Font Resize
Contrast
.

vije ndarëse

Postuar më: 22/10/2013

Tumoret dhe shtatzania, kontroll falas

Tiranë, 22/10/2013 – Në konferencë e sotshme (22/10/2013) për shtyp, në javën e fundit të muajit të ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit, Ministri i Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj, rikonfirmoi sërish vullnetin e Qeverisë, për të rikthyer besimin e humbur ndaj sistemit të kujdesit shëndetësor. Duke shpjeguar Urdhrin e datës 1 tetor 2013, Nr. 528, i cili përjashton nga tarifat për shërbimet mjekësore të sëmurët me sëmundje tumorale dhe gratë shtatzëna, ministri Beqaj ritheksoi domosdoshmërinë që ka parandalimi i hershëm i sëmundjeve tumorale, të cilat janë sëmundje me incidencë dhe fatalitet të lartë në vendin tonë.

Ky urdhër është marrë në përputhje të plotë me synimin parësor të programit të Qeverisë, që është zgjatja e viteve të shëndetshme të jetës së popullatës shqiptare dhe parandalimi i fataliteteve të parakohshme duke rivendosur, ruajtur dhe përmirësuar shëndetin. Gjithashtu, Ministri Beqaj ritheksoi se, sipas këtij Urdhri, të gjitha tarifat aktuale do të bëhen zero për të sëmurët me sëmundje tumorale dhe gratë shtatzëna, por në çdo rast, këta pacientë duhet të ndjekin sistemin e referimit nga mjeku i familjes tek ai specialist.

Z. Beqaj bëri me dije, gjithashtu, se institucioni që ai drejton do të ndërhyjë duke ndërmarrë disa masa afatshkurtra dhe afatgjata për përmirësimin e situatës në lidhje me trajtimin e sëmundjeve tumorale. Ndërhyrja e menjëhershme do të jetë furnizimi më i plotë me citostatikë (barna që luftojnë sëmundjet tumorale) në QSUT, dhe më tej, vazhdoi ministri, “do të ndërmarrim disa masa afatgjata që lidhen me hartimin dhe saktësimin e protokolleve të mjekimit, autonominë spitalore, si dhe rritjen e numrit të qendrave të specializuara ku trajtohen tumoret”.

Ne jemi të vendosur, tha z. Beqaj, që në vitin e ardhshëm të nisim një program masiv të kontrollit bazë për sëmundshmërinë në vend për grupmoshën 40-60 vjeç. “Me këtë program depistimi, synojmë të ulim rreziqet që vijnë nga moskapja në kohë e sëmundjeve, kryesisht atyre tumorale”, tha ai.

Ky është një tregues i qartë i vullnetit politik të Qeverisë për rritjen e rolit të shëndetit publik, pasi sicdihet, sëmundjet jongjitëse kanë rritur përhapjen në Shqipëri, ku veçanërisht sëmundjet tumorale, përveç atyre kardiovaskulare, janë kthyer në ndikues të ndjeshëm në shkurtimin e jetëgjatësisë dhe jetës së shëndetshme, tha në konferencën për shtyp Ministri Beqaj.

—###—