.

vije ndarëse

Postuar më: 25/09/2014

‘Shëndet për të gjithë’ është dhe duhet të jetë një objektiv i arritshëm

Ministri Beqaj në Forumin e 8-të Ballkanik të Fondeve të Sigurimit Shëndetësor:
Shëndet për të gjithë,” një objektiv i arritshëm

Tiranë, 25/09/2014 – Ministri i Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj, mori pjesë sot (25/09/2014) në sesionin e hapjes së Forumit të 8-të Ballkanik me temë, “Financimi dhe sfidat në sistemet e kujdesit shëndetësor për rajonin e Ballkanit”, i cili organizohet nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor në datat 25-26 shtator në Tiranë.

Në fjalën e tij përshëndetëse për pjesëmarrësit, Ministri Beqaj e vuri theksin tek angazhimi kryesor i Qeverisë shqiptare në fushën e shëndetësisë, e cila e konsideron mbulimin universal shëndetësor si sistemin kryesor gjithëpërfshirës të ofrimit të këtij shërbimi, i cili, jo vetëm që përbën një hallkë kyçe në ofrimin e një sistemi më të mirë të kujdesit shëndetësor, por edhe parimin themelor udhërrëfyes për zhvillimin e sistemit shëndetësor.

Kjo është edhe arsyeja, tha më tej në fjalën e tij z. Beqaj, se përse kemi marrë përsipër dhe kemi hedhur hapat e parë tashmë të një reforme radikale që do të sigurojë ofrimin e kujdesit shëndetësor universal për të gjithë banorët rezidentë shqiptarë, ku askush nuk duhet të ndihet se është lënë në mëshirë të fatit, thjesht dhe vetëm prej faktit se nuk mund ta përballoj financiarisht këtë shërbim.

Gjithashtu, kreu i shëndetësisë në vend u ndal edhe në nismën e ndërmarrë vetëm pak ditë më parë, më 19 shtator (2014), nga një grup prej më shumë se 50 partnerësh nismëtarë, përfshirë OBSH dhe Bankën Botërore, me mbështetjen e Rockefeller Foundation, të cilën shpallën për herë të parë nismën për kremtimin e datës 12 Dhjetor 2014, si Ditën Botërore të Mbulimit Shëndetësor Universal [“Health for All” – Universal Health Coverage Day]. “Dy vjet më parë, më 12 dhjetor 2012, OKB-ja miratoi njëzëri një rezolutë, e cila i’u kërkon qeverive të shteteve anëtare sigurimin e qasjes universale të qytetarëve ndaj kujdesit shëndetësor pa pengesa ose kufizime financiare,” – tha në fjalën e tij ministri, duke shtuar se “më 12 dhjetor 2014, ky koalicion global i porsakrijuar do të bëjë thirrje që mbulimi universal shëndetësor të kthehet në çështjen kryesore të rendit të ditës përsa i përket zhvillimit të qëndrueshëm dhe një objektiv me përparësi absolute për të gjithë kombet.”

Duke folur për nismat dhe projektet e Qeverisë drejt mbulimit universal shëndetësor, Ministri Beqaj shpjegoi hapat e parë që sapo janë hedhur në këtë drejtim, siç janë Paketa e Kontrollit Bazë Shëndetësor Falas për grupmoshën 40-65 vjeç dhe miratimi i 10 paketave të shërbimeve shëndetësore të dializës dhe transplantit të veshkës, ndërhyrjeve kardiologjike dhe kardiokirurgjike, transplantit koklear, të financuara 100% nga Qeveria, si në shërbimin publik spitalor, ashtu edhe në atë jo-publik

“Ne jemi tërësisht të bindur se do t’ia dalim të rrëzojmë barrierat me të cilat përballen shumë shqiptarë dhe do të mundim të ofrojmë më tepër siguri me kujdesin shëndetësor që ata meritojnë, duke krijuar një qasje të re drejt mbulimit universal,” tha më tej në fjalën e tij ministri duke u shprehur i sigurtë se nisma ‘shëndet për të gjithë’ është dhe duhet të jetë një objektiv i arritshëm.

Në vijim, fjala e plotë e Ministrit Beqaj në takim.

—###—

Të nderuar pjesëmarrës!

Jam veçanërisht i gëzuar që marr pjesë në këtë forum ballkanik të drejtuesve dhe përfaqësuesve të fondeve të sigurimit shëndetësor.

Pikësëpari, financimi i qëndrueshëm i sistemit të kujdesit shëndetësor është një sfidë e jona e përbashkët, dhe në këtë këndëvështrim, forume të tilla ofrojnë një mundësi të shkëlqyer për ndarjen dhe shkëmbimin e përvojave të vendeve tona përkatëse, duke i shërbyer më së miri proçesit të hartimit apo përpunimit të mëtejshëm të politikave tona kombëtare për përmirësimin e këtij sektori jetik.

