Spitali Rajonal Lezhë pajiset me aparatura te reja
Beqaj: Shërbim cilësor për sëmundjet e zemrës
Lezhë, 22/05/2015 – Ministri i Shëndetësisë z. Ilir Beqaj përuroi sot (22/05/2015) aparaturat e reja të kabinetit të Kardiologjisë në Spitalin rajonal Lezhë, ku u shpreh se Qeveria është e vendosur për përmirësimin e cilësisë së shërbimeve publike, për të shkuar drejt arritjes objektivit madhor të Mbulimit Universal shëndetësor.
“Duke filluar nga java e ardhshme, ne do të ofrojmë për spitalin rajonal të Lezhës një shërbim shumë më cilësor për sëmundjet e zemrës. Kabineti i Kardiologjisë do të plotësohet me një ECHO kardiake dhe me pajisjen e provës për ngarkesë, apo siç jemi mësuar ta themi tradicionalisht, biçikletën edhe pse tani është një tapet. Të dyja këto pajisje janë, në fakt, pjesë e domosdoshme e ekzaminimit të sëmundjeve të zemrës, dhe më në fund, edhe në spitalin Rajonal të Lezhës e ofrojmë këtë shërbim.
Unë besoj se, qoftë fillimi i programit të Kontrollit Mjekësor Bazë ku çdo qendër e Shqipërisë e ka një ECG, qoftë kabinetet e kardiologjisë në spitalet rajonale, qoftë fuqizimi i shërbimit të koronarografisë në QSUT dhe kontraktimi i pitaleve private, janë shprehje e qartë e vendosmërisë së Qeverisë për të ofruar shërbim shëndetësor më të mirë, më cilësor dhe për të shkuar drejt angazhimit tonë që është Mbulimi shëndetësor Universal” – tha ministri i Shëndetësisë.
Drejtori i Spitalit Rajonal Lezhë: Nevruz Bara tha: “Nga ky moment, do t’u ofrohet një shërbim shumë i rëndësishëm spitalit të Lezhës, ku pacientët nuk do të shkojnë më në Tiranë apo në spitale private, por do ta marrin shërbimin nëpërmjet këtij ekzaminimi shumë të rëndësishëm që është ECHO e zemrës, që do t’i shërbejë të gjithë pacientëve të Rajonit të Lezhës”.
Mjeku kardiolog Gazmend Rustja u shpreh: “Është një aparaturë shumë e re, cilësore që mbulon nevojat e qarkut të Lezhës, për një ekzaminim që deri dje, jemi munduar ta zgjidhim me mënyra nga më të ndryshmet. Është diçka shumë e mirë dhe shpresojmë të ketë të tjera aparatura në vijim”.
Ministri i Shëndetësisë, duke ju përgjigjur interesimit të gazetarëve lidhur me akuzat e opozitës u shpreh:
“Nuk ka një akuzë ndaj ministrisë, por ka një raport të strukturave anti-korrupsion të Qeverisë, që po hetojnë korrupsionin e mundshëm edhe në shëndetësi. Qeveria është e angazhuar ta luftojë korrupsionin në çdo fushë, përfshirë edhe shëndetësinë. Jemi ne që kemi bërë atë raport-kontrolli dhe që e kemi përcjellë edhe në Prokurori.
Unë i kërkoj, edhe njëherë Prokurorisë që të bëjë një hetim të plotë, të ndëshkojë këdo, duke treguar angazhimin tonë që do të luftojmë konfliktin e interesit dhe korrupsionin në cdo hallkë të shëndetësisë”.
—###—
© Ministria e Shëndetësisë 2025 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.