Beqaj në Kursin e Edukimit “Sëmundjet e Arterieve Koronare”: “Të shëndetshëm, jemi të gjithë të barabartë.”
Tiranë, 03/05/2014 – Ministri i Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj, mori pjesë sot (03/05/2014) çeljen e ciklit të kurseve të trajnimit prej 20 leksionesh me temë “Sëmundjet e Arterieve Koronare”, që organizohet për mjekët e përgjithshëm dhe mjekët e familjes në të gjithë Shqipërinë, i cili parashikohet të zgjasë për një periudhë tre-vjeçare.
Duke përgëzuar nismëtarët, Shoqatën Shqiptare të Hipertensionit, Shoqatën Shqiptare të Kardiologjisë dhe Shoqatën e Mjekësisë Interne për organizimin e këtij aktiviteti, Ministri Beqaj tha midis të tjerash, se “Unë besoj thellësisht se ky është një aktivitet që përputhet jo vetëm me strategjinë e edukimit në vazhdim e thellimit të mëtejshëm të dijeve profesionale të punonjësve të shëndetësisë, dhe sidomos të mjekëve të familjes dhe të përgjithshëm, por gjithashtu, është qartësisht në sintoni dhe sinergji të plotë edhe me nismën më të rëndësishme të Qeverisë “Aleanca për Shqipërinë Europiane,” për këtë vit në sistemin e kujdesit shëndetësor, që është realizimi i kontrollit mjekësor bazë për grupmoshën 40 – 65 vjeç.”
Gjithashtu, z. Beqaj u ndal edhe tek nevoja që sistemi i kujdesit shëndetësor ka për më shumë mjekë, për më shumë kualifikim, dhe nisma që ministria e shëndetësisë ka ndërmarrë dhe po vijon të ndërmarrë, duke u shprehur se ky “është realitet i pashmganshëm, i pamohueshëm tashmë se kemi mungesa të theksuara mjekësh e profesionistësh të shëndetit për një numër të gjerë specialitetesh, dhe kjo, jo vetëm në zonat rurale, por në zonat urbane.”
Prandaj, vijoji më tej ministry, “dhe nisma të tilla, siç janë edhe katër leksionet e para të këtij cikli tre-vjeçar trajnimi janë një shembull i qartë i rrugës që duhet ndjekur në këtë drejtim, dhe investimit, jo vetëm financiar dhe infrastrukturor – i cili, sigurisht që është tepër i rëndësishëm, – por sidomos, investimit në burimet tepër të kufizuara njerëzore që disponojmë aktualisht në sistemin e kujdesit shëndetësor.”
Në vijim, fjala e plotë e Ministrit Beqaj në takimin me mediat.
—###—
Të nderuar profesorë,
Të dashur mjekë e punonjës të sistemit shëndetësor,
Të nderuar pjesëmarrës,
Të nderuar organizatorë të këtij aktiviteteti të rëndësishëm!
Fillimisht, më lejoni t’ju përgëzoj për ndërmarrjen e kësaj nismeje të lavdërueshme për organizimin e kursit të trajnimit me 20 leksione, me temë “Sëmundjet e Arterieve Koronare,” që do të zhvillohen në harkun kohor të tre viteve të ardhshëm me mjekët e familjes dhe mjekët e përgjithshëm në të gjithë vendin.
Unë besoj thellësisht se ky është një aktivitet që përputhet jo vetëm me strategjinë e edukimit në vazhdim e thellimit të mëtejshëm të dijeve profesionale të punonjësve të shëndetësisë, dhe sidomos të mjekëve të familjes dhe të përgjithshëm, por gjithashtu, është qartësisht në sintoni dhe sinergji të plotë edhe me nismën më të rëndësishme të Qeverisë “Aleanca për Shqipërinë Europiane,” për këtë vit në sistemin e kujdesit shëndetësor, që është realizimi i kontrollit mjekësor bazë për grupmoshën 40 – 65 vjeç.
Siç e kemi theksuar, ky kontroll bazë është hapi i parë i rëndësishëm dhe konkret, drejt kalimit të sistemit të kujdesit shëndetësor në Shqipëri drejt mbulim universal. Historikisht dhe tradicionalisht, sistemi i kujdesit shëndetësor në Shqipëri është ndërtuar rreth sëmundjes.
Ndërkohë, ne synojmë ta spostojmë drejt shëndetit.
