Ministria e Shëndetësisë

Dr. Ilda Malile ka përfunduar studimet e larta në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Tiranës, ku është diplomuar në Ekonomi, si dhe ka ndjekur studime pasuniversitare në Financë-Bankë, Master në Administrim Publik dhe ka fituar gradën Doktor i Shkencave Ekonomike. Ajo ka ndjekur trajnime ekzekutive ndërkombëtare, përfshirë programin e Universitetit Columbia mbi traktatet e investimeve dhe arbitrazhin.

Me mbi 20 vite përvojë profesionale, Dr. Malile ka mbajtur pozicionin Drejtore e Drejtorisë së Përgjithshme të Informacionit dhe Analizave Ekonomike (që nga janari 2025). Ka ushtruar detyrën e Drejtoreshës së Përgjithshme të Shërbimeve Mbështetëse dhe ka drejtuar për gjashtë vite Departamentin e Zhvillimit të Biznesit në OSHEE sh.a.

Gjatë karrierës së saj, ajo ka mbajtur funksione të larta drejtuese në Ministrinë e Financave, përfshirë Drejtore e Përgjithshme e Borxhit Publik dhe Drejtore e Investimeve Publike, si dhe ka qenë këshilltare pranë Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare dhe lektore në arsimin e lartë.

Dr. Malile ka shërbyer gjithashtu në borde dhe komitete drejtuese të institucioneve kombëtare dhe ndërkombëtare financiare dhe është autore e publikimeve shkencore në fushën e politikës monetare, stabilitetit financiar dhe tregjeve të interesit.