitalit.

Unë besoj se, ajo çfarë vemë në punë në mënyrë të plotë nga sot, do ta shtojë kujdesin shëndetësor në Qendrën Kombëtare të Traumës, do t’ju japë juve mundësinë që të tregoni dhe më shumë, apo që të dalin më shumë në pah aftësitë tuaja, por që sigurisht, besoj se këto do të kthehen – mendoj unë, – edhe në sfida, edhe për ju vetë, si trupë drejtuese mjekësore.

Gjovalini, duke qenë se drejton një spital traume, lëshoi një si kërkesë urgjente për Universitetin Mjekësor, por të lutem, dua mirëkuptimin tënd, që duhet t’ia lemë lirinë akademike të Universitetit Mjekësor dhe të mos i japim urdhër “urgjent” për departamentin e traumës, por që të punojmë bashkarisht, – unë kam komunikuar edhe me rektorin dhe me dekanin, që në tetor ne, kur të hapim specializimet e reja, të mund të hapim edhe specializimin e traumës. Besoj se po të punojmë të gjithë bashkë, është një afat optimal i pranueshëm. Ka ardhur momenti, që edhe ne të fillojmë ta zhvillojmë këtë lloj specialiteti,sepse na duhet.

Edhe njëherë, faleminderit për çfarë bëni përditë, faleminderit për mirëkuptimin, që jo gjithmonë na përputhen mendimet, por që kemi angazhimin e përbashkët, për të ofruar rritje të cilësisë së kujdesit shëndetësor, gjithsecili sipas detyrës që është angazhuar të kryejë.

Faleminderit!

—###—

Për foto nga takimi, mund të konsultoni faqen zyrtare të MSH në Facebook: http://tinyurl.com/meeoau4

Profilin zyrtar të MSH në Twitter: @BeqajIlir{:}