Font Resize
Contrast
.

vije ndarëse

Postuar më: 27/06/2014

Stina e verës, shërbim pediatrik 24-orësh për gjithë qytetin e Tiranës

Tashmë, shërbim pediatrik 24-orësh për gjithë qytetin e Tiranës
Ministri Beqaj: “Nisma e re, MSH më pranë qytetarëve”

Tiranë, 27/06/2014 – Ministri i Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj, vizitoi dje pasdite (26/06/2014) Shërbimin Mjekësor Ambulator të Urgjencës së qytetit të Tiranës, me rastin e lançimit të planit të ri të ministrisë së shëndetësisë për ofrimin e shërbimit pediatrik 24-orësh në qendrat e shërbimit parësor të kujdesit shëdetësor në të gjithë qytetin e Tiranës. Ky shërbim është planifikuar të ofrohet në tre qendra shëndetësore të kryeqytit, dhe përkatësisht: Lagja Nr. 8, e cila do ta përfitojë këtë shërbim në Urgjencën e Tiranës pranë Stadiumit “S. Stërmasi”; QSh Nr. 4 që ndodhet tek Unaza pranë Dispancerisë; si dhe QSh. Nr. 6 që ndodhet në Kombinat; të cilat përbëjnë edhe përmbledhjen më të mirë, ose trekëndëshin më të mirë për ofrimin e këtij shërbimi shumë të rëndësishëm në këtë prag-sezon veror, për shkak të temperaturave të larta, për shkak të gjithë problemeve dhe sëmundshmërisë që kanë moshat fëminorë gjatë kësaj periudhe.

“Këtë sezon vere,” – tha midis të tjerash për mediat e pranishme në takim z. Beqaj, – “përpiqemi të ofrojmë, kryesisht për fëmijët, një shërbim më të zgjatur gjatë gjithë ditës dhe më të shtrirë në qytetin e Tiranës. Me virozat e ndryshme apo problemet që kanë fëmijët gjatë stinës së verës, rezulton që Urgjenca e Pediatrisë brenda QSUT-së mbingarkohet, mbipopullohet dhe, praktikisht, del nga funksioni që ka si qendër universitare, por edhe nuk arrin dot të kryejë siç duhet shërbimin.” Ne vendosëm, vazhdoi më tej ai, “bashkë me drejtuesit e Autoritetit Shëndetësor Rajonal të Tiranës, që në dy muajt e verës, në tre qendra shëndetësore të qytetit të Tiranës, të ketë shërbim urgjence pediatrie, çdo ditë, shtatë ditë të javës, edhe kur mbyllet orari normal i qendrave të Tiranës, që është deri në orën 8 të mbrëmjes.

Duke shpjeguar me tej për mediat hollësitë e planit për mbulimin e këtyre tre qendrave, Drejtori i Shërbimit të ASHR-së Tiranë, z. Edmond Stojku, tha se “këto tre qendra do të jenë të hapura nga ora tetë e darkës deri në shtatë të mëngjesit, me një shërbim që nuk është ofruar deri më sot dhe kjo vetëm këto dy muajt e verës, kur problematikat shëndetësore të fëmijëve janë edhe më të mëdha”. Gjithashu, z. Stojku tha se “ne kemi mbyllur një shërbim i cili nuk ishte planifikuar më parë në shërbimin e ASHR Tiranë,” duke shtuar se “Urgjenca e Tiranës, është ajo që do të japë shërbimin maksimal për të gjithë fëmijët në qytetin e Tiranës, duke shërbyer si pika e parë e pritjes, ndërkohë që vetëm rastet më të ndërlikuara do të kalojnë në QSUT”.

Duke pasur parasysh se shërbimi pediatrik mbulohet gjatë 24 orëve dhe vetëm në këtë periudhë, meqënëse gjatë stinës verës paraqitet më e ngarkuar me sëmundshërinë e kësaj grup-moshe, u bë pikërisht kjo përzgjedhje e qendrave shëndetësore për të dhënë shërbimin edhe gjatë natës. E gjitha kjo për t’i ardhur në ndihmë QSU “Nënë Tereza” në Tiranë, e cila duhet të merret vetëm me rastet më të ndërlikuara të sëmundshmërisë së moshave fëminore dhe jo me të gjitha rastet. Edhe për shkak të distancave të largëta, Kombinati është një zonë e cila përmbledh të gjithë komunat përreth saj: Yzberisht, Pezë, Vaqarr dhe vetë Kombinatin, që aktualisht është bërë një lagje shumë e madhe. Po ashtu, edhe QSh Nr. 4 e cila përmbledh edhe Paskuqanin dhe Kamzën, duke qenë edhe për shkak të gjeografisë më afër tyre.

—###—