Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale
|
Postuar më:
|
Data e Mbylljes:
|
Nr.Komenteve: 0
|
Nr.Shikimeve: 468
|
Statusi: Konsultim i mbyllur
Projektakti për miratimin e Dokumentit të Politikave të Përfshirjes Sociale 2024-2028 në Republikën e Shqipërisë, propozohet nga Ministri i Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale (MSHMS), si një dokument politik i qeverisë shqiptare, që përmban masa për përfshirjen sociale në zbatim të objektivave dhe masave të Strategjisë Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim 2022-2030, Parimeve të Shtyllës Europiane për të Drejtat Sociale dhe Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm të Agjendës 2030 të OKB-së. Ky dokument, në mënyrë ndërsektoriale, orienton procesin, si dhe matjet e monitorimit të përfshirjes sociale, si pjesë e zhvillimit afatgjatë të qëndrueshmërisë sociale dhe ekonomike të Shqipërisë. Dokumenti synon plotësimin e kuadrit të duhur politik, për të garantuar që qeveria të përcaktojë nivelin e qasjes së qytetarëve në të mirat dhe shërbimet publike, detyrim ky që lidhet ngushtësisht me procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Vizioni i Dokumentit të Politikave të Përfshirjes Sociale (DPPS) është të garantojë një sistem transparent dhe efektiv për vlerësimin e përfshirjes sociale në të gjitha fushat e politikave, që lidhen me reduktimin e varfërisë dhe mbrojtjen sociale, punësimin dhe aftësitë, shëndetin, arsimin, strehimin, plotësimin e nevojave bazë, si dhe realizimin e të drejtave të njeriut.
Dokumenti i Politikave të Përfshirjes Sociale 2024-2028 hartohet në vijim të Dokumentit paraprirës për Përfshirjen Sociale të periudhës 2016-2020. Ai pasqyron gjetjet e Raportit të Monitorimit të Dokumentit për Përfshirjen Sociale të periudhës 2016-2020, si dhe rezultatet e anketave, që përmbajnë të dhëna dhe analiza për reduktimin e varfërisë dhe përfshirjen në shoqëri të grupeve në nevojë.
Objektivi i përgjithshëm i DPPS-së është të krijojë një kuadër të balancuar dhe të qëndrueshëm për të siguruar matjen, monitorimin dhe raportimin e përfshirjes sociale në Shqipëri përmes një grupi treguesish të konsoliduar, duke përmirësuar lidhjet midis përfshirjes sociale dhe përmirësimit të politikave të qeverisë gjatë progresit të vendit drejt anëtarësimit në BE.
Ky objektiv do të arrihet nëpërmjet një kuadri të përgjithshëm të përfshirjes sociale i parashtruar në këtë dokument të politikave, që bazohet në tregues nga gjashtë fusha, për të garantuar monitorim cilësor dhe sasior të përfshirjes sociale, krijimit të kapaciteteve teknike dhe administrative për të rritur efikasitetin në mbledhjen e të dhënave, ndërgjegjësimin për përfshirjen sociale dhe kohezionin social në kontekstin e procesit të anëtarësimit në BE.
Dokumenti i Politikave të Përfshirjes Sociale do t’i mundësojë gjithë institucioneve shtetërore, shoqërisë civile, si dhe partnerëve strategjikë, një instrument që do të garantojë mbledhjen, përpunimin dhe monitorimin e të dhënave sipas gjinisë, përkatësisë etnike, aftësisë së kufizuar dhe variablave të tjerë kyçë për përfshirjen dhe kohezionin social.
Rezultatet e pritshme të këtij dokumenti janë:
Politikat e përfshirjes sociale zhvillohen, miratohen dhe përfshihen në strategjitë kombëtare (si strategjitë sektoriale dhe ndërsektoriale) deri në vitin 2028;
Raportimi për përfshirjen sociale do të integrohet në raportimin e rregullt të Qeverisë Shqiptare, si pjesë e dialogut të saj me BE-në, në fushën e përfshirjes sociale;
Njohja dhe analizimi më i mirë i shkaqeve dhe intensitetit të përjashtimit social do të çojë në zbutjen e varfërisë dhe përjashtimit social në vend.
© Ministria e Shëndetësisë 2025 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.
Nuk ka ende asnjë koment për këtë konsultim