Ministria e Shëndetësisë

Ministri Beqaj në Shkodër për Ditën Botërore të ndërgjegjësimit kundër HIV/AIDS:
“Të shkurtojmë hendekun që na ndan drejt një Bote me 0 Infeksione nga HIV/AIDS” 

#StopTheGap #WAD2014

Shkodër, 24/10/2014 – Në Ditën Botërore të ndërgjegjësimit kundër përhapjes së infkesioneve nga HIV/AIDS Ministri i Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj, vizitoi qytetin e Shkodrës, ku një grup përfaqësuesish e aktivistësh të shoqërisë civile, në bashkëpunim me Zyrën e Përfaqësisë së Kombeve të Bashkuara në vend dhe Ministrinë e Shëndetësisë organizuan një sërë aktivitetesh ndërgjegjësuese.

Aktivitetet e planifikuara për këtë rast filluan pranë mjediseve të Fakultetit të Shkencave të Natyrës të Universitetit të Shkodrës, ku pas mbajtjes së fjalimeve përshëndetëse të rastit, u zhvillua ecja ndërgjegjësuese përgjatë Pedonales së Qytetit. Në sheshin përpara Bashkisë Shkodër, aktivistët, nxënës e studentë formuan një fjongon të kuqe – simbolin e solidaritetit dhe ndërgjegjësimit për parandalimin e HIV/AIDS – si kombinim mozaiku njerëzor. Ndërkaq, aktivitetet u mbyllën me një ndeshje futbolli ndërgjegjësuese ndërmjet këtyre aktivistëve.

“Qysh nga fillimet e epidemisë në vitin 1993 e deri në Nëntor 2014, janë regjistruar 774 raste të raportuara me HIV/AIDS në Shqipëri,” – tha midis të tjerash Ministri Beqaj, duke shtuar se “të dhënat ekzistuese dëshmojnë se në Shqiperi nuk ka epidemi të gjeneralizuar apo të përqëndruar të infeksionit HIV.” Në qoftë se diagnostikohet në fazat e hershme dhe trajtohet me mjetet e duhura, dikush me HIV mund të jetojë po aq gjatë sa edhe dikush pa të, por shpesh, stigma dhe mitet apo stereotipitë e pengojnë diçka të tillë, – tha ai. “Njerëzit kanë shumë frikë të shkojnë për të bërë testet, dhe prandaj, simptomat e kësaj të keqeje nuk arrijnë të diagnostikohen në fazat e hershme.

Ne duhet ta ulim në minimum këtë numër dhe t’u ofrojmë njerëzve trajtimin për të cilin kanë nevojë, tha z. Beqaj, duke theksuar se “duhet të këmbëngulim, duke bërë çdo përpjekje të mundshme për edukimin dhe rritjen e shkallës së ndërgjegjësimit, dhe për të përkrahur çfarëdolloj nisme tjetër që shërben për të luftuar diskriminimin kundër HIV, kudo ku ne ndeshemi me të.”

Bazuar po në këto të dhëna, Shqipëria vijon të mbetet një vend me prevalencë të ulët te infeksionit HIV. Nga përllogaritjet në Nëntor 2014 (popullata sipas INSTAT 2013) rezulton se prevalenca e HIV-it në popullatën e përgjithshme është 0.027%, ndërsa incidenca është 0.003%. Ndonese prevalenca e infeksionit HIV është e ulët, vihet re një prirje ne rritje e numrit të rasteve të reja në vitet e fundit.

Numri i personave që kanë rezultuar HIV pozitivë për vitin 2014 është 75 persona, ku midis tyre, pesë janë fëmijë (Periudha e matjes Janar-Nëntor 2014). Ndërkohë numri i përgjithshëm i fëmijëve të infektuar me HIV shkon në 39. Nga 75 rastet e reja të diagnostikuar gjatë vitit 2014, pothuajse gjysma e tyre janë diagnostikuar në stadin AIDS. Një pjese e tyre mund të kenë qenë infektuar vite më parë dhe nuk kane shfaqur simptoma. Për pasojë, këta persona mund të kenë infektuar, pa e ditur, edhe partnerët e tyre gjatë një periudhe kohe relativisht të gjatë.

Rruga seksuale e transmetimit të virusit HIV vazhdon të mbizotërojë në vendin tonë, e cila konstatohet në 94 % te rasteve; ku rruga heteroseksuale dhe homoskesuale përbën përkatësisht 83% dhe 11% sipas të dhënave kumulative (1993-2014) në momentin e zbulimit për herë të parë të statusit HIV pozitiv të personit.

Transmetimi vertikal ose nga nëna e infektuar te femija përbën rreth 4% të totalit, ndërsa nëpërmjet transfuzioneve të gjakut ose nën-produkteve të tij jane infektur 1.6%, dhe më pak se 1%, i përkasin grupit të përdoruesve të drogave me injektim, por nuk është vertetuar se e kanë marrë këtë infeksion nëpërmjet shkëmbimit të shiringave. Vetëm në 0.5% të numrit të përgjithshëm rruga e transmetimit është e papërcaktuar. Numri i ulët i transmetimit në përdoruesit të drogave me injeksion konfirmohet edhe nga studimet e sjelljes dhe ato biologjike te kryera ne vitin 2005 dhe 2008.

Transmetimi nga nena te femija është hasur në 30 raste (4 raste në vitin 2014). Shfaqja e rasteve të transmetimtit vertikal dhe rritja e numrit të tyre pas viteve 2000 e bën të domosdoshëm zbatimin e një programi të veçantë të kontrollit të HIV tek gratë shtatëzana dhe ofrimin e testimit për HIV gjatë kujdesit prenatal.

Shpërndarja sipas grupmoshave tregon se në vendin tonë mbizotëron grupmosha 35-44 vjeç (30%), e ndjekur nga grupmosha 25-34 vjeç (28.4%) që është një grupmoshe seksualisht aktive. Ndërsa të rinjtë 16-24 vjeç përbëjnë 9%, të numrit të përgjithshem të rasteve të infektuara me HIV, kurse fëmijet (0-15 vjeç) përbëjnë 5%.

—###—

Për foto të tjera nga takimi, konsultoni: http://tinyurl.com/pkr94ls{:}