Dhe besojmë se kontrolli bazë, është hapi i parë i saj. Kështu, për këtë qëllim, duhet të kujdesemi për shëndetin,duhet të investojmë për të. Dhe investimi për të janë, qoftë parandalimi, por edhe diagnostikimi i hershëm. Dhe kjo është arsyeja se përse një nga shtyllat kryesore të programit tonë 4-vjecar në shëndetësi është programi i kontrollit bazë shëndetësor për shqiptarët rezidentë në grupmoshën 40 – 65 vjeç.
Prandaj dhe nisma të tilla, siç janë edhe katër leksionet e para të këtij cikli tre-vjeçar trajnimi janë një shembull i qartë i rrugës që duhet ndjekur në këtë drejtim, dhe investimit, jo vetëm financiar dhe infrastrukturor – i cili, sigurisht që është tepër i rëndësishëm, – por sidomos, investimit në burimet tepër të kufizuara njerëzore që disponojmë aktualisht në sistemin e kujdesit shëndetësor.
Është realitet i pashmganshëm, i pamohueshëm tashmë se kemi mungesa të theksuara mjekësh e profesionistësh të shëndetit për një numër të gjerë specialitetesh, dhe kjo, jo vetëm në zonat rurale, por në zonat urbane.
Kemi nevojë për më shumë mjekë, për më shumë kualifikim, dhe nisma që kemi ndërmarrë dhe do të ndërmarrim, do ta përmirësojmë kujdesin shëndetësor në vend.
Dëshiroj unë dua të theksoj, që në prezantimin e Programit të Qeverisë, kemi thënë midis të tjerash, se janë dy grup sëmundjesh ku do të përqëndrohemi më shumë në nismat dhe projektet tona: sëmundjet kardiake e kardiovaskulare, si dhe ato tumorale.
Dhë në këtë drejtim, ne u faktuam shqiptarëve dhe punonjësve të shëndetësisë shqiptare se që në muajt e parë të qeverisjes, me hapa të qartë dhe të sigurtë, politikat tona janë për t’u përballur me këto çështje problematike.
Në funksion të kësaj, është edhe zgjerimi dhe përmirësimi i listës së rimbursimit, në fuqi që nga 1 Prilli. Për shembull, një element shtesë, është edhe miratimi i gjashtë paketave të shërbimeve shëndetësore në kardiologji dhe kardiokirurgjinë invazive disa ditë më pare në Fond, dhe javën e ardhshme edhe në Këshillin e Ministrave.
Ndërkohë, dua të përfitoj nga prezenca juaj këtu, për t’ju kërkuar juve në radhë të parë, që të jeni ju përçuesit kryesor të gjithë të rejave që ka: qoftë lista e rimbursimit, qoftë elementët e rinj të kujdesit shëndetësor direkt ndaj pacientit. Edhe ju e keni ndjekur debatin që është zhvilluar 4-5 javët e fundit, me barnat që janë në qarkullim në Shqipëri, me listën e barnave, me listën e barnave spitalore, me listën e barnave të rimbursimit.
Dhe dua në radhë të parë, t’ju kërkoj juve që në mënyrë të qartë t’i shpjegoni qytetarëve shqiptarë, t’i shpjegoni pacientëve, t’i shpjegoni të sëmurëve, t’i shpjegoni familjarëve të tyre, mundësitë që ofron lista, gjithmonë duke u nisur nga principi aktiv.
Sigurisht, unë dua të falenderoj organizatorët dhe ata që e kanë sponsorizuar këtë aktivitet, i cili padyshim lidhet me një shtëpi të caktuar farmaceutike, por ne kemi vendosur, që edhe ato programe promocioni që shtëpitë farmaceutike kanë, t’i përdorim sa më shumë të shënjestruara drejt formimit.
Edhe në dispozitat e ligjit të ri të barnave që po hartojmë, pjesa e promocionit, është një pjesë e elaboruar në mënyrë më të plotë, ku do të kornizojmë qartë se kush janë hapësira që do t’u lejohet shtëpive farmaceutike për të bërë promocion, duke vendosur një mënyrë shumë transparente të raportimit publik të shpenzimeve që do të përdoren për promocionin.
Motoja jonë themelorë, është: Të shëndetshëm, jemi të gjithë të barabartë.
Kjo është edhe arsyeja pse duam të investojmë shumë tek parandalimi, tek diagnostikimi i hershëm, me protokolle, me më shumë barna, me financim me fonde publike edhe të përfitimit të kujdesit shëndetësor në institucionet jopublike.
Besojmë se, në radhë të parë, qytetarët shqiptarë, e meritojnë një kujdes shëndetësor të tillë.
Duke ju uruar suksese dhe punë të mbarë në kurset e trajnimit,
Ju faleminderit!
—###—
© Ministria e Shëndetësisë 2025 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.