Ministria e Shëndetësisë

 

SHËNDETËSIA DHE KUJDESI SOCIAL

 

MBULIMI SHËNDETËSOR UNIVERSAL

Nën moton “shëndet për të gjithë” ne do të vazhdojmë të promovojmë jetën e shëndetshme, duke rritur investimet në të gjithë sektorët që lidhen me shëndetin për të shkuar kështu drejt shëndetësisë falas.

Nën moton “më shumë vite jetës dhe më shumë shëndet viteve” ne do të vijojmë të mbështesim fort parandalimin dhe diagnostikimin e hershëm, sepse prirjet demografike po krijojnë një profil të ri epidemiologjik: jetëgjatësia po rritet, sëmundjet jongjitëse dhe numri i të sëmurëve me disa sëmundje njëherësh po shtohen.

Do të zgjerohen programet e parandalimit të disa prej sëmundjeve kanceroze veçanërisht të përhapura te gratë. Për ne shëndeti mbetet një e mirë publike, prandaj financimi publik për kujdesin shëndetësor synohet të arrijë 60-65% të shpenzimeve totale të shqiptarëve për shëndetësinë (e gjetëm 43% në vitin 2013), duke siguruar që asnjë familje shqiptare të mos bjerë në varfëri për shkak të pagesës për kujdes shëndetësor.

Do të zgjerojmë ndjeshëm kujdesin shëndetësor pa pagesë për fazën e rehabiltimit të sëmundjes për të shkurtuar kohën e qendrimit në institucione shëndetësore, periudhën e invalidizimit dhe për të pakësuar barrën që deri më sot përballohet nga vetë buxhetet familjare.

Qeveria do të vazhdojë politikat për uljen e çmimit të barnave, duke ruajtur cilësinë, duke rritur disponueshmërinë.

Do të ngremë sistemin e gjurmimit, do ta bëjmë shërbimin cilësor farmaceutik të disponueshëm në të gjithë territorin. Vëmendje të veçantë do të tregohet për fëmijët me aftësi të kufizuara, duke mundësuar kujdes socio-shëndetësor në qendra të specializuara.

Rritja e jetëgjatësisë kërkon gjithashtu rritje të kujdesit shëndetë- sor për moshën e tretë. Qeveria do të zgjerojë mbështetjen për rehabilitimin, kujdesin paliativ dhe geriartrik.

Në vitin 2018 do të fillojë zbatimi i një programi 10-vjeçar për funksionimin e qendrave komunitare në të gjithë vendin për të koordinuar dhe ofruar shërbime në shëndetin mendor, kujdesin paliativ, shërbimet ndaj të rinjve, kontrollin e substancave abuzuese.

Të vetëdijshëm se mbulimi universal bëhet i prekshëm për qytetarët nëse shoqërohet me qasje në shërbim dhe cilësi universale, ne do të investojmë në infastrukturë insitucionesh shëndetësore, teknologji biomjekësore dhe burime njerëzore me qëllim që kujdesi shëndetësor bashkëkohor të ofrohet sa më pranë vendbanimit të qytetarëve.

Kantieri tashmë i hapur i shëndetësisë do të zgjerohet me vepra të reja të infrastrukturës spitalore, duke shfrytëzuar financimet publike dhe partneritetin publik privat. Vëmendje të veçantë do t’u kushtojmë qendrave spitalore universitare dhe spitaleve rajonale.

Do të vijojmë bashkëpunimin me institucionet jopublike shëndetësore për të plotësuar ofertën e financuar me paratë publike, 21 si dhe për të ulur në afate të pranueshme kohën e pritjes për ekzaminime dhe/apo trajtime të specializuara.

Deri në vitin 2021, koha e pritjes për të gjitha shërbimet spitalore do të përgjysmohet. Qeveria do të inkurajojë procesin e akreditimit të të gjithë spitaleve publike dhe private.

Urgjenca mjekësore në territor do të forcohet në kapacitete njerëzore, mjekësore e motorike. Thirrjeve të rasteve urgjente do t’iu përgjigjemi brenda 10–15 minutave në zonat urbane dhe 20–35 minutave në zonat rurale.

Do të fuqizohen kapacitetet qendrore dhe rajonale për të përballuar urgjencat kardio-vaskulare dhe cerebrale-vaskulare. Projektet e investimeve në shëndetësi do të zgjerohen me vepra të reja të infrastrukturës spitalore, duke shfrytëzuar financimet publike dhe partneritetin publik-privat.

Vëmendje do t’u kushtohet qendrave spitalore universitare dhe spitaleve rajonale. Brenda vitit 2020 me anë të PPP do të ndërtohet spitali rajonal i Fierit si qendër ekselence shërbimesh për qytetarët.

Brenda vitit 2021 do të ndërtohen 8 qendra të reja shëndetësore.

 

KUJDESI SOCIAL

Në këtë mandat, në fushën e pensioneve do të synojmë të rrisim të ardhurat nga kontributet me rreth 30 përqind dhe numrin e kontribuesve në rreth 1 milion në vitin 2021, duke përmirësuar ndjeshëm raportin përfitues-kontribues, si dhe duke ulur edhe më tej deficitin e skemës së pensioneve.

Emigrantët mund të përfitojnë pension bazuar në kontributet e paguara në Shqipëri dhe në vendin e emigrimit.

Dhjetë marrëveshjet e nënshkruara gjatë mandatit qeverisës 2013-2017 në fushën e sigurimeve shoqërore do të pasohen me nënshkrimin e marrëveshjeve me vendet e tjera të BE-së gjatë katër viteve që vijojnë.

Politikat tona do të mundësojnë uljen me 10% të punës së papaguar të grave, duke rritur aksesin në shërbimet sociale si çerdhe, kopshte, shërbime për moshën e tretë, shërbimet për gratë me aftësi të kufizuara, rome, egjiptiane, si dhe nënat me fëmijë me aftësi të kufizuara.

Gjatë katër viteve të ardhshme do të rrisim punësimin dhe do të përgjysmojmë diferencën midis papunësisë rinore e papunësisë së përgjithshme, nëpërmjet mbështetjes së programeve “start-up”, shkollimit, formimit profesional dhe korsive preferenciale në treg për punësimin e vajzave dhe djemve.

Tri qendrave rinore të ngritura në Tiranë, Vlorë dhe Korçë do t’i shtohen edhe nëntë të tjera në Dibër, Kukës, Shkodër, Lezhë, Elbasan, Durrës, Berat, Fier dhe Gjirokastër.

Programi i ndihmës ekonomike do të zëvëndësohet nga programi “Mbështetje për riintegrim”, i cili do të kushtëzojë e plotësojë ndihmën financiare për familjet e varfra me përfshirjen e tyre në programe e shërbime të personalizuara arsimore, shëndetësore, formimi, punësimi.

Do të rritet aksesi në ndërmarrjet sociale, në biznesin social dhe punët komunitare. Gjatë mandatit tonë të parë, ne trefishuam ndihmën ekonomike nga 1.5 mijë në 4.5 mijë dhe nga 3 mijë në 8 mijë lekë.

Deri në vitin 2021, një në dy familje përfituese të mbështetjes për riintegrim do të përfshihen në programin “Shqipëria punon”, duke mundësuar që deri në vitin 2025 në këtë program të përfshihen tre në katër familje.

Do të vijojë të jetë maksimale vëmendja ndaj të përndjekurve politikë dhe familjeve të tyre. Gjatë mandatit tonë të dytë do të përfundojmë dëmshpërblimin e kësaj kategorie dhe do të mbështesim integrimin dhe pjesëmarrjen e tyre shoqërore, ekonomike e politike.{:}