Ministria e Shëndetësisë

Vrapo për Jetën!
Lufta kundër kancerit të gjirit, Beqaj: Duhet më shumë sensibilizim

Tiranë, 18/10/2015 – “Vrapo për Jetën!” ishte motoja e nismës sociale, “Maratona e Jetës,” e cila u organizua për vitin e dytë rradhazi, – në kuadrin e Tetorit, muajit botëror i ndërgjegjësimit për parandalimin e kancerit të gjirit.

Mijëra qytetarë, të rinj, vajza, gra e burra, shqiptarë e të huaj, u bënë këtë të dielë (18/10/2015) pjesë e vrapimit që u zhvillua në Parkun e Liqenit Artificial të Tiranës, me synim informimin dhe sensibilizimin e popullsisë shqiptare, veçanërisht i të rinjëve mbi rëndësinë e parandalimit në patologjinë e tumorit të gjirit, një nga sëmundjet me shkallën më të lartë të fatalitetit te gratë shqiptare.

I pranishëm në këtë aktivitet, Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, theksoi se pavarësisht fushatave sensibilizuese, pjesëmarrja në programet parandaluese vijon të jetë ende e ulët.

“Duhet të bëjmë më shumë që gratë të kenë një kulturë më të plotë shëndetësore, për t’u bërë ato mjeku i vetvetes. Duhet të drejtohen gjithashtu tek mjeku i familjes, është e rëndësishme t’i japim vendin e duhur mjekut të familjes. Ata janë të trajnuar për të dhënë orientimet e para në rast se konstatohen simptoma të rrezikut të shfaqjes së kancerit të gjirit”, tha z. Beqaj.

Gjithashtu, “Maratonës së Jetës,” i është bashkuar edhe Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve të mos kenë turp të tregojnë pjesët e trupit të tyre në mamogramë.

Sipas Kryebashkiakut, një Instagram më pak, një mamogramë më shumë. “Nëse njerëzit nuk kanë turp të reklamojnë pjesë të trupit në Instagram, të mos kenë turp të tregojnë pjesë të trupit në mamogramë. Një Instagram më pak, një mamogramë më shumë,” tha Veliaj.

Ministri Beqaj tha se është një mundësi shumë e mirë për gratë që patën mundësi gjatë ditës së djeshme, pro edhe sot, të bëjnë mamografi pa referim dhe falas. Por ky shërbim është ofruar edhe për ato gra të cilat jetojnë në zona të largëta të vendit.

“Që nga janari është një shërbim që ofrojmë në mënyrë të përditshme në zonat më të largëta të vendit. Kemi dy njësi mobile që kanë ofruar deri tani rreth 3500 ekzaminime në qytete larg qendrave të qarqeve: Kukës, Has, Devoll, Ersekë, Librazhd, Delvinë, Tepelenë, etj. Është kthyer në një shërbim të përhershëm parandalues”, shtoi Beqaj.

Parku i Liqenit në Tiranë u “vesh” rozë dje dhe sot, me një sërë aktivitetesh për sensibilizimin e grave. Ndërkohë që, për dy ditë rresht, të shtunën dhe të dielën e kësaj jave janë vënë në dispozicion nga Instituti i Shëndetit Publik mamografët e lëvizshëm falas.

—###—

Për foto nga aktiviteti, mund të ndiqni profiling zyrtar në Facebook të MSH:

https://www.facebook.com/media/set/?set=a.460134994174556.1073741903.127646634090062&type=3

dhe profilin Twitter: @BeqajIlir{:}