Gjithashtu, organizimi i këtij forumi vjen pikërisht kur sapo kemi mbyllur një vit në detyrë, ndërkohë që një nga angazhimet kryesore politike të Qeverisë është realizimi i një reforme rrënjësore për ofrimin e një mbulimi universal për kujdesin shëndetësor për të gjithë shqiptarët rezidentë, ku asnjë individ të mos mbetet pa kujdes shëndetësor, sepse nuk disponon mjetet e nevojshme financiare.

Vetëm pak ditë më parë, më 19 shtator (2014), një grup prej më shumë se 50 partnerësh nismëtarë, përfshirë Organizatën Botërore të Shëndetësisë (OBSH) dhe Bankën Botërore (BB), me mbështetjen e Rockefeller Foundation, shpallën në një takim në Nju Jork, SHBA, për herë të parë nismën për kremtimin e datës 12 Dhjetor 2014, si Ditën Botërore të Mbulimit Shëndetësor Universal [“Health for All” – Universal Health Coverage Day].

Dy vjet më parë, më 12 dhjetor 2012, OKB-ja miratoi njëzëri një rezolutë, e cila i’u kërkon qeverive të shteteve anëtare sigurimin e qasjes universale të qytetarëve ndaj kujdesit shëndetësor pa pengesa ose kufizime financiare, kështu që, më 12 dhjetor 2014, ky koalicion global i porsakrijuar do të bëjë thirrje që mbulimi universal shëndetësor të kthehet në çështjen kryesore të rendit të ditës përsa i përket zhvillimit të qëndrueshëm dhe një objektiv me përparësi absolute për të gjithë kombet.

Duke e quajtur mbulimin universal një angazhim referencial dhe manifestim global solidariteti, këta partnerë nismëtarë vlerësojnë se kjo është një mundësi historike, duke argumentuar se “shëndeti për të gjithë” është një objektiv i arritshëm.

Tashmë, më shumë se 70 vende të të gjitha niveleve të të ardhurave kanë ndërmarrë hapa të qenësishëm drejt mbulimit universal shëndetësor, duke e përfshirë atë në axhendën e tyre të zhvillimit të qëndrueshëm, e cila pritet që, rrjedhimisht, të rrisë edhe shkallën e përgjegjësisë dhe llogaridhënies së këtyre vendeve ndaj qytetarëve të vet.

Kështu, Qeveria jonë e konsideron mbulimin universal shëndetësor si sistemin kryesor gjithëpërfshirës të ofrimit të këtij shërbimi, i cili, jo vetëm që përbën një hallkë kyçe në ofrimin e një sistemi më të mirë të kujdesit shëndetësor, por edhe parimin themelor udhërrëfyes për zhvillimin e sistemit shëndetësor.

Historikisht dhe tradicionalisht sistemi i kujdesit shëndetësor në Shqipëri ka qenë i ndërtuar rreth sëmundjes, ndërkohë që ne synojmë të shkojmë drejt shëndetit. Sistemi kontributiv i sigurimit të kujdesit shëndetësor në Shqipëri ofron mbulim për më pak se gjysmën e popullisisë aktive në moshë pune, ndaj sfida jonë është mbulimi i të gjithë popullatës me shërbimin mjekësor bazë.

Përveç përballimit të gjendjes së emergjencës ku e gjetëm shëndetësinë, kjo ishte një periudhë që përkoi me përgatitjet e ndryshimeve të nevojshme rregullative dhe ligjore, që i hapën rrugën projekteve dhe nismave konkrete drejt mbulimit shëndetësor universal.

E tillë ishte Paketa e Kontrollit Bazë Shëndetësor Falas për grupmoshën 40-65 vjeç që miratuam javën e parë të prillit, ku arritëm të heqim kufizimin që një paketë e tillë të ofrohej vetëm për personat e siguruar. Tashmë, shqiptarët janë të gjithë të barabartë për përfitimin e kësaj pakete. Aktualisht, jemi në fazën e vlerësimit të ofertave për përzgjedhjen e kontraktorit.

Po ashtu, edhe miratimi i 10 paketave të shërbimeve shëndetësore të dializës dhe transplantit të veshkës, ndërhyrjeve kardiologjike dhe kardiokirurgjike, transplantit koklear, të financuara 100% nga Qeveria, si në shërbimin publik spitalor, ashtu edhe në atë jo-publik, ishte një arritje e shkëlqyer e punës së palodhur disamujore e specialistëve të FSDKSH-së dhe MSH-së. Kemi miratuar tashmë modelin e kontratës tip, dhe jam i kënaqur që deri tani, tre spitale jo-publike, kanë shprehur interesin e tyrek dhe po negociojnë me fondin aspektet juridike dhe administrative të tyre.

Sigurisht, që këto janë hapat e parë që sapo kemi hedhur në këtë drejtim, por ne jemi tërësisht të bindur se do t’ia dalim të rrëzojmë barrierat me të cilat përballen shumë shqiptarë dhe do të mundim të ofrojmë më tepër siguri me kujdesin shëndetësor që ata meritojnë, duke krijuar një qasje të re drejt mbulimit universal.

Shëndeti për të gjithë’ është dhe duhet të jetë një objektiv i arritshëm,

Duke i uruar punime të mbara këtij Forumi!

Ju faleminderit!

—###—